Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Art/Kulturë
todayJuly 9, 2025
Problemi i idolatrisë ka qenë një plagë e madhe tek ne, shqiptarët. Siç duket e kemi të trashëguar qysh nga koha e miteve? Apo na pëlqen të mbështetemi fort tek një idhull apo idolatri.
Duke lexuar një intelektual italian të kohës, Enio Montalen, vëreja se si ky njohës i shkëlqyer i shqiptarëve mahnit kur pohon se
“…Intelektualët shqiptarë do të bëhen vërtetë të tillë kur të shkëputen nga idolatria”…
Apo ajo tjetra:
“… Shqiptarët kanë çdo lloj talenti, i bëjnë të gjitha profesionet, janë artistë të shquar, por nuk kanë talent për etikë”…
Kjo më ka bërë të mendohem dhe të reflektoj thellë, se përse ne shqiptarët i kemi qejf, sidomos sot, idhujt pa krena?
Dëgjon të shkruhet:
…Shfaqje madhështore”…, poet i papërsëritshëm…, këngëtare e madhe…, mjeshtri i madh…, etj, etj, lista është pafund.
Atëhere?
Duke u ngulitur thellë në gjak kjo psihë e rrezikshme, pikërisht kjo, na ka sjellë në një katastrofë mjedisore artistike.
Më ka takuar të lexoj një kritik francez i cili i kishte kushtuar një artikull të gjatë violinistit të shquar Tedi Papavrami, merre me mend, e gjeta të përmendur emrin e tij vetëm në titullin e shkrimit, sa për të informuar publikun se për cilin artist bëhet fjalë. Dhe u përfshiva nga kureshtja për ta lexuar/ studiuar. Ç’të lexoja?
Egërsi e pamëshirshme kritiku, jo në kuptimin klasik të fjalës, por në kuptimin më të thellë profesionist. Kishte arritur deri aty sa ishte marrë nja një faqe me një notë re, të mbajtur gjatë nga violinisti, dhe të cilit i përshkruante se si duhet t’i kishte luajtur dridhjet e telit qëndror të violinës.
Po më pas?
Ishte marrë ky zoti kritik nja dy faqe të tjera me poetizmin e tingullit, me shtrirjen melodike, me frazën, me periudhën muzikore, me epokën, stilin, vrullin e lojës, karakterin e muzikantit, politikën dhe taktikën e përhapjes së veprës, e plot, e plot.
Nuk ka dhe s’mund të ketë kaq zell të papërmbajtur për t’i lavduar, madhështuar, ngritur më lart se lart, pseudo-vepra, pseudo-artistë, pseudo-intelektualë, pseudo-poetë.
Nuk kam turp ta them këtu se kam që në moshën 10 vjeçare që shkruaj poezi, por kurrë s’kam pohuar profesionin e poezisë, se nuk e them atë fjalën me të cilën krekosen shumë.
Po kështu edhe këngë kam krijuar 10 vjeç, por edhe pse kam një diplomë në kompozimin simfonik, nuk e bërtas titullin kompozitor, më duket shumë, edhe pse kam të drejtë ndoshta më tepër se shumëkush që thotë se është kompozitor vetëm se ka krijuar këngë.
Pra, sëmundja idolatrike e ka brejtur kulturën tonë kombëtare, në atë masë, saqë, ata që tregojnë barsaleta i quajnë aktorë, apo ata që marrin mikrofonin në dorë dhe këndojnë, shpesh edhe me talent, i quajnë këngëtarë, qysh sa dalin në publik.
Po a i ka hyrë dikush këtij problemi me themel, dhe të kuptojë në thelb, se ç’është mjeshtëria?
Janë dashur mijëra shekuj, që populli ynë artist i madh, e them pa droje, i madh, ka krijuar atë art që nuk është bërë brenda ditës.
Tani, cila quhet mjeshtëri?
Ajo që i këndon makinës Benz? apo populli që ligjëron:
Duro vashë, të durojmë…,
Siç duron mali dëborën….
Një parodi për çunat dhe gocat që e harxhojnë kohën kot, poshtë e lart?
Apo…,
Ai që reciton:
Mbi zall të pyllit vjeshtarak,
dremit liqeri, pa kufi…?
Pra, solla disa shembuj nga praktika, që të bëjnë seriozisht të mendohesh.
Si mund t’i ngjisësh në të njëjtën skenë, artistë, dhe reklamistë?
Gjithkush ka të drejtë të kërkojë, të punojë, pse jo, edhe të reklamojë, por emrin e artistit nuk mund ta mbajë kushdo.
është një barrë e rëndë, që kërkon supe mali, dhe një shpirt të paepur.
Të kthehemi tani tek rrethi idolatrik i idhujtarëve:
Shfaqja e disa komplekseve, që x artist ka mbaruar jashtë shtetit, dhe duhet patjetër të jetë div, përbën një shkak malinj se përse vuajmë kaq shumë në kulturë, në qarkullimin e elitës, përse nuk merakosemi se nëse dikujt që është shkolluar këtu brenda, dhe ka shumë të tillë, i zënë vendin këta të jashtmit, merre me mend pasojën…, artist i zhgënjyer, i vrarë shpirtërisht, më e pakta kjo, ka pasur edhe pasoja fatale që nuk dua t’i them këtu.
Ndër të paktat herë, vura re diçka që ma bëri zemrën mal. Një kritike muzike, ish pedagogja ime e analizës së veprave në akademi, Holta Sina, dha opinionin e saj në një dokumentar me vlera për të paharruarin Kujtim Laro. Më në fund dëgjova një opinion profesionisti, sepse shpesh, dhe fal idhujtarisë, flasin dhe japin mendje ata që nuk rrinë dot pa e marrë në dorë mikrofonin dhe të thonë diçka, dhe që shpesh s’kanë lidhje me këtë punë.
Kjo është pasojë, por shkak është sëmundja idolatrike e pllakosur në mendësinë tonë, sidomos në atë publike.
Si mund të quhet idhull dikush që ka 20 vjet që del në publik, por që ajo ç’ka ofron nuk përbën shkak madhor për ta idhujtarizuar?
Ose:
Pse ndodh të shfaqen në skenë vepra fantastike, dhe kam parë plot të tilla, dhe artistët që i luajnë ato nuk përmenden fare, madje edhe harrohen?
Kam kërkuar se mos gjej ndonjë frazë a artikull për to, por s’ka gjëkundi.
Shkaku është idolatrik.
Vërej gjithashtu pak emra të cilët shpallen fitues në fushatat e thirrjeve publike. Shpallet si konkurencë, në fakt, janë po ata pak, që zgjidhen e rizgjidhen nëpër eskalione të ndryshme.
Idolatri + interes.
Ka shumë për të thënë, por e rëndësishme është që të thuhen. Dikush më thotë: E ç’vlerë ka?
I përgjigjem:
Heshtja është njëlloj me indiferencën, dhe indiferenca mund të përbëjë ndoshta një krim!
Blerina Shalari
Written by: Window.Al