Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Tiranë, 26 Maj 2026 – Pas muajsh tensioni, akuzash të ndërsjella dhe një beteje të ashpër ligjore që kishte paralizuar një nga projektet më strategjike të Shqipërisë, Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin përfundimtar në favor të Behgjet Pacolli dhe kompanisë së tij Mabco Construction, duke i njohur kësaj të fundit kontrollin e plotë mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Vendimi konsiderohet një goditje e fortë për palën kundërshtare të lidhur me Valon Ademi dhe njëkohësisht një kthesë vendimtare për fatin e projektit që prej kohësh ishte futur në një ngërç institucional e financiar.
Burime pranë procesit bëjnë me dije se Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke rikthyer tek Mabco Construction të drejtën e plotë të votës, administrimit dhe kontrollit operacional mbi kompaninë koncesionare që po ndërton aeroportin. Në praktikë, kjo do të thotë se Pacolli dhe grupi i tij rimarrin drejtimin total të projektit dhe mund të vazhdojnë investimin pa pengesa juridike nga ish-ortaku.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të madh jo vetëm në raportet mes ortakëve, por edhe në vetë ritmin e punimeve në Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një projekt që qeveria shqiptare e ka cilësuar si nyje strategjike për turizmin, ekonominë dhe transportin ajror në jug të vendit.
Për muaj të tërë, konflikti mes palëve kishte krijuar paqartësi të mëdha mbi fatin e investimit multimilionësh. Përplasjet për aksionet, të drejtën e vendimmarrjes dhe kontrollin administrativ kishin sjellë tensione jo vetëm brenda kompanive, por edhe në opinionin publik, ku nuk munguan akuzat për tentativa bllokimi, sabotimi ekonomik dhe luftë influence mbi një projekt me interes të lartë kombëtar.
Me këtë vendim, Behgjet Pacolli del praktikisht fitues absolut i një beteje që zgjati gjatë dhe që u ndoq me shumë interes si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Për Pacollin, kjo nuk është vetëm një fitore ligjore, por edhe një rikthim force në një nga investimet më të mëdha infrastrukturore shqiptare të viteve të fundit.
Nga ana tjetër, humbja për grupin kundërshtar shihet si një goditje e rëndë financiare dhe strategjike, pasi me vendimin e Gjykatës së Lartë shuhen pothuajse të gjitha hapësirat për të ndikuar më tej në drejtimin e aeroportit.
Tashmë vëmendja zhvendoset tek hapi i radhës: përshpejtimi i punimeve dhe përfundimi i aeroportit që pritet të transformojë jugun e Shqipërisë në një qendër të rëndësishme turistike dhe ekonomike në rajon. Nëse projekti ecën sipas parashikimeve, Aeroporti i Vlorës mund të shndërrohet në një nga portat më të rëndësishme ajrore të Ballkanit, duke rritur ndjeshëm fluksin e turistëve dhe investimeve në rivierën shqiptare.
Written by: administratori
Copyright WindowRadio.de