Art/Kulturë

Sa puthje asht trupi jot?!

todayMay 11, 2026 3

Background
share close

T’mbulova me puthje,
si hana përskuqjen tande e ndrojtjen teme,
si rrezja e mrekullimit,
qi t’veshi me polen, e prehja t’stolisi me hir.

N’ty andja ka bulue kandje e ofshamë,
si sythat kur çil n’nji degë shiu,
në t’përmallshmet gajle t’pranverimit,
e prush n’syt e etun qiellin qi dënes.

Trokthi i eshkun i prekjeve n’kopulim,
t’përvloi n’bulza prekjesh,
në çdo shkulm fryme shtërzye,
si tue dasht me t’ndez, kur yjet fiken.

T’prusha n’puthje e amëlcim,
dëshirim dalldisës
e këndelljeje hutimi,
shkulm drite, kumt frume e drithërimi,
tu lyp me i ba vend qielli, nji rrezeje n’ty.

Dorzan mu lshue,
e andshmja kredhja jote,
fli i’u bame shejtnis, njat dekik naltimi,
hyjit qi na mëkon afsh e shpuzë,
me u ep e bash fort me u dasht.

Krahë t’bardh m’dha fryma jote,
ndër andrra me u lshue fluturim
n’pulitjet val hov, e shitue,
me sos e tret, kah epen rrufet n’shgjetim.

T’piva me puthjen e prushjen,
e andjen e andërrt t’dëshirimit,
e kurrqysh s’mujta etjen me e prajt,
edin qi m’kall, e m’trand.

T’përshkova me puthje e hukam,
krejtkund kurmin jot mrazej gac,
e… n’buzt e tuja u thërmova
tue mos mujt me i numrue
sa puthje asht trupi jot,
prej t’amlës andje harlisjeje
deri kur epshi t’shndrron n’yll.

Albert Vataj

Written by: administratori

Rate it