Gjykata Speciale konfirmon shtyrjen e vendimit edhe për dy muaj ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur në opinion si Gjykata Speciale, e ka shtyrë edhe për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në procesin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Njoftimi u bë në faqen zyrtare të Gjykatës. “Më 5 maj 2026, Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit nxori një urdhër me të cilin zgjatet afati për shpalljen e aktgjykimit edhe për 60 ditë, deri më 20 korrik 2026. Trupi Gjykues vlerësoi se rrethanat e çështjes e arsyetojnë kërkesën për kohë shtesë, duke iu referuar sasisë së provave dhe kompleksitetit të procesit. Megjithatë, Trupi Gjykues theksoi se, nëse një shtyrje tjetër e afatit do të ishte absolutisht e nevojshme, atëherë do të nxjerrë me kohë një urdhër përkatës lidhur me këtë”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara. Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime. Këto krime të pretenduara, sipas prokurorisë, kanë ndodhur ndërmjet marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimit, ish-deputet, përfundoi në shkurt të këtij viti. Ish-krerët e UÇK-së, gjykimi i të cilëve zgjati për tre vjet, po që janë mbajtur në paraburgim prej vitit 2020, në fjalët e tyre përfundimtare para trupit gjykues më 18 shkurt, u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Edhe ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara. Ndërkaq, prokurorët, nga ana e tyre, kanë kërkuar që ish-krerët e UÇK-së të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.Partia Demokratike e Kosovës, ndërkohë, reagoi pas vendimit të Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftimin e kësaj partie e cila i bënë thirrje “bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare”.