Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

Flamingot dhe shqiptarët:

todayJune 10, 2026 10

Background
share close

Po ndodh një fenomen interesant këto ditë në “tour-in” e stand up komedisë kryeministrore.

Shqiptarët po protestojnë për korrupsionin, për ligjet e qepura sipas trupit të klientëve, për pronat, për mungesën e transparencës, për korrupsionin endemik, për qytete që ujin nuk e kanë në rubinet por e kanë me bollëk në rrugë, për arrogancën e pushtetit dhe mospërfilljen që u bëhet.

Kryeministri u përgjigjet me flamingo.

Si ai nxënësi që bën shaka me pyetjen sepse nuk e di përgjigjen, ai vesh bluza me flamingo, bën humor me flamingo dhe tallet me protestuesit apo influencerët që flasin për to. Madje na tregon edhe përralla horror se para se të vinte ai në pushtet shqiptarët vrisnin dhe hanin flamingo.

Një qytetar flet për korrupsionin, ai i përgjigjet me biologji. Një tjetër flet për ligjin, ai i përgjigjet me ornitologji.

Një protestë e tërë flet për pushtetin, ndërsa ai debaton për një shpend. Problemi është se ende bën sikur nuk e kupton pse flamingoja është bërë simbol. Dhe e bën këtë gjë jo për të dekurajuar ata që janë në protestë çdo ditë, por për të hutuar, intimiduar apo influencuar sa më shumë të mundet ata që akoma nuk protestojnë. Përfshirë të tijët!

Sepse për shqiptarët që protestojnë, flamingoja nuk është më një shpend por është shëndrruar në një metaforë të fuqishme. Në fakt, po ta mendosh mirë, është e vështirë të gjesh një simbol më shqiptar se kaq.

Flamingot janë të bukura, të brishta dhe paqësore. Nuk kërkojnë shumë; vetëm një habitat ku të jetojnë. Kur ai habitat prishet, ato nuk luftojnë dhe nuk sulmojnë. Thjesht largohen. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e simbolit. Për 35 vite, miliona shqiptarë kanë bërë të njëjtën gjë. Nuk kanë kërkuar luks apo privilegje; kanë kërkuar drejtësi, siguri, dinjitet dhe mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre. Kur nuk i kanë gjetur, janë larguar në kërkim të një vendi ku mund të jetojnë më mirë.

Prandaj flamingot nuk janë tema e protestës, por simboli i saj. Ato përfaqësojnë njerëzit që nuk gjejnë më hapësirë për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre dhe zgjedhin të largohen.

Ironia është se sa më shumë Kryeministri tallet me flamingot, aq më shumë e forcon këtë metaforë. Sa më shumë flet për shpendët, aq më shumë njerëzit mendojnë për qytetarët. Sepse kjo nuk është histori për flamingot; është histori për njerëzit që ndihen të huaj në vendin e tyre dhe largohen. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse flamingoja po e fiton debatin. Jo vetëm sepse është një shpend i rrezikuar por sepse është pasqyra e një vendi që vazhdon të humbasë banorët e vet, ndërsa pushteti vazhdon të tallet me arsyet që i shtyjnë të ikin.

Shkruan Neli Demi:

Written by: WindowRadio.de

Rate it