Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Është çështje sistemi, kulture politike dhe politike arrogante. Kur disa individë, për shkak të fuqisë së tyre financiare dhe lidhjeve informale, kanë fuqi të kontrollojnë shtetin, qeverinë dhe organet ligjzbatuese, atëherë sistemi korruptohet dhe humbet funksionin kryesor, duke u kthyer në mekanizëm mbështetës për një pakicë të korruptuar dhe abuzive.
Rasti i Vlorës vetëm sa e rifkonfirmoi. Kryeministri zgjodhi anën e policisë/firmës informale, Policia zgjodhi anën e policisë/firmës informale, liderit kryesor politikë majtas e djathtës zgjodhën anën e policisë/firmës informale, mediat kryesore zgjodhën anën e policisë/firmës informale, autoritetet lokale përfshirë bashkia dhe institucionet ligjzbatuese zgjodhën anën e policisë/firmës informale. Përballë tyre qytetari i thjeshtë është një numër, një pengesë, një bezdi që duhet mënjanuar, qoftë edhe duke e tërhequr zvarrë. Kurajo për ta bërë këtë edhe përpara kamerave dhe publikisht, si dhe kurajo e firmës informale për të kërcënuar përmes një deklarate çdo zë kritik, – janë vetëm simptoma të mbipushtetit, arrogancës, korrupsionit dhe “ruletës ruse” që po luhet prej kohësh në zonat tona bregdetare.
Kur një polic kreu një gjest krejt të parëndësishëm në një protestë politike u shpall hero, ministri dhe shteti e nderoi, media e bëri figurë kryesore, ama kur një polici shtetërore vihet në shërbim të klientelës oligarkike, dhunohet prej saj dhe dhunon bashkë me të, – hesht ministri, hesht qeveria, hesht prokuroria, heshtin institucionet përgjegjëse për garantimin e ligjit. Kryeministri ka të drejtë ta përdorë politikisht vendimin për IBAR dhe të thotë se po nderohet flamuri i Ismail Qemalit në Bruksel, por ama harron se skena në bregdetin e Vlorës lidhet me të njëjtin flamur, të njëjtin vend, të njëjtin person dhe show gjeopolitik në Bruksel bëhet reality show në Zvercec ku antishteti fiton, sfidon dhe dhunon shtetin, ligjin, Kushtetutën, të drejtat dhe vlerat europiane.
Së fundi, – shikoni kronikën e javës së fundit për të kuptuar dallimet thelbësore midis modelit të kapitalizmit të bazuar në merita, konkurrencë dhe treg të lirë dhe modelit oligarkik në Shqipëri të krijuar nga lidhje informale politike. Në cilin vend ndodh që biznesmenët kryesorë të zgjidhin mosmarrëveshjet me shkopinj dhe grushte? Ku ndodh që të rrihen biznesmenët në paraburgim? Ku ndodh që biznesmenët “strategjikë” të porosisin vrasje? Vetëm falë lidhjeve informale dhe politike këtyre modeleve pa formim dhe ndonjë meritë/arritje profesionale iu kemi dhënë falas shtetin, bregdetin, pasuritë kombëtare, aksesin në informacion sekret dhe gjithçka tjetër. Ata nuk janë modele kapitalizmi dhe biznesi të suksesshëm, janë produkte të një sistemi të korruptuar që votëbesohet/legjitimimohet/riciklohet me forma e mjete të korruptuara.
Koha për sadopak dinjitet shtetëror, reagim të institucioneve, reagim të prokurorisë, policisë, organeve ligjzbatuese dhe koha për të kuptuar se kjo klasë e korruptuar nuk është dhe as mund të jetë ofertë, shpresë apo zgjidhje për të ardhmen drejt një demokracie funksionale e shteti të së drejtës. Suksesi, fuqia dhe mentaliteti i tyre simbolizohet tek ata të dy që tërheqin zvarrë qytetarin, me taksat e të cilit paguhen, me votat e të cilit legjitimohen dhe në emër të të cilit kanë ndërtuar karriera dhe pasuri abuzive.
Shkruan Afrim Krasniqi:
Written by: administratori
Copyright WindowRadio.de