PËR TIRANËN ZYRTARE, KOHA
KËRKON QË KOSOVA TË JETË E PARA!
-E pafalshme për Prishtinën politike: as katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve nuk kanë mjaftuar që të formohen institucionet e reja të Kosovës –
Në Kosovë po ndodh ajo që dikur as nuk imagjinohej. Janë mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe as sot më 29 maj, institucionet që duhet të dalin nga ato zgjedhje ende nuk janë funksionalizuar, duke filluar nga Kuvendi i Kosovës. Pra, katër muaj pas zgjedhjeve, Kosova ende nuk ka asnjë institucion të ri. Deputetët janë mbledhur mbi 20 herë, por këto mbledhje nuk kanë mjaftuar që të formalizohet Kuvendi dhe të zgjidhen drejtuesit e tij!Kjo situatë ka shqetësuar edhe faktorët ndërkombëtarë, të cilët, herë pas here, i kanë bërë thirrje politikës kosovare që t’u japin fund këtyre zvarritjeve. I fundit në radhë ishte ambasadori i BE-së në Kosovë, i cili të mërkurën u kerkoj vendimmarrësve politikë që të kthehen në dialog e bashkëpunim, dhe të krijojnë institucionet që burojnë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.Edhe për shtete të mirëkonsoliduara si Italia, Franca apo Gjermania do të ishte e papranueshme që të zvarritej për katër muaj formimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet, e jo më për Kosovën, që dihet sa e brishtë është si shtet dhe sa shumë ka nevojë për forcim institucional — po aq sa ka nevojë për ajër dhe dritën e diellit! Kujt i shërben kjo politikë aventuriste në Kosovë? Më qartë: ku po e çoni Kosovën, z. Albin Kurti dhe drejtues të tjerë të forcave politike kryesore? Si ka mundësi që ju janë errësuar sytë deri në atë masë, sa të mos shihni zhvillimet politike tejet dinamike në botë — zhvillime që ndryshojnë nga ora në orë dhe që nuk përjashtojnë as të papritura, nga të cilat asnjë shtet nuk është imun? Si ka mundësi ky naivitet i shkallës më të lartë, sa që, në kontekstin e këtyre zhvillimeve të shpejta, në Kosovë askujt nuk i shkon mendja se mund të përballet me ndonjë lajm të papritur dhe të padëshiruar? Kjo është e papranueshme. Është skandaloze sjellja e klasës politike në Kosovë — katër muaj zvarritje për formalizimin e institucioneve të reja që burojnë nga vullneti i popullit! Por, po aq i papranueshem është edhe qëndrimi pasiv i Tiranës politike përballë kësaj situate në Kosovë! Tirana zyrtare prej kohësh është dashur ta ngrejë zërin fort përballë kësaj papërgjegjshmërie të Prishtinës politike, dhe jo të frikësohet nga akuzat për paternalizëm! Shteti shqiptar ka detyrim Kushtetues për kujdes ndaj bashkëkombësve jashtë kufirit, aq më shumë për Kosovën, që është ende në proçes të shtetformimit. Heshtja në emër të “pavarësisë” që gëzon Kosova është e pajustifikueshme kur politikanët e saj, për tekat personale, me veprimet apo mosveprimet e tyre i shkaktojnë dëme të rënda Kosoves! Çfarë vlere ka mburoja pas paternalizmit për Tiranën politike, kur në Kosovë kriza politike ka katër muaj që është ulur këmbëkryq, ndërkohë që në Botë janë hapur vatra të rrezikshme lufte që nuk kanë gjasa të shuhen shpejt — përkundrazi! Në një situatë të tillë, a mund të pritet që faktori ndërkombëtar të vazhdojë ta mbajë vëmendjen të përqendruar te Kosova? Ne do ta dëshironim këtë, por gjasat nuk janë të sigurta. Ndaj Tirana zyrtare nuk mund të vazhdojë të heshtë përballë krizës së stërzgjatur në Kosovë! Nëse Kosova, fatkeqësisht, nuk është prioritet për politikanët në Prishtinë, kjo nuk duhet të ndodhë kurrsesi edhe me Tiranën politike! Për Tiranën zyrtare, koha kërkon që Kosova të jetë në plan të parë! Sa më shpejt — aq më mirë. Vonesat e mëtejshme janë të pafalshme!




