Klodian Braho, kreu i ri i SPAK!…
(Pas një procesi votimi të zhvilluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Klodian Braho eshte zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Nje CV e shkurter:
Karriera e Klodian Brahos në sistemin e drejtësisë ka nisur më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe Shkollës së Magjistraturës. Ai mori detyrën e parë si prokuror në Prokurorinë e Beratit, ku shërbeu deri në vitin 2012. Përvoja e fituar në këtë prokurori e çoi drejt transferimit në Prokurorinë e Vlorës, ku punoi deri në vitin 2015, duke mbajtur për një periudhë edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit të institucionit.
Në vitin 2015, Braho u bë pjesë e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, strukturë ku ai u angazhua në hetime të çështjeve me rëndësi të veçantë dhe me ndikim të lartë publik. Ai është përfshirë ndër vite në dosje që kanë trajtuar veprimtarinë e zyrtarëve të nivelit të lartë dhe grupeve të dyshuara kriminale, duke fituar reputacion si një prej prokurorëve më të angazhuar në çështje sensitive. Mes dosjeve më të njohura që ai ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Pas shpërbërjes së Prokurorisë për Krime të Rënda dhe krijimit të SPAK, Klodian Braho u emërua prokuror i posaçëm më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë procesit të vettingut. Në korrik të vitit 2019, KPK e kishte konfirmuar në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë karrierës së tij në strukturën e re anti-korrupsion. Në vitin 2022, Braho u përfshi në garën për drejtimin e SPAK, por u tërhoq nga procesi më vonë.
Në mars të vitit 2023, ai dha dorëheqje nga një pjesë e hetimit në dosjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga palë të përfshira për mungesë transparence në disa veprime procedurale një vendim që mori vëmendje të gjerë publike.




