Fushata antituristike po afron:
Shqipëria është në shënjestrën e shqiptarëve që e urrejnë:
Edhe pak ditë dhe do të fillojë sezoni më i shëmtuar i politikës shqiptare:
Ai i baltosjes dhe sabotimit të Shqipërisë nga vetë ata që pretendojnë se e duan.
Si çdo vit, sapo plazhet të mbushen dhe rrugët e qyteteve të gjallërohen nga mijëra turistë, do të hapet fushata e ndyrë anti-shqiptare me shezllonë bosh, me foto të plazheve në agim, me statuse që fryjnë gënjeshtrën dhe me portale të paguara që përçojnë urrejtjen.
Nuk është luftë ndaj qeverisë.
Jo! Kjo është një luftë e deklaruar kundër shqiptarëve.
Kundër turizmit, kundër ekonomisë lokale, kundër sipërmarrësve, kundër punëtorëve sezonalë, kundër çdo qytetari që jeton me shpresë, me mund dhe me ndershmëri.
Dhe në krye të kësaj fushate nuk është as Serbia, as Rusia, as ndonjë grup lobistësh të huaj, por vetë një grusht shqiptarësh që nuk e pranojnë dot suksesin e vendit të tyre kur nuk janë ata në pushtet.
Kjo nuk është politikë opozitare.
Kjo është një urrejtje e pastër, një akt sabotazhi i qëllimshëm dhe një mentalitet armiqësor ndaj vetë kombit.
“E keqja Shqipërisë i vjen nga vetë shqiptarët”
Kjo thënie që dikur e thoshim me dhimbje, sot është kthyer në realitet të dokumentuar.
Dhe shembulli më i qartë i kësaj të keqe është mënyra se si, vit pas viti, Sali Berisha dhe oborri i tij dixhital e shpallin Shqipërinë si vend të braktisur, si dështim, si tmerr turistik – vetëm e vetëm për të goditur qeverinë.
Por në këtë përpjekje për të rrëzuar Edi Ramën, ata godasin fëmijët tanë, bizneset tona, imazhin tonë kombëtar.
Dhe ironia më e madhe është se kjo urrejtje zë kulmin pikërisht kur vendi përjeton një nga sukseset më të mëdha të dekadave të fundit:
Turizmin.
Shqipëria sot është e renditur në të gjitha listat prestigjioze si destinacioni më i kërkuar për vitin 2025.
New York Times, CNN, Forbes, The Guardian, Die Welt, National Geographic – të gjitha e përmendin Shqipërinë si “perlën e pazbuluar të Mesdheut”, si një histori suksesi që mahnit botën.
Dhe pikërisht në këtë moment vjen mllefi i verbër, ai i zakonshmi, që vjen nga ata që, në vend që ta gëzojnë këtë sukses, përpiqen ta shpifin, ta shkatërrojnë.
Skizofrenia dixhitale dhe shezllonët e agimit:
Ndërkohë që turistët flenë pas një nate festive, militantët e opozitës zgjohen në 5 të mëngjesit për të fotografuar plazhe bosh.
Ata i dërgojnë “doktorit dixhital” foto me mesazhe të neveritshme:
“O lexhendë, postoje këtë foto nga Shëngjini se paska shumë pak turistë.
Bota i paska bojkotuar plazhet e Edi Ramës.
Përzemërsisht me ty deri në vdekje, Hajdar Palla, Peshkopi.
”
Ky nuk është më aktivizëm.
Ky është dëshpërim klinik, është verbëri mendore, është patologji politike.
Kjo është forma më e rëndë e autoshkatërrimit kombëtar, ku urrejtja ndaj kundërshtarit kthehet në urrejtje ndaj vendit.
Rinumërimi i votave:
Vetëgoditje fatale:
Ndërkohë, opozita ka hyrë në një cikël vetëvrasës politik.
Hapja e kutive dhe rinumërimi i votave po nxjerr zbuluar të vërtetën që të gjithë e dinim:
Bandat e pozitës nuk kanë vjedhur vetëm votat e kundërshtarëve, por opozita paska vjedh edhe të vetat.
Ata janë hajdutë brenda vetes.
Kauza për “vjedhjen e madhe” është shndërruar në autogol tragjik, ku e vetmja gjë që vërtetohet është se nuk kanë më as organizim, as etikë, as fuqi morale për të kërkuar ndëshkimin e askujt.
Pasi dështuan me kërkesat absurde që SHBA dhe BE të shpallin fshatarët shqiptarë si “organizatë kriminale ndërkombëtare” sepse kultivojnë hashash në male, opozita kërkon një kauzë të re për të mbijetuar.
Dhe ashtu si çdo korrik, do të kthehen te “kauza” më e poshtër që kanë:
Lufta kundër Shqipërisë turistike.
Sabotimi i ekonomisë së vogël:
Ajo që bën opozita nuk prek qeverinë, por shkatërron ekonominë reale të shqiptarëve.
Sepse:
• Nuk goditet asnjë ministër kur publikohen foto të shezllonëve bosh – goditet pronari i lokalit që ka marrë kredi.
• Nuk goditet as kryeministri – por kamarieri që pret bakshishin e një turisti për të marrë bukën e ditës.
• Nuk rrëzohet asnjë pushtet – rrëzohet morali i atij që ka ndërtuar një hotel me mund.
• Nuk dëmtohet asnjë burokrat – dëmtohet shitësi i bukës, i ujit, i birrës, i vajit, i sapunit.
Në këtë fushatë kundër turizmit, këta njerëz janë të vetmuar.
As Serbia, as Greqia, as Rusia nuk bëjnë atë që bën opozita shqiptare kundër vendit të vet.
Të gjithë fqinjët tanë janë të interesuar të tërheqin sa më shumë vizitorë – vetëm një pjesë e politikës shqiptare është e gatshme të vjellë vrer ndaj Shqipërisë sa herë që ajo lulëzon.
Në vend të përfundimit:
Urrejtja si strategji politike
Çfarë opozite është kjo që urrejtjen ndaj kundërshtarit e ushqen duke mallkuar vendin e vet?
Çfarë lideri është ky që do të mbijetojë politikisht vetëm nëse shkatërrohet turizmi, vetëm nëse prishen pushimet e shqiptarëve, vetëm nëse lajmet për vendin të jenë të zeza, të turpshme dhe të rreme?
Këta njerëz nuk duan të fitojnë zgjedhje.
Ata duan që Shqipëria të humbasë gjithçka që fiton, sa herë që s’janë ata në pushtet.
Për ta, më mirë Shqipëri e rrënuar sesa Shqipëri që i buzëqesh botes.Më mirë popull i frustruar sesa një shoqëri e qetë dhe prosperuese. Më mirë plazh bosh në korrik sesa qytetarë që ndihen mirë në vendin e tyre.
Duroni dhe pak.
Fushata antishqiptare me shezllonë bosh po afron.
Do të jetë si gjithmonë:
Banale, patetike, por e dëmshme.
Dhe si gjithmonë:
E organizuar nga shqiptarë që nuk e duan Shqipërinë – sepse populli nuk i do ata.




