Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Politikë

Ç’thuret nisma thurje!

todayJuly 24, 2025 2

Background
share close

“Burri lidhet për fjalë, jo për konop” – Kur fjala bie, bien edhe themelet e shpresës

Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit rreth mandatit të vetëm të përfaqësuar nga “Nisma Shqipëria Bëhet”, ndjej të detyrueshme të artikuloj publikisht indinjatën time të thellë dhe mosdakordësinë absolute me mënyrën sesi rrjedhën ngjarjet.

Unë vij nga një tokë ku fjala e dhënë është më e shenjtë se çdo ligj. Ku besa është kod, jo retorikë. Dhe për ne që e dimë çfarë do të thotë të mbash fjalën, të shohësh si ajo përdhosen e shkelen kaq lehtë përballë një posti të vetëm, është plagë që nuk kalon lehtë.

Sot, nuk po flas thjesht si anëtare apo si përfaqësuese e një force politike të re, por si qytetare që ka ndërtuar çdo hap të angazhimit të vet politik mbi fjalën, jo mbi pazaret. Kam rendur pas idealeve, jo pas postit. Kam besuar se një mandat nuk është një trofe personal, por një përgjegjësi publike që i përket njerëzve që të kanë dhënë besimin.

Dhe ja ku jemi. Me një vendim të vetëm, me një status të lehtë në rrjet, u zhgënjeva thellë. Jo nga të vjetrit e politikës – prej tyre e dimë çfarë presim – por nga të rinjtë që premtonin ndryshim, por që, për një karrige më shumë, harruan rrënjët prej nga kishim nisur. Janë pikërisht këta, që më tronditën më shumë se 30 vjet politikë e konsumuar. Sepse kur pret dritë dhe merr errësirë, dhemb më shumë.

Ky nuk ishte vetëm një dështim i një marrëveshjeje politike apo një keqkuptim brenda një koalicioni. Ky ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vetë konceptit të shpresës që përfaqësonin forcat e reja politike. Një precedent i rrezikshëm që i vë minën çdo nisme tjetër që nesër mund të kërkojë të ngrihet ndryshe. Sepse kur sheh që fjala thyhet, e besimi tradhtohet, edhe të tjerët hezitojnë të nisin rrugën.

Unë dhe të tjerë kemi sakrifikuar me bindjen se mandati duhej të pasqyronte vullnetin e votuesve – që të zbriste sipas radhës në listën e hapur. Dhe ndodhi e kundërta. Jo vetëm që nuk u respektua kjo radhë, por mënyra si ndodhi ishte e turpshme dhe përçmuese për çdo ideal që kemi ngritur së bashku.

Për këtë arsye, unë sot e deklaroj qartë: nuk jam më e angazhuar politikisht me “Nismën Thurje”. Ama, angazhimi im qytetar nuk mbaron. Do jem një elektron i lirë, në hapësirën time të vogël, duke punuar për atë që ka më shumë rëndësi për mua – për Mirditën time, për Shqipërinë time.

Në Këshillin Bashkiak, do të vijoj të ushtroj mandatin tim si e pavarur – siç kam qenë gjithmonë në të vërtetë. Nuk kam për t’i shërbyer partive, individëve apo aleancave të përkohshme që sakrifikojnë parimet për interesa të vogla. I vetmi krah që njoh është ai i njerëzve të mi.

Sepse unë nuk bëj politikë me lojëra fjalësh. Unë e mbaj fjalën. Dhe burri, thotë populli ynë, lidhet për fjalë – jo për konop.

Ky reagim nuk është një tërheqje, por një qëndrim. Një kujtesë që ideali nuk është një flamur për t’u valëvitur vetëm në fushata, por një barrë për t’u mbajtur çdo ditë.

Shkruan Rigerta Loku Tushaj

Written by: WindowRadio.de

Rate it