Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Pas dekadash heshtjeje, malli, ikjesh masive dhe kthimesh vetëm në gusht për dasma e dokumente, Bashkia Librazhd ka bërë një zbulim historik: librazhdasit nuk jetojnë vetëm në Librazhd.
Për këtë arsye madhore, pranë Bashkisë është ngritur Sektori i Diasporës, një “urë lidhëse” mes qytetit dhe bashkëqytetarëve që prej vitesh jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Angli e ku të mundin – kryesisht sepse këtu ura me mundësitë u shemb me kohë.
Sipas njoftimit zyrtar, ky sektor do t’i mbajë emigrantët të informuar për projektet, investimet, shërbimet dhe risitë në Librazhd.
Pra, më në fund diaspora do të marrë vesh nga burimi zyrtar se çfarë po ndodh në qytet, jo vetëm nga fotot me prerje shiritash, statuset me “punë konkrete” dhe videot ku çdo trotuar duket si sukses kombëtar.
Zyra do të trajtojë gjithashtu ankesa, kërkesa dhe shqetësime të diasporës.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse emigrantët kanë vite që kanë vetëm një shqetësim kryesor: pse u detyruan të ikin?
Por tani nuk ka vend për pesimizëm. Nëse ke ikur nga mungesa e punës, klientelizmi, rrugët e prishura, shërbimet e dobëta apo nga fakti që qyteti të dukej gjithnjë e më i ngushtë për të ardhmen tënde, mos u mërzit. Bashkia tani ka sektor.
Synimi është që diaspora “të ndihet pjesë e jetës së qytetit dhe fshatit”.
Sepse, siç dihet, nuk ka ndjesi më të fortë përkatësie sesa të marrësh një njoftim nga Bashkia pasi ke 15 vjet që paguan taksa diku tjetër dhe kthehesh në vendlindje vetëm për të parë se i njëjti problem është bërë pjesë e trashëgimisë lokale.
Megjithatë, iniciativa duhet përshëndetur. Jo çdo ditë ndodh që administrata të kujtohet për njerëzit pasi ata janë larguar.
Tani presim me padurim sektorët e radhës:
Sektori për të Rinjtë që duan të ikin
Sektori për ata që janë ende këtu, por po mendojnë seriozisht të largohen
Sektori për premtimet e harruara
dhe, sigurisht, Drejtoria e Madhe e Urave që nuk të çojnë Askund.
Diaspora është gati të dëgjojë.
Pyetja është: a ka Bashkia ndonjë gjë reale për t’i thënë?
Written by: administratori
Copyright WindowRadio.de