Kronikë

Dy motra u shuan padrejtësisht. Koha për masa ekstreme, polici rrugore dyfish, teknologji dhe kamera, dënime të forta me burg dhe testi i idiotit për çdo shofer.

todayAugust 26, 2025

Background
share close

Një kamikaz në timon i mori padrejtësisht jetën dy motrave nga Saranda. Ky nuk është thjesht një aksident i rëndomtë rrugor, por një krim i rëndë, më i rëndë se një ngjarje kriminale e zakonshme. Është një atentat i mirëfilltë, i kryer me të gjitha elementet e një akti kriminal të strukturuar. Të marrësh jetën dy vajzave të reja, në lule të moshës, është njësoj si të veprojë një grup i organizuar që godet me paramendim.

Në këtë rast, grupi i strukturuar kriminal nuk është vetëm ai idiot që përplasi me makinë dy motrat, por edhe shteti vetë. Një shtet që fle gjumë, që nuk merr masa parandaluese, që nuk zbaton ligjet, është po aq fajtor sa dorasi. Automjeti që 23-vjeçari kishte në dorë, një fuoristradë e fuqishme, ishte një armë e vërtetë vdekjeprurëse. Dhe ai e përdori si armë.

Në fshatin Fushëbardhë, ai hyri kundravajtje, duke përplasur për vdekje Elvisa dhe Rozina Dhimakun, ndërsa plagosi rëndë shoqen e tyre Antonela Zhupa. Pas testimeve të policisë rezultoi se drejtuesi ishte në gjendje të dehur. Një makinë luksoze, në dukje një Audi Q5, e drejtuar me shpejtësi skëterrë, kreu një parakalim të gabuar në një zonë me vija të pandërprera dhe përfundoi duke goditur përballë mjetin që drejtohej nga Elvisa. Një përplasje fatale, një krim i pashembullt që shoi dy jetë brenda pak sekondave.

Elvisa dhe Rozina Dhimaku, së bashku me shoqen e tyre Antonela, nuk ishin thjesht duke bërë një udhëtim të zakonshëm atë mbrëmje. Ato po niseshin nga fshati Kopaçez i Delvinës drejt spitalit të Sarandës. Në atë spital ndodhej vëllai i tyre i vogël, vetëm 10 vjeç, një engjëll i pafajshëm që prej muajsh lufton me sëmundjen më të rëndë, leuçeminë. Djali ishte kthyer nga jashtë vendit për t’u kuruar në atdhe, dhe motrat, si çdo nënë e motër shqiptare, po shkonin të rrinë pranë tij, të mos e linin vetëm qoftë edhe një natë.
Por rruga e tyre drejt spitalit u pre mizorisht në mes. Fati i pamëshirshëm, i shoqëruar nga papërgjegjshmëria e një shoferi kriminel, i ndali përgjithmonë hapat e Elvisës dhe Rozinës. Dy jetë të reja u shuan, ndërsa Antonela mbeti e plagosur. Dhimbja e kësaj ngjarjeje është e dyfishtë, jo vetëm që një familje humbi dy vajzat e saj, por një djalë i vogël, i sëmurë e i brishtë, mbeti pa dashurinë dhe përkujdesjen e motrave që i kishte dritë të syve.

Imagjinoni skenën, një fëmijë që vuan në spital, pret të hyjnë në dhomë dy motrat e tij për t’i dhënë forcë, por dera nuk hapet më kurrë. Ai nuk arriti t’i takonte për herë të fundit. Ky është kulmi i dhimbjes, një plagë që nuk mbyllet kurrë.

Në shtëpinë e familjes Dhimaku janë hapur dyert e mortit. Lotët, britmat dhe dëshpërimi nuk ndalen. Nëna dhe babai janë shkatërruar shpirtërisht, nga njëra anë humbja e dy vajzave, nga ana tjetër detyrimi për të qëndruar të fortë pranë djalit të vogël që ende ka nevojë për ta. Dhimbja është e pamasë, dhe zemërimi i tyre është i drejtë, dy vajzat nuk i mori fati, nuk i mori Zoti, ato u vranë nga një shofer i papërgjegjshëm dhe nga një shtet që nuk bën detyrën e tij.

Në këtë rast, shteti është njëlloj bashkëpunëtor në krim. Sepse një idiot në timon, i dehur, me një makinë të fuqishme, nuk duhet të kishte asnjë mundësi të dilte në rrugë e të kthehej në vrasës. Por kur shteti nuk merr masa, kur nuk kontrollon, kur nuk parandalon, ai bëhet pjesë e krimit.

Elvisa dhe Rozina sot nuk jetojnë më. Ato nuk do të qeshin më, nuk do të shkojnë më pranë vëllait të tyre të vogël, nuk do të përqafojnë më prindërit. Jetët e tyre u prenë padrejtësisht, dhe tani familja e tyre, djali i sëmurë 10-vjeçar dhe mbarë shoqëria shqiptare mbeten me një brengë të madhe që nuk shuhet kurrë.

Çfarë përgjigje do t’u japë sot shteti familjes Dhimaku? Çfarë mund të thotë përballë kësaj tragjedie? E vërteta është e hidhur, shteti ynë ka marrë fund. Atij i intereson vetëm propaganda, fasada, imazhi i rremë në ekrane, ndërsa në realitet nuk merr asnjë masë për të parandaluar vrasjet që ndodhin çdo ditë në rrugë. Sepse këto nuk janë aksidente, janë vrasje me paramendim, janë krime ku shteti është bashkëpunëtor.

O bashkëpunëtorë në krim, pse nuk merrni masa? Çfarë prisni? Të shuhen edhe më shumë jetë të pafajshme? Deri kur shqiptarët do të jetojnë me frikë se mos dalin për të shkuar në punë, në shkollë, apo në spital dhe nuk kthehen më në shtëpi?

Zgjidhja është e qartë dhe kërkon guxim, duhen masa ekstreme, sepse vetëm ato mund të ndalin kamikazët në timon. Këto masa nuk janë luks, por domosdoshmëri për të shpëtuar jetë.

Masat që duhen marrë janë të thjeshta dhe të zbatueshme.

Së pari, shtoni efektivët e policisë rrugore në të gjithë vendin. Dyfishoni numrin e tyre në terren. Hapni një shkollë të posaçme në Akademinë e Sigurisë vetëm për formimin e policëve rrugorë, në mënyrë që të kemi forca të mjaftueshme për kontroll dhe ndërhyrje.

Pas përforcimit të trupës policore, hartoni masa ligjore shumë më të ashpra. Investoni në teknologji, vendosni kamera inteligjente në akset kryesore të vendit, sidomos aty ku ndodhin më shpesh aksidente. Krijoni një strukturë të posaçme që monitoron këto kamera 24 orë në 24 dhe çdo shkelje të mos kalojë pa ndëshkim, qoftë gjobë shumë e lartë, qoftë dënim penal.

Mos cilësoni vetëm parkimin dysh, vepër penale, por edhe parakalimin e gabuar, ecjen në krosinë e gabuar etj. Mos e trajtoni më si shkelje të lehtë parakalimin e gabuar apo ecjen në sens të kundërt. Parakalimi i gabuar, hyrja kundravajtje, shpejtësia tej normave, këto nuk janë gabime administrative, por krime që marrin jetë njerëzish. Për to duhet burg, jo gjoba qesharake. Kush ecën me shpejtësi marramendëse, kush bën manovra të rrezikshme, nuk duhet vetëm të paguajë gjobë apo të humbasë patentën përkohësisht, duhet të shkojë për ndjekje penale dhe të marrë dënim me burg. Vetëm kështu mund të edukohen kamikazët në timon, që në vendin tonë janë të shumtë.

Disa mund të thonë se këto janë masa ekstreme për një shtet demokratik. Por e vërteta është se ne nuk jemi shtet demokratik, ne jemi shtet rrumpallë. Dhe në një shtet rrumpallë, pa masa ekstreme nuk mund të vendoset rregull. Në varësi të mentalitetit të popullit duhet të merren edhe masat. Mentaliteti ynë, fatkeqësisht, është ekstrem. Prandaj edhe masat duhet të jenë ekstreme. Vetëm kështu do të shpëtohen jetë të pafajshme.

Po ashtu, ata prokurorë dhe gjykatës të mendohen dy herë që amnistojnë shoferët që arrestohen për shkak se drejtojnë automjetet në gjendje të dehur. Kush arrestohet i dehur në timon, të qëndrojë në burg dhe të kryejë dënimin dhe jo të dalë me arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje. Kushdo qoftë ai.

Përveç këtyre masave, duhet të vendoset edhe një kontroll i domosdoshëm mbi aftësinë mendore dhe psikologjike të drejtuesve të mjeteve. Nevojitet urgjentisht të aplikohet “testi i idiotit”, ashtu siç bëhet në Gjermani. Aty, çdo shofer që shfaq papërgjegjshmëri në rrugë, para se të rimarrë lejen e drejtimit, i nënshtrohet një testi psikologjik që mat stabilitetin dhe maturinë e tij. Në Gjermani ky test kryhet çdo 5 vjet. Në Shqipëri duhet të bëhet çdo 2 vjet, sepse mentaliteti ynë nuk është ai i popullit gjerman.

Dikur u tentua të aplikohej nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, por si shumë gjëra të tjera në këtë vend, mbeti thjesht në letër. Ky test ka 50 pyetje elementare që matin nivelin e përgjegjësisë dhe të kapacitetit mendor të drejtuesit të mjetit. Nga rezultati del qartë nëse ai është i përshtatshëm për të pasur patentë apo jo. Kush dështon, nuk duhet të kthehet kurrsesi në timon.

Ky nuk është luks, por domosdoshmëri. Sepse kur një shofer i papërgjegjshëm merr timonin në dorë, ai nuk është më thjesht qytetar, por një vrasës potencial. Dhe askush nuk ka të drejtë të kthejë makinën e tij në armë dhe rrugët në varreza.

Prandaj thirrja për institucionet përgjegjëse është e qartë. Merrni masa tani, jo nesër. Ashpërsoni ligjet dhe dënimet siç i kam listuar më sipër. Vendosni testin e detyrueshëm psikologjik për çdo shofer. Kontrolloni, monitoroni, ndëshkoni. Mos prisni tragjedinë e radhës që të qani me fjalë të kota.

Sepse çdo ditë që vonoheni, është një ditë më shumë ku njerëz të pafajshëm humbin jetën në rrugë. Dhe çdo jetë e humbur, është një krim për të cilin përgjegjës nuk është vetëm shoferi vrasës, por edhe ju, shteti, që heshtni dhe nuk veproni.

Shkruan Ylli Çelmeta

Written by: Window.Al

Rate it