“Nëse heq njëherë ujë në mushkëri, duhet ta heqësh gjithmonë?”
Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta kur kemi një pacient me “ujë ne mushkëri”.
Çfarë është efuzioni pleural?
Efuzioni pleural është grumbullimi jo normal i lëngut në hapësirën pleurale. Ky lëng mund të jetë:
Transudat – si pasojë e presionit të lartë të gjakut ose proteinave të ulëta në gjak (shpesh në insuficiencë kardiake ose cirozë të mëlçisë).
Eksudat – me përmbajtje më të lartë proteinash dhe qelizash, shpesh nga infeksione, kancer apo inflamacion.
Cilat janë shkaqet më të zakonshme të efuzionit pleural?
Insuficienca kardiake – zemra nuk pompon siç duhet, duke krijuar presion të lartë në enët e gjakut të mushkërive.
Infeksionet – pneumonia, tuberkulozi, empiema pleurale.
Kanceri – kanceri i mushkërive, metastazat, kanceri i pleurës (mesothelioma).
Sëmundjet inflamatore – si artriti reumatoid, lupus eritematoz sistemik.
Ciroza hepatike – për shkak të hipoalbuminemisë dhe presionit portal.
Embolia pulmonare – mpiksje gjaku që bllokon qarkullimin në mushkëri etj
💉 Çfarë është punksioni pleural?
Punksioni pleural është një procedurë ku, me një gjilpërë të hollë, mjeku futet në hapësirën pleurale për të nxjerrë lëngun e tepërt.
Kjo procedurë mund të jetë:
Diagnostike – për të analizuar lëngun dhe për të kuptuar shkakun.
Terapeutike – për të lehtësuar simptomat, sidomos në pacientët me dispne (vështirësi në frymëmarrje).
Proçedura e punksionit pleural nuk krijon varësi. Ai nuk e shkakton vetë rikthimin e lëngut.
Kujdes!
Rikthimi ndodh vetëm nëse sëmundja që e shkakton nuk është trajtuar (p.sh. zemra, infeksioni, tumori).
Kur zgjidhet shkaku i grumbullimit te likidit,likidi nuk kthehet më.
Sokol Papa




