Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Sociale
todayJuly 7, 2025
Njoftim i rëndësishëm për të gjithë pushuesit në Shëngjin
Të nderuar qytetarë, vizitorë dhe turistë që keni zgjedhur Shëngjinin për të pushuar këtë verë,
Bashkia e Lezhës ju mirëpret dhe ju falënderon për besimin që keni treguar duke zgjedhur bregdetin tonë. Jemi të përkushtuar të ofrojmë një shërbim të ndershëm, të rregullt dhe të kontrolluar për çdo qytetar e vizitor. Megjithatë, jemi të detyruar t’ju vëmë në dijeni për disa raste të sjelljeve abuzive dhe të papërgjegjshme nga persona dhe subjekte private, të cilëve Bashkia u ka dhënë mundësinë të operojnë në territorin turistik, me qëllim mbështetjen e mikpritjes, jo shfrytëzimin e qytetarëve.
Denoncim për abuzime në zonën e “Rana e Hedhun”:
Disa prej këtyre individëve kanë keqpërdorur besimin tonë dhe po shfrytëzojnë pushuesit duke u kërkuar pagesa të dyfishta dhe të paligjshme për shërbime që janë të rregulluara me çmime të qarta dhe të dakordësuara nga Bashkia.
Raste konkrete abuzimi që janë raportuar:
500 lekë për parkim, pa fature tatimore, pa NIPT, dhe jashtë çdo transparence ligjore. Kjo është një formë e pastër mashtrimi dhe vjedhjeje. 500 lekë për çadrat, ndërkohë që kjo është saktësisht tarifa zyrtare e Bashkisë. Pra, klientëve u kërkohen të paktën dyfish paratë për një shërbim të vetëm, pa asnjë justifikim.
Kjo situatë është e papranueshme dhe përbën një turp dhe maskaradë që dëmton seriozisht imazhin e turizmit të Lezhës dhe besimin tuaj. Bashkia nuk mund dhe nuk do të qëndrojë palë me subjekte të tilla që abuzojnë me qytetarët.
Çfarë do të bëjmë?
Bashkia do të marrë masa të menjëhershme për ndërprerjen e kontratës me çdo subjekt apo individ që abuzon. Inspektorët dhe strukturat tona janë në terren dhe po ndjekin çdo denoncim që vjen nga qytetarët.
Çfarë mund të bëni ju?
Ju lutemi, mos e toleroni këtë sjellje!
Denoncojeni çdo rast abuzimi, qoftë për parkim, çadra, apo çdo shërbim tjetër që kërkohet në mënyrë të paligjshme dhe pa dokumentacion.
Kontaktoni menjëherë në këto numra:
📞 Pjerin Ndreu – Kryetari i Bashkisë Lezhë: +355 69 404 5011 📞 Fatjon Zefi – Zëvendës Kryetari: +355 69 559 1150 📞 Brahim Demi – Administrator i Shëngjinit: +355 69 333 4446 📞 Leonard Palaj – Kryeinspektor i Policisë Bashkiake: +355 68 313 1061 📞 Besmir Frroku – Administrator i “Lezha Invest”: +355 69 393 0434 📞 Renaldo Xhanej – Drejtor i Turizmit: +355 69 626 7623
Shëngjini është i pushuesve, jo i abuzuesve!
Mos lejoni që disa individë të nxijnë një sezon që duhet të jetë i qetë, i sigurt dhe i këndshëm për të gjithë!
Me respekt,
Pjerin Ndreu
Kryetar i Bashkisë Lezhë
Written by: Window.Al