Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Histori
todayMay 13, 2026 5
Ndërsa forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave po depërtonin në fshatin Qyshk të Pejës në orët e hershme të 14 majit 1999, shumica e burrave të fshatit ia dolën të iknin në kodrat e afërme. Gjatë depërtimit, këto forca nëpër pjesë të ndryshme të fshatit i vranë 12 burra. Mes të vrarëve ishte Qaush Lushi, 50 vjeçar, i cili u ofroi para pjesëtarëve të forcave sërbe-jugosllave për ta shpëtuar të birin 20 vjeçar, Arian Lushin. Megjithatë, pasi ia morën paratë, ata ia ekzekutuan të birin, kurse Qaushin edhe e prenë në fyt.Pjesën e mbetur të popullatës e grumbulluan në qendër të fshatit dhe i ndanë gratë, fëmijët dhe pleqtë prej burrave që nuk kishin arritë të iknin. Fshatarëve të tubuar ua morën paratë, arin dhe sendet e tjera me vlerë, si dhe ua shkatërruan dokumentet e identifikimit. Sipas dëshmitarëve, burrat e kapur i ndanë në tri grupe dhe i futën në tri shtëpi të ndryshme, ku i ekzekutuan, për t’ua vënë më pas zjarrin shtëpive.Sidoqoftë, në secilën nga tri shtëpitë shpëtoi gjallë nga një person.Në grupin e parë prej 12 burrave, që i futën në shtëpinë e Azem Gashit, shpëtoi Isa Gashi, i cili në dëshminë e dhënë pas luftës thotë: «Njani na tha që duhet me pyetë komandantin e vet çka me ba me ne. Kur foli me radio-lidhje, ai i tha: ‘Vrajini krejt përnjiherë’. Nji ushtar që ish te dera, nisi me na gjujtë me automatik M-48, e mue më plagosi në kambë të majtë. Atëherë unë u rrëzova, e përsipër më ranë të dekun Ibër Kelmendi me vëllaun tem Halim Gashin. Qai ushtari, para se me na gjujtë, bërtiti: ‘Në emën të Sërbisë!’ Atëherë, krejt ushtarët nisën me gjujtë nëpër dhomë. Mbasandej, ia vunë flakën shpisë edhe u nisën m’u tërhjekë. Unë u zhagita përfundi trupave edhe kuptova që kurrkush tjetër prej grupit tem nuk ish ma gjallë».Grupin e dytë prej nëntë burrave, pjesëtarët e forcave sërbe-jugosllave e futën në shtëpinë e Demë Gashit, ku shpëtoi vetëm Rexhë Kelmendi. Kjo sepse një pjesëtar i forcave ia hodhi shkrepsën para këmbëve dhe e urdhëroi ta merrte për t’ua vënë flakën perdeve, e kur Kelmendi u përkul, ai zbrazi një breshëri mbi burrat e tubuar në dhomë. Kelmendi arriti më vonë të ikte në dhomën tjetër dhe të dilte nga dritarja.Grupin e tretë prej 10 burrave e tubuan në shtëpinë e Sahit Gashit. Mbasi i urdhëruan të uleshin në dysheme, nisën të shtinin mbi ta, e në fund i dogjën trupat e të vrarëve. Hazir Berisha, i mbijetuari i këtij grupi, për hulumtuesit e Fondit për të Drejtën Humanitare deklaroi: «Gjujshin hiç pa ndalë. Ai që na gjujke ish i gjatë e me ftyrë të lyeme. Mbasi më rroku, e pashë që mori nji plaf edhe e kalli. Mbasandej, e mori nji syngjer të madh, na e qiti përsipër edhe ia futi flakën».Gazetarët amerikanë Michael Montgomery dhe Stephen Smith, për hulumtimin e titulluar ‘Masakra e Qyshkut’, intervistuan 11 pjesëtarë të forcave sërbe-jugosllave, disa prej të cilëve kishin qenë të përfshirë në masakrën e Qyshkut. Njëri prej të intervistuarve, 20 e pak vjeçar, me pseudonimin Miodrag, thotë:«Në Qyshk, u nisa drejt një shtëpie me një shok, V-në. Aty u bëmë bashkë edhe me një tjetër, K-në. Hymë në shtëpi. Brenda ishte një plak shqiptar. Ishte krejt vetëm, duke thithë llullë. Filluam ta kontrollonim shtëpinë, por V. iu kthye plakut. Plaku u bë sikur nuk po kuptonte sërbisht. Kuptohet, V. nisi të tallej me plakun e ta kërcënonte, dhe tipi u shtang krejt. V. vazhdoi ta provokonte, derisa plaku i tha, në sërbisht: ‘Lehtë e ke ti, se je i armatosur, e unë nuk jam.’ Prandaj, V. nxori një thikë dhe e gjujti plakun. E rroku në shpatull. V. i tha: ‘Tash je i barabartë, tash je i armatosur’. Mandej mbaroi punë me plakun. E qëlloi në kokë».Një tjetër i intervistuar, 30 e pak vjeçar, me pseudonimin Vaso, që kishte shërby në njësinë speciale taktike të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe kishte marrë pjesë në masakrën e Qyshkut, mes të tjerash thotë:«Tash e pyes veten: A duhej të isha atje? A kisha qenë i çmendur? Po të dija çka di sot, ndoshta nuk do të kisha shkuar. Përsëri, kur përjeton trauma të rënda, është e vështirë t’i kuptosh gjërat. Unë eci rrugëve, vetëm. Eci gjithë ditën veç duke menduar. Ndonjëherë më duket se kisha të drejtë që shkova për të luftuar, e herë të tjera ndjej se kam gabuar. Pamjet e të gjitha atyre gjërave ende i kam në mend. Ende i shoh ata njerëz të pafajshëm duke vdekë. Shoh një luftëtar duke e vra një grua në sy të burrit dhe të fëmijës së vet. Është diçka që nuk do ta harroj kurrë… Ata njerëz duhet të ndëshkohen».Pas largimit të forcave sërbe-jugosllave nga Qyshku, fshatarët hynë në shtëpitë ku ishin ekzekutuar tri grupet e burrave, i mblodhën trupat që ende ishin duke u djegë dhe i fshehën. Tri ditë më vonë i varrosën në një varr masiv në qendër të fshatit, bashkë me trupat e të vrarëve të tjerë nëpër fshat.Ajshe Kelmendi nga Qyshku, e cila në masakër kishte humbë bashkëshortin dhe djalin, në dëshminë e dhënë në Gjykatën Speciale të Beogradit në shkurt 2012 kundër pjesëtarëve të Skuadrës së Ndërhyrjes 177 të Ushtrisë së Jugosllavisë, thotë:«Na shtinë m’i gjujtë në tokë krejt çka kishim – dokumentet, paret, arin – e m’i qitë duert mbrapa kresë. Na ndanë në dy rreshta, njanin me gra e fëmijë, tjetrin me burra… Neve grave na çuen n’oborrin e njanës prej shpive, e burrat i futën nëpër dhoma. Krejt i pushkatuen prej mbrapa shpine, mbasandej i kallën shpitë me gjithë xhenaze».Të njëjtën ditë, sapo u larguan prej Qyshkut, forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave vazhduan për në fshatrat fqinje Pavlan e Zahaq.Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, më 14 maj 1999, në në fshatrat e Pejës: Qyshk, Pavlan e Zahaq, forcat sërbe-jugosllave kanë vra gjithsej 75 persona: 72 meshkuj e 3 femra; 74 shqiptarë e 1 rom; 0 nën 18-vjeçarë, ndërsa 2 mbi 65-vjeçarë. Prej 72 të vrarëve, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 3 figurojnë të regjistruar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura përkatësisht ushtarë.Sqarim: Lista e të dhënave për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nën udhëheqjen e zonjës Nataša Kandić, është një burim i etabluar referencial. Megjithatë, për disa masakra, kjo listë përmban pasaktësi ose kategorizime të kontestueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas dokumentit metodologjik të hartuar nga ekspertë të angazhuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, statusi i viktimës në listë – civil apo anëtar i një formacioni të armatosur përkatësisht ushtar – i referohet statusit në momentin e vdekjes ose zhdukjes, e jo ndonjë statusi të mëparshëm. Prandaj, në rastet kur persona të masakruar figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përkatësisht si ushtarë, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur, të pauniformuar dhe nuk kishin bërë rezistencë, një kategorizim i tillë duhet marrë me rezervë.Më 2014, Gjykata Speciale në Beograd dënoi nëntë pjesëtarë të Skuadrës së Ndërhyrjes 177 të Ushtrisë së Jugosllavisë për vrasjen e më se 100 shqiptarëve të Kosovës në pranverë të vitit 1999 në katër fshatra të Pejës: Lubeniq, Qyshk, Pavlan e Zahaq.Ish-komandanti i Ushtrisë së Jugosllavisë, Toplica Miladinović, u dënua me 20 vjet burg për urdhërimin e komandantit të Skuadrës, Nebojša Minić, që t’i sulmonte fshatrat Lubeniq, Pavlan, Zahaq dhe Qyshk të Pejës. Të dënuarit e tjerë janë: Dejan Bulatović dhe Milojko Nikolić me nga 20 vjet, Ranko Momić me 15 vjet, Abdulah Sokić me 12 vjet, Srećko Popović me 10 vjet, Siniša Mišić me 5 vjet, si dhe Slaviša Kastratović dhe Boban Bogićević me nga 2 vjet. Ndërsa, Radoslav Brnović dhe Veljko Korićanin u liruan.Megjithatë, vetëm pas një viti, Gjykata e Apelit në Beograd e anuloi vendimin e mësipërm, duke e cilësuar ‘të paqartë dhe kontradiktor’ dhe duke e dërguar rastin në rigjykim. Rigjykimi po shoqërohet me vonesa e shtyrje të shpeshta të seancave dhe po vazhdon ende (2023).
© Fred AbrahamsVarrimi i të masakruarve në Qyshk.
Written by: administratori
tragjike