Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Opinion

Kur politika hyn në protestë:
A po përdoret zemërimi i qytetarëve për interesa të tjera?

todayJune 21, 2026 6

Background
share close

Java e tretë e protestave para Kryeministrisë po mbyllet me një pjesëmarrje që vazhdon të tërheqë vëmendje.
Ajo që nisi si një revoltë qytetare për çështje konkrete që lidhen me Thethin, Rrjollin, Zvernecin, Nartën, Kakomenë, Skavicën, Durrësin dhe zona të tjera, sot po ngre një debat shumë më të madh:
A po mbetet kjo protestë një lëvizje qytetare apo po shndërrohet gradualisht në një skenë ku politika po përpiqet të marrë rolin kryesor?
Në ditët e fundit, protestës i janë bashkuar shumë shqiptarë nga diaspora.
Disa kanë përshkuar mijëra kilometra me automjete nga Gjermania, Belgjika, Franca, Zvicra, Italia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar.
Të tjerë kanë prerë bileta avioni dhe kanë ardhur posaçërisht për të qenë prezentë në Tiranë.
Ky është një fakt që nuk mund të mohohet dhe as të nënvlerësohet.
Kur dikush lë punën, familjen dhe shpenzon kohë e para për të marrë pjesë në një protestë, kjo tregon se ai beson se po mbron një kauzë të drejtë.
Por krahas qytetarëve të zakonshëm, në protestë po shihen edhe figura të njohura politike dhe eksponentë të partive të ndryshme:
Shumë prej të cilëve kanë ardhur po ashtu nga diaspora.
Jo vetëm kanë marrë pjesë fizikisht, por kanë mbajtur edhe diskutime, kanë dhënë deklarata, kanë zhvilluar takime dhe janë pozicionuar publikisht në një protestë që teorikisht duhet t’i përkasë qytetarëve dhe jo partive.

Të paktën ne në diasporë ju njohim, madje shumë mirë se s’na kanë pushuar telefonatat para pak muajsh prej jush.
Këtu lind pyetja që shumë protestues duhet ta bëjnë me zë të lartë, por që meriton të thuhet hapur:

A po mbështetet protesta apo po investohet politikisht mbi të?
Sepse nuk mund të harrohet një fakt i rëndësishëm.
Shumë nga këta eksponentë politikë që sot shihen në protestë, vetëm pak muaj më parë zhvillonin takime në diasporë për të kërkuar vota për partitë e tyre.
Kanë organizuar aktivitete, kanë bërë fushata, kanë mbajtur fjalime dhe kanë prezantuar programet e tyre politike para emigrantëve shqiptarë.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të Partisë Socialiste kanë bërë të njëjtën gjë.
Kanë organizuar takime në diasporë, kanë pritur ministra, deputetë e drejtues politikë dhe kanë kërkuar mbështetje për zgjedhjet.
Shumë prej këtyre drejtues politik të partive në diasporë, madie unë i kam patur si të ftuar për të shpalosur programin e tyre politik në WindowRadio.de.
Në shumë raste, diaspora është trajtuar si një rezervuar votash që aktivizohet sa herë afrohen proceset elektorale.
Prandaj është krejt legjitime të pyetet:
Çfarë i dallon sot ata që flasin nga podiumi i protestës:
Nga ata që flisnin dje në takime elektorale?
Kjo nuk do të thotë se një politikan nuk ka të drejtë të protestojë.
Çdo qytetar e ka këtë të drejtë.
Por problemi lind kur kufiri mes mbështetjes së kauzës dhe përfitimit politik nga kauza bëhet i paqartë.

Historia shqiptare ka parë shumë protesta që nisën si zë i qytetarëve dhe përfunduan si pronë e politikës.
Në fillim njerëzit mblidhen për një padrejtësi.
Më pas vijnë flamujt, deklaratat, fjalimet dhe kamerat.
Në fund, kauza zhduket dhe mbetet vetëm gara se kush do të marrë më shumë kapital politik.
Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë duhet të shprehin shqetësim.
Ata nuk duan që protesta për Thethin, Rrjollin etj etj të kthehet në fushatë elektorale.
Nuk duan që protesta për Zvernecin etj etj të shndërrohet në tribunë partish.
Nuk duan që zemërimi i njerëzve të përdoret si karburant për ambiciet e askujt.
Nuk duan që të rinjtë, të cilët po protestojnë me bindjen se po mbrojnë vendin e tyre, të përdoren si dekor politik për fotografi dhe deklarata.
Sepse kur një qytetar proteston, ai mbron një parim.
Kur një parti proteston, ajo mbron edhe një interes.
Dhe këto dy gjëra nuk janë gjithmonë e njëjta gjë.

Shqiptarët që kanë ardhur nga diaspora nuk kanë udhëtuar mijëra kilometra për t’u bërë pjesë e një beteje mes partive.
Shumica kanë ardhur sepse ndjejnë se po preken vlera që i përkasin të gjithëve.
Ata nuk kanë ardhur për të dëgjuar se kush do të fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Kanë ardhur për të mbrojtur atë që besojnë se po humbet sot.

Prandaj, nëse protesta dëshiron të ruajë besueshmërinë e saj, duhet të mbetet mbi partitë dhe mbi interesat elektorale.
Sepse në momentin që qytetarët fillojnë të besojnë se kauza e tyre po përdoret nga dikush tjetër, protesta humbet forcën morale që e ka mbajtur gjallë deri tani.
Dhe atëherë pyetja nuk do të jetë më sa njerëz janë në shesh.
Pyetja do të jetë:
A janë ata aty për kauzën, apo kauza është aty për dikë tjetër?

Përgatiti:
Koja Leonard:

Written by: WindowRadio.de

Rate it