Uncategorized

NGA NËNË QË DHURONË JETË: NË BISH QË MERR JET!

todaySeptember 6, 2025 2

Background
share close

Dhuna e grave:
Emancipim i rremë apo barazi në kafshëri?

Shoqëria shqiptare, e lodhur nga tranzicioni, e sëmurë nga korrupsioni dhe e varfëruar nga ikja e brezave, po prodhon një fenomen të ri dhe të frikshëm:
Dhunën e grave në rrugë.

Nëse dikur dhuna ishte “monopol” i burrave – me sharje, grushte pistoleta e thika – sot femrat po hyjnë fuqishëm në këtë skenë të pistë.
Jo më si viktima, jo më si ato që mbajnë mbi supe dhimbjen, por si aktore të drejtpërdrejta të dhunës.
Dhe ky nuk është rast i izoluar.
Është kthyer në rutinë:
Nga pazaret, te rrugicat e lagjeve, te kafenetë, deri në qendrat tregtare.
Video të grave që rrihen publikisht shpërndahen me një shpejtësi marramendëse në rrjete sociale, duke u kthyer në argëtim për turmën.

Dhe këtu fillon tragjikomedia shqiptare.

Nga nënë në agresore.

Gruaja shqiptare ka qenë gjithmonë simbol i sakrificës.
Është ajo që ka mbajtur mbi supe familjen, që ka edukuar breza, që ka ushqyer me bukë dhe me dinjitet edhe në vitet më të errëta.
Dhe sot?
Sot ajo shfaqet në rrugë duke sharë me një fjalor që as burri më i dehur i hanxharit nuk do ta përdorte.
Ajo shfaqet duke kapur për flokësh një tjetër grua, ndërsa turma i filmon si kafshë të egra të hedhura në arenë.
Nga nënë që rrit jetë, në bishë që shkatërron jetë.

Shoqëria që quan degjenerimin emancipim.

Fjalët më të përdorura sot janë “emancipim” dhe “barazi gjinore.” Por ç’barazi është kjo kur gruaja imiton veset më të ulëta të burrit?
A është emancipim që gruaja të bërtasë, të qëllojë, të shajë?
Apo është thjesht barazi në turp?
Nëse ky është emancipim, atëherë më mirë të mbetemi pa emancipim fare.
Sepse emancipimi i vërtetë është ngritje – jo rënie në baltë.

Ironia therëse është kjo:
Shoqëria shqiptare, që nuk arrin të emancipojë gruan në dije, në ekonomi, në kulturë, arrin ta “emancipojë” vetëm në sharje dhe dhunë.
Një arritje për Guinness-in e absurditetit!

Dhuna e burrave dënohet, dhuna e grave përjetohet si humor.

Kur burrat rrihen, media i portretizon si turp i shoqërisë.
Kur gratë rrihen, kthehet në spektakël.
Turma qesh, rrjetet shpërndajnë, mediat e përdorin për klikime.
Dhuna e gruas nuk shihet si alarm, por si “pikantëri.”
Një komb që qesh me dhunën e grave është një komb që nuk kupton më as ku fillon tragjedia dhe ku mbaron komedia.

Pse ndodh kjo?
Rrjetet sociale – cirku i ri i shoqërisë.
Një zënkë e grave në rrugë bëhet menjëherë virale. Mijëra klikime, mijëra komente, dhjetëra meme.
Rrjetet sociale e kanë kthyer dhunën në biznes.
Dhe gratë e dinë këtë:
Një fjalim i mençur i një sociologu, psikologu, ekonomisti, shkrimtari, nuk merr askënd, por një rrahje në trotuar të bën “të famshme.”
Mungesa e shtetit dhe autoritetit.
Policia shfaqet gjithmonë pasi çdo gjë ka ndodhur.
Ligji nuk është frikë.
Për më tepër, shpesh dhuna e grave relativizohet: “janë gra, s’i fut dot në burg për një shpullë.”
Kjo tolerancë i jep oksigjen fenomenit.
Edukimi i shkatërruar.
Shkolla jonë nuk edukon. Ajo është bërë fabrikë diplomash bosh.
Familjet janë të lodhura, pa autoritet mbi fëmijët.
Një brez i tërë rritet me reality show, me këngë që lavdërojnë dhunën dhe vulgaritetin, me shembuj që vlerësojnë më shumë arrogancën sesa mençurinë.
Çfarë pret nga ky brez?
Qytetarë apo gladiatorë?
Shoqëria patriarkale që prodhon kundër-reagim të shtrembër.
Gruaja ka qenë gjithmonë e shtypur, e nënshtruar, e heshtur.
Dhe tani, kur kërkon “lirinë,” shpesh e shpreh jo duke ndërtuar, por duke imituar burrin në versionin më të keq të tij.
Ky nuk është emancipim – është hakmarrje e verbër, një hakmarrje që shkatërron vetë gruan.

Fenomen global, por shqiptarizuar deri në absurd.

Dhuna e grave nuk është vetëm fenomen shqiptar.
Në SHBA e Britani, prej vitesh ekziston termi “girl gangs” – banda vajzash që merren me krime, droga dhe dhunë.
Në Francë, fenomeni i quajtur “les loubardes” (vajza huligane) është bërë problem serioz.
Por, në vendet e tjera, kjo shihet si alarm social.
Në Shqipëri?
Ne e shohim si argëtim.
Diferenca është kjo:
Aty ku të tjerët shohin problem, ne shohim shaka.
Dhe ky është turpi ynë më i madh.

Çfarë shoqërie po ndërtojmë?

Një shoqëri ku burrat janë të dhunshëm dhe gratë po bëhen gjithashtu të dhunshme.
Një shoqëri ku fëmijët rriten duke parë nënat e tyre që zihen në rrugë.
Një shoqëri ku edukimi është zëvendësuar nga TikTok-u, dhe ku dhuna kthehet në spektakël për t’u duartrokitur.

Ky nuk është emancipim.
Ky është kapitullim kombëtar.
Ky nuk është barazi.
Ky është barazi në kafshëri.

Barazia e rreme = dyfish dhunë.

Nëse gruaja imiton veset më të ulëta të burrit, shoqëria nuk fiton.
Nuk arrijmë dot barazi, por vetëm shumëfishim të dhunës.
Një dhunë që tani ka dy fytyra:
Burrin që grushton dhe gruan që imiton.
Dhe kështu, shoqëria shqiptare nuk po ecën drejt emancipimit, por drejt një shkatërrimi të përbashkët, ku as mashkulli nuk është burrë, as femra nuk është grua, por të dy bashkohen në një turmë primitive që ulërin dhe godet në rrugë.

👉 Prandaj pyetja është e thjeshtë, por therëse:
Doni emancipim të grave? Apo doni gra që bëhen burrat më të këqinj?
Sepse në këtë rrugë, Shqipëria po e humbet jo vetëm burrin, por edhe gruan.
Dhe bashkë me to, po humb vetveten.Përgatiti: Koja Leonard:

Written by: Window.Al

Rate it