A mund të përkufizohet arti me një fjali, një ide, një përmasë? Çdo përpjekje për ta shpjeguar atë e zbërthen vetëm pjesërisht misterin e tij, ndërsa çdonjëri që e jeton, e krijon apo thjesht e përjeton artin, ngjiz për të një kuptim të vetin. Arti nuk është vetëm pasqyrë e realitetit, por shpesh refuzimi i tij, kapërcimi i tij, oazi ku shpirti kërkon kuptim dhe frymë. Ai nuk është vetëm produkt i duarve, por i vizionit, dhimbjes, mirënjohjes, vetmisë apo dritës që artisti bart brenda vetes.
Në këtë mozaik përkufizimesh, ne nuk ofrojmë një përgjigje të vetme, por një peizazh të larmishëm mendimesh nga disa prej shpirtërave më të mëdhenj që kanë jetuar për dhe përmes artit. Nga Aristoteli te Van Gogh, nga Picasso te Bukowski, nga Nietzsche te Chagall, këta zëra nuk flasin vetëm për artin, por për qenien njerëzore — atë që thërret, ëndërron dhe shpërthen përtej kufijve të përditshmërisë.
“Qëllimi i artit nuk është të përfaqësojë pamjen e jashtme të gjërave, por rëndësinë e tyre të brendshme.” — Aristoteli
Çfarë është ajo thelbësore që artisti sheh? Ndoshta, siç thotë Paul Klee, “Një sy sheh, tjetri ndjen.” Arti shkon përtej retinës së syrit — ai sheh me shpirt.
“Art! Kush e kupton atë? Me kë mund të konsultohet për këtë perëndeshë të madhe?”
Ludwig van Beethoven
Pyetja e tij nuk kërkon përgjigje, por pranimin e misterit që arti bart. Dhe misteri nuk shpjegohet — ai jetohet.
“Qëllimi i artit është të lajë pluhurin e jetës së përditshme nga shpirti ynë.”
Pablo Picasso
Në një botë që rëndon, arti është zbulesë dhe lehtësim. Ai na kujton se kemi shpirt, siç pohon edhe Stella Adler: “Jeta rreh dhe shtyp shpirtin dhe arti të kujton se ke një të tillë.”
“Kjo botë nuk është veçse një kanavacë për imagjinatën tonë.”
Henry David Thoreau
Arti nuk është imitimi i realitetit, por shpikja e tij. Siç thotë Marc Chagall, “Arti i madh fillon aty ku përfundon natyra.”
“Nëse dëgjoni një zë brenda jush që thotë ‘nuk mund të pikturosh’, atëherë pikturo gjithsesi dhe ai zë do të shuhet.”
Vincent van Gogh
Arti është akt rebelimi ndaj dyshimit. Dhe është në këtë guxim që lëvrohet shpirti krijues.
“Vizioni është arti për të parë atë që është e padukshme për të tjerët.”
Jonathan Swift
Arti nuk është për të parë të dukshmen, por për të zbuluar të fshehtën. “Çdo artist zhyt penelin e tij në shpirtin e tij dhe pikturon natyrën e tij në pikturat e tij.”
Henry Ward Beecher
“Vepra e vërtetë e artit nuk është veçse një hije e përsosmërisë hyjnore.”
Michelangelo
Në art gërshetohet hyjnorja me tokësoren, ideali me dhimbjen, e paprekshmja me brushën. Prandaj Nietzsche do të thotë: “Thelbi i gjithë artit të bukur, i gjithë artit të madh, është mirënjohja.”
“Pa traditë, arti është një tufë delesh pa bari. Pa risi, është një kufomë.”
Winston Churchill
Balanca ndërmjet rrënjës dhe shpikjes është sfida e çdo artisti që kërkon të jetojë përtej përkohshmërisë.
“Një intelektual thotë një gjë të thjeshtë në mënyrë të vështirë. Një artist thotë një gjë të vështirë në një mënyrë të thjeshtë.”
Charles Bukowski
“Arti nuk është një studim i realitetit pozitiv, ai është kërkimi i së vërtetës ideale.”
John Ruskin
“Madhështia e artit nuk është të gjesh atë që është e zakonshme, por ajo që është unike.”
Isaac Bashevis Singer
“Vetëm përmes artit mund të dalim nga vetja dhe të dimë se çfarë sheh një person tjetër.”
Marcel Proust
“Arti është mjalti i ruajtur i shpirtit njerëzor, i mbledhur mbi krahët e mjerimit dhe mundimit.”
Theodore Dreiser
“Arti është dora e djathtë e Natyrës. Ky i fundit na ka dhënë vetëm qenie, i pari na ka bërë burra.”
Friedrich Schiller
“Një vepër arti është mbi të gjitha një aventurë e mendjes.”
Eugène Ionesco
“Thirrja e artistit është të dërgojë dritë në zemrën e njeriut.”
George Sand
“Arti i mirë është arti që të lejon të futesh në të nga këndvështrime të ndryshme dhe të dalësh me një shumëllojshmëri pamjesh.”
Mary Schmich
“Kaq i gjerë është arti, aq i ngushtë mendja njerëzore.”
Alexander Pope
“Arti i madh është një moment i kredhur në përjetësi.”
James Huneker
“Artistët nuk bëjnë objekte. Artistët bëjnë mitologji.”
Anish Kapoor
“Një vepër arti nuk ka asnjë rëndësi për shoqërinë. Është e rëndësishme vetëm për individin.”
Vladimir Nabokov
“Asnjë artist i madh nuk i sheh gjërat ashtu siç janë në të vërtetë. Nëse do ta bënte, ai do të pushonte së qeni artist.”
Oscar Wilde
“Pa art, vrazhdësia e realitetit do ta bënte botën të padurueshme.”
George Bernard Shaw
Ky është arti siç e shohin ata që e krijojnë, e vuajnë, e adhurojnë dhe e jetojnë. Një gjuhë që flet përtej fjalëve, një mënyrë për të prekur të paprekshmen, për të shëruar të pathënën, për të shpëtuar nga heshtja. Dhe ndoshta, mbi të gjitha, për të qenë, plotësisht dhe thellësisht, njerëzor.
Përgatiti: Albert Vataj




