Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Sektor të Velipojës, ku një 44-vjeçar ka kallëzuar në polici se në kangjellat e portës së banesës së tij është gjetur e varur një kurorë funerale, e njëjta që zakonisht vendoset mbi varre. Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët kanë identifikuar personin në fjalë si Emiljan Nika, drejtori i IKMT Shkodër.
Reagimet vijnë pas publikimit të lajmit nga TVA News, ku qytetarë të ndryshëm janë shprehur se kurora funerale nuk është thjesht një akt provokues, por një paralajmërim i drejtpërdrejtë për veprimet e fundit të Nikës në detyrën e tij si drejtues i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në qarkun Shkodër.
Sipas qytetarëve, Nika ka qenë pjesë e aksionit të shumëpërfolur për prishjen e ndërtimeve në Theth, ku u pa duke debatuar me banorët të cilëve iu shembën bizneset në ditë me diell, pa asnjë njoftim paraprak apo paralajmërim zyrtar.
Më tej, thuhet se Nika do të udhëheqë edhe aksionin e radhës të IKMT për prishjen e ndërtimeve në Velipojë, që pritet të nisë të hënën. Në këtë kontekst, qytetarët e konsiderojnë vendosjen e kurorës funerale në portën e tij si një mesazh të errët dhe kërcënues për çfarë pritet të ndodhë.
Një nga komentet publike drejtuar redaksisë së TVA News thotë:
“Personi E. N. është Emiljan Nika, drejtori i IKMT Shkodër, i cili ka marrë pjesë në prishjen e ndërtimeve në Theth, dhe tani, ditën e hënë, do të vazhdojë prishjet në Velipojë.”




