Opinion

Rehabilitimi i Lulzim Bashës:
Rrotullimi i një disku që s’pushoi kurrë..

todayMay 12, 2026 5

Background
share close

Tani ka ardhur momenti që edhe Lulzim Basha të kërkojë rehabilitimin e vet politik.
Po pse jo?
Në këtë politikën tonë që është kthyer në teatër absurd, me role të ricikluara dhe aktorë që s’kanë më fytyrë nga ndërrimet, ai ka të drejtë të thotë: “O miq, e patë që me mua kishit më shumë vota, më shumë rend, më shumë iluzion fitorjeje?” Dhe ndoshta ka të drejtë. Se në këtë opozitën e çoroditur ku çdo humbje serviret si fitore morale, ai të paktën kishte një stil: të humbte me buzëqeshje, me parulla euro-atlantike dhe me një PowerPoint për çdo rast.
Sot kemi një opozitë që as nuk arrin të humbasë me stil. As nuk bën dot opozitë, as nuk bën dot moral.

Dhe Luli, me tonin e vet të butë prej lideri që më shumë i ngjan një moderatori talk-show, do rikthehet sërish me batutat e veta të pavdekshme: “O Ramëëë… 7 herë 7 bëjnë 2029!” E kjo do të jetë mesazhi i koduar: “Në 2029 do më kuptoni që paskam pasur të drejtë.” Sepse, siç e do tradita shqiptare e përplasjes së fajit, kur humbet, mos kërko fajin te strategjia, analiza, vendimmarrja apo morali i shkatërruar i partisë. Jo.
Gjeje kokën e turkut. Prite. Dhe marsho përpara.
Fajin e ka ai që iku. Ai që s’është më aty për t’u mbrojtur.
Në këtë rast, Luli.
Dhe ja ku jemi: e hëngrëm atë kokë. Tani pritet ndezja e motorëve . Tani do shpërthejmë në fitore, se Luli s’është më.

Po çfarë ndodhi?
Një humbje tjetër. Një tjetër përçarje. Një tjetër shthurje e brendshme, që i ngjan një varke që fundoset, por e gjithë ekuipazhi vazhdon të mbajë fjalime për drejtimin e erës.

Tani Luli vjen dhe thotë: “Po mirë, pa mua çfarë bëtë?” Dhe në të vërtetë, është një pyetje që përvëlon. Sepse përgjigjja është: Asgjë. As një kthesë. As një reformim. As një analizë serioze.
Vetëm të njëjtët njerëz që dje i thoshin “zoti kryetar” me zërin që dridhej nga servilizmi, sot i ngrejnë gishtin moral: “Ti e shkatërrove partinë!” Po kush e la mandatin në parlament? Ai, por me firmat e gjithë drejtuesve që sot bëjnë sikur nuk e kanë njohur kurrë.
Po kush e bojkotoi reformën zgjedhore, zgjedhjet vendore, parlamentin?
E pra, këta të njëjtët. Me Lulin në krye.
Dhe tani vijnë të flasin për “shpëtimin e PD-së” si të ishin Jezusi dhe apostujt në darkën e fundit.
Ironia nuk mjafton ta përshkruajë këtë kthesë: është thjesht një neveri politike e veshur me hipokrizi.

Kush guxon të ngrejë zërin për këtë marrëzi, shpallet menjëherë si armik i opozitës.
“Mos kritikoni opozitën!”
“Mos i jepni armë kundërshtarit!”
“Mos e përçani!”
Po çfarë mbeti për të përçarë, kur ajo është thyer në copa që s’bashkohen më as me ngjitës industrial?

A nuk janë këta të njëjtët që përjashtuan Berishën nga grupi parlamentar dhe pastaj e ndoqën pas në protestat që vetë e kishin bojkotuar?
A nuk janë këta që pas çdo dështimi thonë: “Fajin e ka ai që iku, ne s’kemi përgjegjësi!” E po kështu vazhdon teatri absurd. Me skenar të vjetër, aktorë të konsumuar dhe publik që nuk e blen më biletën.

Dhe më e trishta: nuk ka më analiza të vërteta në opozitë.
S’ka një forum të ndershëm, ku dikush të thotë: “Gabova.” Vetëm një refren i lodhur: “Grupi armiqësor u shpartallua!” Dikur kjo frazë përdorej nga byrotë e komunizmit. Tani, në vitin 2026, e përdorin liderët e opozitës që s’kanë ide, por kanë gjithmonë një fajtor të ri.

Yxhym!
E gjitha është një farsë e zgjatur, një teatër që përpiqet të quhet “lëvizje” kur në fakt është një qarkullim rreth vetes.
Opozita që s’lejon të kritikohet, është një sekt, jo një alternativë.
Një komunitet që të thotë “mos fol!” dhe jo “na ndihmo të kuptojmë ku gabojmë.” Dhe Luli, aty është, i qeshur.
I qetë. Me kollaren e vet të përhershme dhe zërin prej qytetari europian.
Ai e di që historia e tij politike është bërë meme. Por ndoshta e di dhe një gjë tjetër: në një vend ku të gjithë e kanë provuar turpin dhe askush nuk e ka pranuar, çdo turp është i përkohshëm.

Mbase në fund të fundit:
Luli do të thotë një ditë:
“Ju më hoqët, por s’më zëvendësuat me diçka më të mirë. Më larguat, por nuk u ngritët dot vetë. Dhe më shatë, por në pasqyrë keni fytyrën time.”
Dhe ndoshta do të ketë të drejtë.

Përgatiti Koja Leonard:

Written by: administratori

Rate it