Art/Kulturë

Të dashurosh duke kuptuar:

todayMay 9, 2025

Background
share close

Po sikur forma më e thellë e dashurisë të mos ishte emocionale, romantike apo dramatike, por intelektuale?
Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë si e ftohtë, por për Baruch Spinozën, filozofin më radikal dhe shpirtëror të shekullit XVII, ishte pikërisht e kundërta.
Koncepti i tij “Amor intellectualis Dei” – Dashuria intelektuale e Zotit, na ofron një mënyrë për ta kuptuar botën ndryshe, për ta çliruar veten nga pasionet që na robërojnë dhe për ta jetuar jetën me më shumë qartësi, paqe dhe thellësi.
Spinoza na çon në një udhëtim përmes tri niveleve të njohjes, ku secili hap na afron me një dashuri më të pastër, më të qëndrueshme dhe më çliruese.

Alma Lamçja:

  1. Njohja imagjinative (opinio): Jeta në sipërfaqe
    Këtu fillon shumica prej nesh. Marrim informacion nga të tjerët, nga mediat, nga ndjesitë tona, pa reflektim, pa analizë. Është niveli i perceptimeve të pjesshme, paragjykimeve dhe pasioneve të çoroditura.
    Spinoza e quan këtë njohje të pamjaftueshme. Kur mbetemi këtu, jetojmë nën pushtetin e frikës, xhelozisë, zemërimit. Nuk kuptojmë shkaqet e përvojave tona, ndaj reagojmë në vend që të reflektojmë.
    Filozofi Steven Nadler e quan këtë “skllavëri ndaj pasioneve”. Dashuria në këtë nivel është nevojë, jo mirëkuptim. Është marrëdhënie që shteron, jo marrëdhënie që rritet.
  2. Njohja racionale (ratio): Ngritja e qartësisë.
    Kur fillojmë të mendojmë në mënyrë kritike dhe të kërkojmë shkaqe, hyjmë në nivelin e dytë të njohurisë: kuptimin racional.
    Këtu fillojmë të shohim lidhjet midis veprimeve dhe pasojave, midis emocioneve dhe besimeve, midis vetes dhe të tjerëve
    Këtu lind ideja adekuate, ku i kuptojmë fenomenet në rendin e tyre natyror. Fillojmë të kuptojmë veten, të tjerët dhe botën. Dashuria në këtë nivel nuk është më posesive, por një ndjenjë e qëndrueshme, e bazuar në mirëkuptim dhe përgjegjësi.
    Jonathan Bennett vëren se arsyeja për Spinozën nuk është e ftohtë, por thellësisht etike. Ajo krijon baza për paqe, bashkëpunim dhe dhembshuri.
  3. Njohja intuitive (scientia intuitiva): Të shohësh të gjithën
    Niveli më i lartë është intuitiv, por jo në kuptimin mistik. Është njohje e drejtpërdrejtë, e thellë dhe e qartë e realitetit si një tërësi.
    Spinoza e quan këtë rend të përjetshëm “Zoti ose Natyra”. Në këtë nivel, ne e kuptojmë veten si pjesë të tërësisë universale. Nga kjo qartësi lind dashuria më e lartë: Dashuria intelektuale e Zotit.
    Nuk është dashuri për të pasur, për të kontrolluar apo për të mbushur zbrazëtira. Është dashuri që lind nga kuptimi i thellë. Është ekstazë e qetë e të kuptuarit.
    Studiuesi Yitzhak Melamed e përshkruan si një gëzim intelektual i rrënjosur në domosdoshmëri. Nuk është dashuri për diçka të jashtme, por dashuri që lind përmes depërtimit, është ekstazë e qetë e njohjes.
    Neuroshkencëtari Antonio Damasio, në librin e tij “Në kërkim të Spinozës – Looking for Spinoza: Joy, Sorrow, and the Feeling Brain” (2003), e lidh këtë me inteligjencën emocionale dhe njohjen e mishëruar. Ai argumenton se kjo dashuri është thellësisht njerëzore: ajo del në pah kur arsyeja dhe emocioni janë të integruara plotësisht.
    Çfarë jete ndërtojmë kur duam në këtë mënyrë?
    Spinoza besonte se sa më shumë kuptojmë, aq më të lirë bëhemi. Nga errësira e konfuzionit, në dritën e arsyes, e deri te përqafimi i një dashurie të pandryshueshme.
  • Në nivelin e parë: jetojmë në kaos emocional;
  • Në të dytin: arrijmë stabilitet përmes arsyes;
  • Në të tretin: përjetojmë një dashuri që buron nga e vërteta, jo nga iluzioni.
    E gjitha kjo nuk është vetëm filozofi. Është mënyrë jetese!

Të ecësh drejt “Amor intellectualis Dei” do të thotë të kalosh nga frika në liri, nga thashethemnaja në njohje, nga iluzioni në mençuri, nga jeta fragmentare në jetë unifikuese.

Në një botë që vlon nga zhurma, egoizmi dhe konfliktet, vizioni i Spinozës na kujton se: Dashuria e vërtetë vjen nga të kuptuarit.

Të shikojmë rreth vetes sonë: A nuk jemi ne ende një shoqëri e mbërthyer në nivelin e parë të njohjes?
Komentet e ashpra në rrjetet sociale, stereotipet apo reagimet e vrullshme pa reflektim, janë simptoma të një shoqërie që nuk do të kuptojë, por vetëm të flasë dhe të gjykojë.
Jemi shoqëri e bllokuar në thashetheme, reagime të shpejta dhe keqkuptime.
Por pyetja është: A jemi të gatshëm të heqim dorë nga iluzioni kolektiv dhe të mësojmë të kuptojmë?

“Sa më shumë kuptojmë, aq më shumë duam.”

Written by: Window.Al

Rate it