Ja çfarë biseduan në përgjim dy vëllezërit Hasaj pas vrasjes së Ramazan Mataj: Mos me e pranu hiç… por nëse kanë prova thuji….
Arjon Hasaj pas vrasjes së Ramazan Mataj në Postribë janarin e këtij viti tentoi të kalonte pikën e kalimit kufitar të Muriqanit por u shoqërua në polici duke mos u lejuar të arratisej drejt Malit të Zi dhe më pas u bë arrestimi i tij. Hasaj më pas pranoi se vrasjen e bëri për nderin e motrës së tij.
Vëllai i Arjonit, Klisman Hasaj u gjet në shtëpi dhe pranoi se armët e gjetura në oborr janë të tyret dhe se kishte dijeni për ata armë që mbanin aty.
Pas arrestimit dy vëllezërit u vendosën në përgjim në mjediset e policisë Shkodër ndërsa flasin rreth vrasjes:
Klisman Hasaj: Thuji jena ken në shpi kur ka ndodh
Arjon Hasaj: Po, po
Klisman Hasaj: Mos t’kena fjalë tjera! Edhe thuji për armë që asht gjet se asht e jemja.
Arjon Hasaj: Kush e gjeti?
Klisman Hasaj: Asht e jemja, jam t’u të thanë se asht e jemja. Mos e prano vrasjen hiç. Veç nëse kan kamera e gjana e hangme. Ajo Breshka i ka pru! Ej! Ai telefoni me prekje thuji ka ken i jemi, që e kam unë! Nëse të pyesin për armën thuji e kena pas kaher.
Arjon Hasaj: Po, po
Klisman Hasaj: Në qoftë se të dalin fakte e gjana thuji na ka hi në familje..
Arjon Hasaj: Ça?
Klisman Hasaj: Mos të rrim të dy mrend. Në daç ma len mua e në daç…
Arjon Hasaj: A i ke tregu babs aa? Ku të gjeten ty?
Klisman Hasaj: Te shpija
Arjon Hasaj: A nuk e kryve at punën që të kam thanë aa?
Klisman Hasaj: O kanë ardh në katër nades mor..kur ka ikë baba kanë ardh këto. Më kanë gjetur fjet. Vetëm njat mos e prano! Vrasjen mos e prano hiç. I gjetën babës edhe do fishekë, automet edhe gëzhoja
Arjon Hasaj: Unë po i tham se nuk di gja hiç në atë pjesë
Klisman Hasaj: Po pra po por po tham në qoftëse na qesin fakte mor burr..në qoftë se na qesin në foto tuj e vra, atëherë po por pa na tregu faktet jo. Nuk kena pas kurrë probleme me atë thuji. Për punën e armës thuji e kena pas kaher, gjet e kam në mal dhe e kam kap e kam fsheh. A dallohet me atë armë nëse keni vra kend aaa?
Arjon Hasaj: Nëse kanë marrë ato gëzhojat vari..se i bajnë atë ekspertizën
Pasi policia gjeti provat, armën e krimit, gëzhojat dhe municion luftarak në shtëpinë e vëllezërve Hasaj, pranuan se vrasja e Ramazan Mataj është kryer nga ana e tyre, konkretisht autori kryesor është Arjon Hasaj që pranoi vrasjen.
Arjon Hasaj: Këtë ngjarje e kam bërë unë. Para rreth 7 vitesh ky shtetas ka filluar të ngacmojë motrën time shtetasen Armela Hasaj e cila ka qenë e martuar në Golem. Ramazam Mataj u bë shkak që ajo të ndahej nga bashkëshorti pasi e ka tradhtuar. Pak kohë para se motra të ndahej nga bashkëshorti i parë unë e kam takuar vëllain e Ramazanit të cilit i kam shprehur shqetësimet që po sillte Ramazani dhe ai më tha mos e ke problem pasi do marrim masa dhe nuk do ndodhë më asgjë. Edhe pasi është ndarë nga bashkëshorti motra ime sërish është frekuentuar me Ramazanin. Kjo gjë më ka rënduar shpirtërisht, emocionalisht dhe psikologjikisht saqë më vinte turp të dilja në lagje. Pas rreth 3-4 vitesh motra ime është martuar sërish në Mjedë por Ramazani ka vijuar të frekuentohet me të derisa është bërë shkak sërish që ajo të ndahet. Kur është ndarë për herë të dytë familja e burrit ka ardhur në banesën tonë dhe na kanë treguar video teksa motra kryente marrëdhënie seksuale por nuk shihej se kush ishte personi tjetër. Ramazani ka vijuar me motrën duke mos bërë shkëputje asnjë moment. Gjithashu Ramazani ka shpërndarë tek njerëz të ndryshëm video të motrës time me përmbatje të ulët morale dhe këtë gjë e ka bërë në formë mburrjeje. Kjo situatë sa vinte më rëndonte pasi nuk kisha guxim të dilja as në lagje nga turpi. Në këto kushte dhe në gjendje të rënduar psikologjike mora vendimin që të organizoj një mënyrë për të vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Hapa një adresë në Instagram dhe kam komunikuar me Ramazanin sikur të isha vajzë. Kam paguar një vajzë rome që e gjeta në rrugë dhe nuk e njoh. E pagova me 20 mijë lekë të vjetra për ti dërguar një mesazh zanor për të vërtetuar se jam femër. I kam thënë se do shkoja tek një shtetas aty në zonë dhe se doja ta takoja. Jam fshehur tek një grumbull mbeturinash në afërsi të një kanali dhe kam pritur që Ramazani të vijë me makinë tek vendi i takimit. I jam afruar në krah të tij dhe kam nisur ta qëlloj me armë zjarri pushkë 20-she. Kam gjuajtur 18-19 herë në drejtim të tij. Pasi e vrava kam ikur me biçikletë në shtëpi. Armën e groposa pas shtëpisë sepse nuk doja ta merrnin vesh familjarët. Të gjithë e dimë se Ramazani ishte i dhënë pas femrave dhe ngacmonte çdo femër që i dilte para dhe nisur nga kjo i kam shkruar në Instagram gjoja se jam femër. Me motrën Armelën kemi 3 vite që nuk kemi asnjë lloj komunikimi. 2-3 netë para ngjarjes kam parë një story në Instagram të motrës e cila kishte postuar një video ku dukej makina të cilën e njoha se ishte e Ramazanit gjë që më shtoi mërzinë dhe më rëndoi psikologjikisht. Ramazani sapo erdhi ashtu si ishte me shpejtësi të ulët i gjuajta menjëherë me armë zjarri. Krimin e kam kryer i vetëm nga fillimi në fund dhe askush nuk më ka ndihmuar dhe nuk ka pasur dijeni mbi krimin. Jam i penduar për krimin që kam bërë por kam qenë në një gjendje të rënduar psikologjike”.
Klisman Hasaj: Jetoj sëbashku me prindërit dhe vëllain Arjonin, nusen e tij dhe katër fëmijët e mitur të tij. Kemi 5 motra dhe katër motrat e para janë të martuara me familjet e tyre dhe pa probleme. Motra e vogël Armela është e divorcuar ka një fëmijë të vogël. Ramazani ka patur shumë vite marrëdhënie me motrën tonë. Jemi munduar ta kapim e të merrna vesh më të, por ai gjithmonë largohej. Nisur nga ky fakt sëbashku me Arjonin e kemi menduar ta vrasim sepse na ka turpëruar para të gjithë fisit, fshatit dhe atyre që na njohin. Ditën e shtunë kam informacion se ka qenë në Shirokë me motrën time. Arjoni ka hapur një faqe në Instagram me qëllim kapjen e Ramazanit. Armën e kam gjetur para katër vitesh në mal dhe e kam mbajtur të fshehur në tavan. Natën e ngjarjes ja kam dhënë Arjonit edhe ma ka pru rreth orës 21:00 dhe më tha e vrava Ramazanin. Armën deri mbrëmë e kam mbajtur tek një shtëpi e vjetër afër banesës. Mbrëmë e kam groposur në qoshe të shtëpisë mbrapa”.




