Opinion

Jemi keq, shumë keq! Më keq se e dimë.

todayOctober 10, 2025

Background
share close

Reagim: Nga AVOKAT NDRE MOLLA:

Vrasja e gjyqtarit të apelit Astrit Kalaja është vrasja më e rëndë që i ka ndodhur derisot shtetit shqiptar. Është akti më i rëndë kundër shtetformimit shqiptar. Është pushkë kundër Republikës së Shqipërisë. Është pushkatuar shenjtëria e gjykatës, solemniteti.

Ndërsa kryeministri e ministri i brendshëm, në vend se të jepnin dorëheqjen, zgjodhën të tallen në mënyrën më të shëmtuar me shqiptarët, “e ka fajin kodi penal”!!!, “ministria e rendit s’ka përgjegjësi për sigurinë në gjykata!!!” Kurse ministrit rastësor të drejtësisë as që ja vlen ti referohemi, është totalisht i pafajshëm, se kaq mban.

Nga ana tjetër, ngjarja e tmerrshme ka nxjerr në pah anën më negative të shoqërisë tonë, karakteristikën e saj, injorancën e përzier me ligësi shpirtnore kolektive. “I lumtë pushka” atij që vrau gjykatësin është lutja më e tmerrshme, që më kanë dëgjuar veshët ndonjëherë.

Tregon gjendjen depresive dhe të pashpresë në të cilën ndodhet shoqëria. Nuk ka arsye në botë që justifikon pushkatimin e gjykatësit në tempullin e drejtësisë, sado sfilitje, sado padrejtësi, sado drejtësi të vonuar, sado njëanshmëri të ketë patur ai gjykim apo edhe të tjerë më parë. Lidhet vetëm me ndërgjegjen shtetformuese që na mungon, jo sot, ka mbi 100 vjet. Ndryshe nuk jemi më të vonuarit e Europës në çdo moment historik të saj.

Qëndrimi kolektiv ndaj këtij krimi nuk ka lidhje me sensin e reagimit ndaj padrejtësisë, apo me aspiratën për drejtësi. Nuk ka lidhje as me qëndrimin dhe respektin e shoqërisë tonë ndaj pronës. Nuk është mllef kundër padrejtësive të drejtësisë. Sepse drejtësinë nuk na e bëjnë kinezët, njerëzit e kësaj shoqërie e bëjnë. Është thjeshtë shprehje e gjendjes shpirtnore depresive e të mjerueshme ku ndodhemi. Është shpërthim i “njeriut të ri”.

Të ishim kaq parimor më qëndrimet tona, do ta kishim treguar një herë të vetme. Kemi patur kohë të tregonim nervin e reagimit ndaj padrejtësisë. S’e bëmë kurr. Ka ndodhur e kundërta.

Janë vrarë priftërinj e hoxhallarë në sy të këtij populli drejtësidashës dhe kanë zgjedhur të jenë me vrasësit;

Janë pushkatuar firmëtarët e pavarësisë e turma “drejtësikërkuese” si e sotmja, duartrokiste e marrë.

Na janë vrarë kapidanë e bajraktarë, bejlerë e agallarë nga dora e llumit tonë, e s’kemi pipëti, përkundrazi, ishim në anën e vrasësit. Si atëhere në Tetor 1945 si sot në Tetor 2025-ën.

Jo më shumë se para 35 vjetësh na janë pushkatuar e tërhequr zvarrë për së vdekuri djemt vetëm se tentuan të kalonin kufirin për ti ikur marrëzisë tonë kolektive, e nuk kemi reaguar;

Kemi parë të zvarritet, të poshtrohet, të pushkatohet i pasuri, pronari, dhe bash ne kemi shfryrë “mirë ja bënë këtij gjakpirësi”. Sepse ne nuk kemi respekt për pronën, pronarin e pasanikun. Jemi shoqëri hajdute.

Vrasja e gjykatësit Kalaja është vrasje shtetrore e paralajmëruar. Askush nuk e ka ndihmuar vrasjen dhe vrasësin sa shteti vetë. Parë nga ky këndvështrim guxoj të them se edhe vrasësi është viktimë e shtetit të vet. Konflikti dihej, acarimi i familjes Shkambi dihej, gjykatat e kishin dhënë drejtësinë në favor të pronarit. Ku është policia kriminale? Ku është shërbimi sekret? Në cilin vend të botës zgjat 10 apo 15 vjet ekzekutimi i një vendimi gjyqësor të formës prerë? “Që nga 2013-ta i kam shkruar Edi Ramës”-tha njëri prej familjes Shkambi. Çfarë e ka penguar ekzekutimin e një vendimi të formës prerë? Kjo ka nevojë për hetim, sepse mosveprimi ka prodhuar padrejtësi, e padrejtësia ka prodhuar urrejtje e mllef, që përfundoi me vrasjen makabre të gjykatësit në detyrë.

Vetëm “shtet i së drejtës” nuk mund ti themi. As shtet ligjor jo. Ky është shtet gjysmëligjor, më keq se pa shtet fare.

Të vritet gjykatësi në sallë të gjyqit duke dhënë vendimin dhe kryeministri, në vend që të japë dorëheqjen shfajësohet se “fajin e ka kodi penal” e “fajin e ka drejtësia që liron armëmbajtësit”?!!! Kjo ndodh vetëm se ai e din se, ne si shoqëri kemi ulur kurrizin, jemi dorëzuar, jo sot, kaherë.

Dikush me votë, dikush me politikë, dikush me korrupsion, dikush me vendime të padrejta, dikush me mosekzekutim të vendimeve gjyqësore, dikush me kërcënime të gjykatësve, dikush duke bërë sekserin, dikush duke shitur drejtësinë, dikush duke neglizhuar sigurinë, të gjithë nga pak e kemi vrarë Astrit Kalanë. S’ka vend për hipokrizi, aq më pak për lot krokodili. Ka nevojë për reflektim të thellë si shoqëri, për të reaguar ndaj shkakut, jo pasojës. Ndoshta kemi nevojë për një proces rilindjeje të vetëdijes kombëtare. Kështu jemi në zgrip, në rrokullisje me shpejtësi drejt humnerës.

Reforma në drejtësi ishte qëllimkeqe. Ishte kapja e saj. Ishte vrasja e saj. Dhe kjo ndodhi edhe për fajin tonë. Ju kujtohen sondazhet kur filloi reforma në drejtësi? 90% e shqiptarëve e mbështesnin “drejtësinë e re”. Pas 10 vjetësh po ky pipëll 90% bëhet me vrasësin e gjyqtarit të vetinguar!!!

Kur shteti nuk merr përgjegjësitë e tij, ngjarje si kjo nxitet të ndodhin përsëri…dhe ka gjasa të ndodhin. Jemi keq, më keq se e dimë.

Mbledhja e gjykatësve të Republikës, në vend se të deklaronte se Reforma në Drejtësi ka dështuar, u muar me mungesë policësh e ambjentesh. Po 150 mijë dosje që presin të gjykohen që nga 2016-ta kur nisi Ramaforma, kur do të gjykohen? Kjo gjendje katastrofike e drejtësisë së vonuar kam frikë se do prodhojë Shkambë të tjerë. Sepse s’e kemi ndërmend të reagojmë ndaj shkakut të vërtetë të gjendjes së krijuar, vjedhja e vullnetit të shqiptarëve nga Edi Rama dhe ulja e kurrizit nga ne.

Written by: Window.Al

Rate it