Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Rajon
todayMay 12, 2026 5
Tragjedia e Kumanovës është akt i dhimbshëm për shqiptarët kudo që janë. Faktori politik shqiptar në Maqedoni si dhe autoritetet e Kosovës, brenda këtyre 11 vjetëve nuk kanë bërë asgjë për t’u ndihmuar viktimave të tragjedisë së lartpërmendur. Bashkimi Demokratik për Integrim, derisa ishte në qeveri, lidhur me të dënuarit e Lagjes së Trimave nuk ndërmori asgjë. Vleni hyri në qeverinë e Mickovskit, pa arritur një marrëveshje për të dënuarit e Kumanovës. Sjellja e BDI-së dhe e Vlenit është e turpshme dhe e pafalshme. Injorimi dhe shpërfillja e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës nga organet dhe nga institucionet e Kosovës, është akt i turpshëm dhe i pakuptueshëm.Pjesëtarët e grupit të Kumanovës janë dënuar me dënime drakonike. Dënime të tilla nuk janë shqiptuar pas luftës së dytë Botërore në asnjë vend të Evropës. Me të tilla dënime Maqedonia e Veriut nuk meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Faktori politik shqiptar tha dikur se lidhur me rastin e Kumanovës do t’i angazhojmë edhe ekspertët ndërkombëtarë. Nga kjo që u tha, nuk doli asgjë, kurrfarë angazhimi. Është për t’u habitur se si për dënimet drakonike ndaj shqiptarëve të Lagjes së Trimave nuk reagojnë as institucionet e BE-së.
Le të lihet mënjanë ana politike apo ideologjike e çështjes. Le të analizohet ana juridike. Cili është ai hetues apo ai gjyqtar që mund të konstatojë me saktësi se kush ka gjuajtur, kush ka qëlluar, kush ka vrarë, sa ka vrarë, cilin ka vrarë, cilin ka plagosur etj. – gjatë të shtënave midis dy palëve?!Pyetësorët tregojnë se gjyqësisë në Maqedoninë e Veriut i besojnë jo më shumë se 2% e të anketuarve. Maqedonia e Veriut është një prej shteteve më të korruptuara në botë. Nga dënimet drakonike ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës mund të konstatojmë se në Maqedoni nuk kemi të bëjmë vetëm me gjyqësi antishqiptare. Kundër shqiptarëve është edhe politika dhe ideologjia e këtij vendi.
A e di gjyqësia e këtij shteti se të dënuarit e grupit të Kumanovës kanë: prindër, nëna dhe etër të moshuar, kanë bashkëshorte, kanë fëmijë të vegjël, fëmijë që rriten pa baballarë, kanë gjyshër, gjyshër në ditët e fundit të jetës së tyre, kanë motra e vëllezër, kanë nipa e mbesa, kanë shokë, miq, kolegë. Dënimi i tyre paraqet dënim për familjet e tyre, për anëtarët e familjeve të tyre. Çdo gjykatë në vendet demokratike e posedon edhe anën humane të aktgjykimit. Maqedonia është vend evropian dhe jo i ndonjë kontinenti ku figurojnë shtete me vlera demokratike të kufizuara apo të reduktuara. Evropa e Dekartit, e Volterit, e Rusoit, e Gëtes, e Kantit, e Dostojevskit, e Zolës, e Kafkës, e Hajdegerit, e Beketit, e Sartrit, e Kamysë – e hoqi dënimin me vdekje. Shteti nuk guxon të vrasë, të ekzekutojë, të varë.Ku është Avokati i Popullit, ku është Komiteti i Helsinkit, ku janë shoqatat humanitare, të vendit dhe ato ndërkombëtare?! Ku janë shoqatat që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut?! Mos vallë janë bërë vegla, mjete dhe instrumente të verbra të shtetit, të pushtetarëve, të qeveritarëve?! Mos vallë janë bërë mercenarë dhe shërbëtorë të pushtetit?! Drejtësia nuk mbrohet me pseudo-avokatë, me avokatë injorantë dhe gjysmë-analfabetë!
Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë nga organet kompetente të këtij vendi të bëjnë rishqyrtimin e procesit gjyqësor të të dënuarve të rastit të Kumanovës. Faktori politik shqiptar nuk duhet të hyjë në qeveri pa e zgjidhur tragjedinë e Kumanovës. Nuk është e arsyeshme që ministrat shqiptarë të akomodohen nëpër kolltukët e pushtetit, kurse shqiptarët, në Evropën e qindvjeçarit XXI të vuajnë dënime të përjetshme. S’ka dyshim se çdo njeriu racional i vjen keq për humbjen e jetëve të çdo personi, përfshi edhe vrasjen e 8 policëve të policisë së shtetit.Do të ishte e arsyeshme që autoritetet e Kosovës dhe këto të Maqedonisë së Veriut të ulen e të bisedojnë që të gjithë të dënuarit e Republikës së Kosovës të transferohen sa më parë në Kosovë në mënyrë që dënimin ta vuajnë në vendin e tyre. Një hap i tillë duhet bërë edhe për arsye praktike. Anëtarët e familjeve të të dënuarve më lehtë do të mund t’i vizitonin të afërmit e tyre.
Po qe se për rastin e Kumanovës autoritetet e Maqedonisë së veriut nuk ndërmarrin ndonjë veprim human ndaj të dënuarve me dënime mesjetare, atëherë del se ky proces qenka politik dhe jo juridik.Mbajtja e shqiptarëve nëpër burgje famëkëqija sllave nuk u ndihmon marrëdhënieve ndëretnike. Pushtetarët sllavë duhet ta dinë se s’ka shqiptarë në botë që e ka dënuar publikisht aktin e tyre. Rrjedhimisht del se për shqiptarët ata nuk janë terroristë. Dërgimi i tyre në Kosovë do të ndihmonte në konsolidimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.Historia e shqiptarëve në Maqedoni nuk fillon dhe nuk mbaron, as me BDI-së, as me Vlenin.
Xhelal ZejneliFoto: radiokosovaelirë.com
Written by: administratori
tragjike