FALEMINDERIT!
Fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar mirënjohjen që ndiej ndaj secilit prej jush, për çdo votë, çdo përqafim rrugës, çdo fjalë mbështetjeje, çdo shikim shprese.
Falënderim për secilin e secilën që zgjodhi të besojë se Shqipëria mund të bëhet.
Votat dhe mbështetja juaj ishin historike, duke na renditur zyrtarisht si forcën e tretë politike në vend, edhe pse ishim një parti vetëm disa mujorshe.
Për ne, kjo është përgjegjësia më e madhe që na keni dhënë mbi supe me besimin tuaj.
Procesi zgjedhor tregoi edhe një herë se, përballë mekanizmave të vjetër, korit të propagandës, manipulimeve e shitblerjeve, qëndron ende një Shqipëri e bukur, e sinqertë dhe plot shpresë.
Ju jeni ajo Shqipëri! Shqipëria e papërfaqësuar, që zgjodhi të besojë e të bashkohet me alternativat e reja.
Faleminderit djemve e vajzave që shkelën derë më derë për një ideal!
Faleminderit kandidatëve tanë, që realizuan një fushatë model, pa sulme, pa sharje e fyerje!
Faleminderit ekipit të vëzhguesve, që me ndershmëri e kurajo mbrojtën çdo votë si një akt të shenjtë qytetar!
Faleminderit çdo qytetari që na besoi votën e tij, sepse në një vend ku gjithçka tentohet të blihet, ju zgjodhët të na besoni ne. Dhe ky besim është i shenjtë!
Ne nuk garuam për t’u bërë pjesë e një sistemi, por për ta ndryshuar këtë sistem.
Dhe mbi 64 mijë vota janë dëshmia e një sistemi të kapur, që ka shpresë për të qenë i lirë.
Tani fillon puna!
Do të jemi aty, brenda dhe jashtë parlamentit, me të njëjtin pasion, me të njëjtën përulësi, me të njëjtën betejë!
Mirënjohje!
Nuk do të ndalemi derisa Shqipëria të Bëhet!




