Politikë

PREÇ ZOGAJ: SALI BERISHA PO DËMTON PARTINË DEMOKRATIKE:

todayDecember 5, 2025

Background
share close

Analisti Preç Zogaj komentoi foltoren e ndërmarë nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti me mbështetësit e Partisë Demokratike, duke renditur katër mesazhet kryesore që, sipas tij, i dërgohen PD-së nga këto takime. Zogaj theksoi se Sali Berisha vazhdon të mos nxjerrë mësime nga përvoja e tij politike gjatë 35 viteve në krye të partisë.

Sipas Zogajt, nisma e Alimehmetit, Salianjit dhe disa figurave të tjera të votuara brenda PD-së ishte një gjest me natyrë “provokimi pozitiv”, i nevojshëm për t’i rikthyer vëmendjen te disa probleme të brendshme.

Mesazhi i parë, sipas tij, lidhet me respektin ndaj votës dhe zgjedhësve. “Të votuarit kanë përgjegjësi ndaj atyre që u kanë dhënë besimin. Nuk mund të presin pafund ndërsa në parti nuk lëviz asgjë,” u shpreh Zogaj.

Mesazhi i dytë ka të bëjë me kundërshtimin e ndarjes së elitës së PD-së në “patricë” dhe “plebej”, siç e formuloi ai. Sipas Zogajt, të votuarit janë lënë në minorancë, ndërsa figura që nuk janë testuar as në votën e anëtarësisë, as në atë të qytetarëve, vazhdojnë të mbajnë pozita kyçe.

Mesazhi i tretë lidhet me nevojën për rinovim të PD-së. Zogaj vuri në dukje se më të votuarit janë më të pranueshëm për publikun sesa shumë prej atyre që nuk kanë pranuar të përballen me votën. “Është një diskriminim që nuk është parë ndonjëherë,” theksoi ai, duke iu referuar faktit se disa figura të rëndësishme u përjashtuan edhe nga procesi i primareve.

Mesazhi i katërt, sipas Zogajt, është thirrja për një “shkundje” të partisë. Ai theksoi se PD nuk ka bërë kurrë një analizë serioze të humbjeve elektorale duke u fokusuar gjithmonë te fajësimi i kundërshtarëve politikë. “Kjo lëvizje e të votuarve ka sjellë zhvillime që nuk mund t’i analizojmë jashtë ndikimit të tyre,” u shpreh ai.

Në fund, Zogaj kritikoi ashpër reagimin e Berishës, duke e cilësuar si një reminishencë të së shkuarës dhe duke u shprehur “pafundësisht i çuditur” që kreu i PD-së nuk ka nxjerrë ende mësime nga gabimet e së kaluarës.

Written by: Window.Al

Rate it