Opinion

Si u përplasën Sinan Idrizi dhe Berisha për ‘koncensionin e Shkëlzenit’.

todayAugust 30, 2025

Background
share close

SPAK bën sehir kur ‘ustallarët’ përleshen në ndarjen e plaçkës publike

Në 26 shtator të vitit 2022, ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi me një ton kërcënues biznesmenin Sinan Idrizi, pasi ky i fundit bleu godinën e shkollës së mbyllur “Mehmet Akif” në Tiranë.

“I them Sinan Idrizit mos e bëj veten në këtë mënyrë, se jam i bindur që do përgjigjesh për këtë. Mos luaj me interesa kombëtare. Nëse Turqia do të respektojë Shqipërinë si vend sovran, s’do mundet kurrë të urdhërojë mbylljen e kopshteve dhe shkollave. Ne nuk mund të lejojmë që vendimet ndaj nesh të merren në Beograd dhe Ankara. Por ky s’ka atdhe”, deklaroi Berisha.

Një ditë më pas, biznesmeni i akuzuar për kontrabandë cigaresh dhe i denoncuar për mashtrim, Sinan Idrizi, iu përgjigj Sali Berishës duke pohuar se nuk kishte burrë nëne që mund t’a kërcënonte atë.

“Kam blerë godinën në Korçë të Medresës. Kam blerë në Shkodër, në Berat, etj, informohuni. Jam duke blerë një zinxhir shkollash… Nuk ka burrë nëne të më kërcënojë mua për investimin tim. Ka gjetur njeriun e gabuar për të kërcënuar. Ta ankorojë anijen në port tjetër…”, tha Idrizi.

Po a ishte blerja e shkollës së mbyllur “Mehmet Akif” në Tiranë nga Sinan Idrizi arsyeja e vërtetë e nervozizmit të Berishës?

Në shkurt të vitit 2013, disa muaj para se të largohej nga pushteti, Sali Berisha, përmes Ridvan Bodes, i dha koncensionin markimit dhe gjurmimit të karburanteve kompanisë së maskuar në offshore GFI Albania, një shërbim me normë fitimi 39 %.

Kompania vendoste një lëndë kimike identifikuese në karburante kur ato hyjnë në Shqipëri nga importi dhe pastaj kryente analiza në pikat e karburantit për të raportuar te doganat nëse në treg ka apo jo karburant të pamarkuar, me qëllim për të kufizuar kontrabandën. Për këtë shërbim shqiptarët paguanin rreth 15 milionë euro në vit. Pagesa llogaritej në çmimin e karburantit, një shtesë 1.6 lekë/litër.

Koncensioni u denoncua si aferë korruptive nga socialistët në atë kohë në opozitë, por kur erdhën në pushtet treguan pamundësi për anulimin e koncensionit, ndoshta për shkak të arbitrazhit ose për të mos provokuar kundështatin në opozitë, duke i prerë një fije të rëndësishme korrupsioni.

Koncensioni për markimin e karburanteve konsiderohet edhe si koncensioni i Shkëlzen Berishës, djali i Sali Berishës, emri i të cilit del kudo ku lëvizin flukset e mëdha të parave; Kulla, Gërdec, CEZ, fabrika, koncensione, prona etj. Ka fakte, të cilat ngrenë dyshime të forta që njëri prej pronarëve përfitues të koncensionit, Ismail Mulleti, ishte prestanome i Shkëlzenit.

Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin rezultojnë pronarë përfitues të kompanisë GFI ALBANIA, rrjedhimisht të koncensionit deri në shkurt të vitit 2022. Pronarët ishin anonimë, me kokën e mbuluar në offshore, deri kur u miratua ligji për pronarët përfitues.

Ismail Mulleti, emri i të cilit doli në dosjet voluminoze të skandalit financiar Panama Papers, është një biznesmen kontrovers pranë Familjes Berisha, i lidhur me kompaninë Shqiponja të PD-së, me ish administrator Tritan Shehu, kompani e cila u përdor për furnizimin me naftë të Millosheviçit, duke thyer embargon e Perëndimit.

Para se të merrte koncensionin, Ismail Mulleti ka kaluar përmes dy transfertave bankare 350 mijë euro në llogaritë e Shkëlzen Berishës. Pagesa u justifikua me gjoja angazhimin e Shkëlzenit për t’i gjetur Mulletit ca toka për blerje në fshatin Rinia në Durrës, por dyshimet janë të forta se kemi të bëjmë me një tarifë të maskuar korrupsioni. Tarifa të tilla janë aplikuar edhe në raste të tjera nga djali, e bija dhe dhëndri i Sali Berishës, për shumë leje, licenca dhe koncensione që jepte qeveria Berisha.

Në shkurt të vitit 2022, në regjistrin e përfituesve fundorë të kompanisë GFI Albania, largohet Ismail Mulleti. Nuk besohet se ka qenë ndonjë lëvizje e dhimbshme pasi koncensioni ishte në përfundim, ndërsa zgjatja varej nga qeveria e Edi Ramës.

Në vend të Mulletit regjistrohet si përfituese fundore e koncensionit shtetasja turke Nerve Korkmaz, e cila ka qenë konsulle nderi e Shqipërisë në Izmir të Turqisë.

Pronarja e re e koncensionit të markimit të karburanteve Nerve Korkmaz, antare bordi në kompaninë TRK Group, shfaqet shpesh në krah të Sinan Idrizit. Thjeshtë njohja dhe ekspozimi i Nerve Korkmaz në krah të Idrizit nuk do të ishte një provë e mjaftueshme për të dalë në konkluzionin që Idrizi ishte pronari i ri faktik i kocensionit.

Por, biznesmeni shqiptar Sinan Idrizi, i njohur si partneri i përzgjedhur nga qeveria shqiptare për pronësinë e kompanisë ajrore Air Albania, u akuzua në vitin 2020 për mashtrim nga Adnan Polat, një nga biznesmenët më të famshëm turq dhe zëvendëspresident i skuadrës së futbollit Gallatasarajt, në lidhje me marrjen e një shume prej 3.2 milionë eurosh në vitin 2017 nën premtimin e blerjes së kompanisë koncesionare GFI Albania të markimit të karburanteve.

Pretendimet e Polat për mashtrim janë rrëzuar nga drejtësia turke, por plani për të blerë koncensionin e markimit të karburanteve u konfirmua edhe nga vetë Sinan Idrizi, i cili është edhe administrator i klubit të futbollit Flamurtari. Biznesmeni kontrovers shtoi se shitblerja nuk u realizua pasi mungonin paratë.

“Shitblerja nuk u realizuar për shkak të mungesës së financimit. Aksionet ndryshojnë dhe shiten sipas kërkesave të aksionerëve. Nëse në këtë mes kam mashtruar le të ndëshkohem”, tha Sinan Idrizi në vitin 2020.

Dy vjet më vonë, koncensioni kalon në duart e Nerve Korkmaz, pjesë e rrethit të Idrizit. Më i rëndësishëm se kush e mori koncensionin e markimit të karburanteve Sinani i dhëndrit të Erdoganit apo Mulleti i Shkëlzenit, është një deklaratë e Anila Denajt, në nëntor 2022, ne cilësinë e ministres së Financave.

Zonja Denaj tha se koncensioni kishte dështuar. Pra, 10 vite pasi shqiptarët kishin paguar mbi 150 milionë euro, ish ministërja deklaroi se shërbimi nuk ishte kryer.

“Komponenti i gjurmimit te karburantet mbetet i pazbatuar. Për këtë komponent jemi në proces gjyqësor më X kompani. Në planet e qeverisë shqiptare ishte edhe kryerja e gjurmimit të karburanteve, proces i cili nuk ka filluar. Kjo lidhet me gjyqin e shtetit shqiptar me një kompani edhe me ngritjen e një sistemi gjurmimi nga e para”, tha Denaj.

Kontrata koncesionare për markimin e karburanteve me kompaninë GFI Albania duhej të mbyllej në gusht të vitit 2023. Në këtë kuadër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ngriti një grup pune me ekspertë të saj dhe Doganave të Përgjithshme për zbatimin e procedurave të mbylljes së koncesionit.

Por kompania koncesionare GFI Albania bllokoi procesin e grupit të punës për mbylljen e koncesionit, me pretendimin se ende nuk kishte realizuar një element i kontratës, ai i markimit të naftës bruto.

Zyrtarisht koncesioni i markimit të karburanteve duhet të kishte përfunduar në shtator të vitit 2023. Por vitin e kaluar qeveria vendosi ta zgjasë edhe me 1 vit tjetër koncesionin, deri në shtator të vitit 2024. Mungesa e markimit të naftës bruto ndezi debate edhe në fillimet e zbatimit të kontratës koncesionare, ku grupet e interesit paralajmëruan që teknikisht procesi është i pamundur të realizohet.

Por, markimi i naftës bruto, që prodhohet në vend, edhe pse teknikisht rezulton i pamundur, parashikohej në kontratën koncesionare të miratuar nga Berisha dhe Bode. Të dyja palët duket se kishin ‘të drejtë’ në ringun e një afere korruptive.

Qeveria vendosi të shtynte koncensionin deri në shtator 2024, duke i dhënë kështu një ‘koncension të vogël’ pronarëve përfitues në letra dhe realë. Kur shtyrja u lexua si një lëvizje për të fituar kohë për pazar, në qershor 2023, ministri i Financave urdhëroi tranferimin e koncensionit në pronësi të shtetit.

Markimi dhe monitorimi i karburanteve kaloi nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ndërsa një grup me arabë dhe turqë, me ‘ustallarët’ e Tiranës pas tyre, pritet të marrin në dorë këtë shërbim, i cili deri më sot ekziston vetëm në letra.

Shërbim monopol. Ofshore. Kontratë e pazbatuar. Kontrabanda e naftës nuk është tutur. Dhjetëra milionë euro të avulluara. Po SPAK ku hyn këtu? Ndoshta është i zënë për të dënuar Fatos Tushen për herë të pestë!

Shkruan Adriatik Doçi

Written by: Window.Al

Rate it