Opinion

Sot ishte 9 Maji, Dita e Evropës.

todayMay 9, 2026 4

Background
share close

E asaj Evrope që e ëndërruam aq shumë dhe, teksa vraponim pas saj si të çmendur, ajo largohej si e çmendur prej nesh. Nuk kam ndjerë dhimbje, as etje të madhe, sepse e kam marrë vizën Shengen me aplikimin e parë athere kur radhet ishin tabore perpara ambasadave dhe endrra paguahej me cmimin e vdekjes dhe te gomones.

Evropa e parë që kam shkelur ka qenë Berlini.

Isha në Potsdam, atje tek boshti nervor që vulosi fatin e botës moderne dhe Rendin e Ri Botëror. Berlini u transformua në simbolin universal të përplasjes ideologjike mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe ne shqiptarët nuk e kuptuam kurrë nëse ishim të Lindjes apo të Perëndimit. Ëndrra ishte Perëndimi, ndërsa shtrati me jastëkun ku shihej ëndrra anonte gjithmonë nga Lindja, gjoja tinëz syve të Perëndimit.

Sot Evropa është si një makinë me katër rrota që kanë dalë prej aksit dhe rrotullohen me shpejtësi, secila në drejtim të ndryshëm. Ajo sot është si një makinë e vjetër që ka rënë në greminë dhe së cilës i punon vetëm radioja. Të kuptosh Berlinin dhe Potsdamin do të thotë të deshifrosh kodin gjenetik të fuqisë evropiane, ku çdo rrugë dhe pallat dëshmon triumfin e ringritjes mbi hirin e historisë.

Evropa do të ringrihet, por ne nuk e dimë nëse do të zgjohemi apo jo; dhe nëse zgjohemi, do të vazhdojmë të jemi nën kurthin e një iluzioni që na thërret me ëndërr në Perëndim e na lë me trup në Lindje. Atje ku as ëndrrën nuk ta pranojnë në Perëndim dhe trupin ta refuzojnë në Lindje, si të ishe një lavire trotuari që shet trupin për të mbajtur fëmijët me bukë, kur e braktis edhe burri, edhe familja, sepse ka shkelur “nderin” e “FAMILJES!

Ne shqiptarët rrezikuam shumë, sepse nuk e kuptuam Sartrin dhe atë Evropë që na e kishte treguar rrugën. Jean-Paul Sartre thoshte:

‘Kam analizuar arsyet e dështimeve të mia në jetë dhe kam mbërritur në përfundimin se arsyeja e dështimeve ishte se nuk kam qenë mjaftueshem radikal.’ Neve na u desh të ishim radikalë, mbase që të na e pranonin ëndrrën ne Perendim, ose trupin ne Lindje!

Lëvizja Atdheu

Written by: administratori

Rate it