Aktualitet

Ilir Meta i qahet Arben Ahnetajt!

todayJuly 3, 2025 1

Background
share close

đ‹đžđ­đžÌˆđ« 𝐞 đĄđšđ©đźđ« đđ«đžđŁđ­đźđšđ« 𝐙. đ€đ«đ›đžđ§ 𝐀𝐡𝐩𝐞𝐭𝐚𝐣!

I dashur Beni!
Uroj tĂ« jesh sa mĂ« mirĂ« andej nga Zvicra dhe fĂ«mijĂ«t e familjarĂ«t t’i kesh sa mĂ« mirĂ« nĂ« kĂ«to kohĂ« interesante qĂ« po jetojmĂ«!
TĂ« falat e fundit t’i kam pĂ«rcjellĂ« pĂ«rmes Flamurit, mikut tim tĂ« vjetĂ«r socialist qĂ« e takova rastĂ«sisht nĂ« Tushemisht disa javĂ« para rrĂ«mbimit tim, siç vetĂ« e ke parĂ« dhe tĂ« falenderoj pĂ«r qĂ«ndrimin qĂ« ke mbajtur pĂ«r kĂ«tĂ« çështje te Z. Çim Peka.
Por ajo qĂ« ke parĂ« t’i i dashur Ă«shtĂ« njĂ« episod fare i shkurtĂ«r se ata kapuçonĂ«t maskĂ«zinj e kishin bllokuar trafikun nja 200 metra para makinĂ«s time.
Nuk po kuptonim ç’po ndodhte i dashur!
Janë banditë që po përpiqen të rrëmbejnë ndonjë oligark në mes të ditës apo forca speciale që po kërkonin shefin e madh të Sinaloas apo Ndranghetas?
E kështu i dashur kaluan 15 minuta duke parë me çudi se çfarë do ndodhte. Nuk lanë makinë para nesh pa hapur dyer e bagazhe e bërë sikur kontrollonin me automatikë të rëndë këta kapuçonët maskëzinj.
Kur ia mbërrijnë te makina ime.
Unë isha ulur në vend të parë ku rri zakonisht shoqëruesit dhe shofer kisha një punonjës të Partisë së Lirisë. Po kthehesha nga Prevalla dhe shoqëruesin dhe shoferin e Gardës e kisha lënë të rrinin me familjet e tyre për fundjavë.
Kur shoh unĂ« kapuçonĂ«t e zinj me automatikĂ« drejt meje e duke ulĂ«ritur si tĂ« droguar: “Kriminel hajde me ne se jemi Policia”.
Epo thashĂ« unĂ« ngaqĂ« kĂ«ta kanĂ« futur plot mallistĂ« nĂ« polici dhe unĂ« isha me bluzĂ«n e “Celtic FC” veshur dhe nĂ« vend tĂ« parĂ« mos po u ngjaja me ndonjĂ« kriminel dhe nuk e dinĂ« se kush jam.
“Jam Ilir Meta u thashĂ«, ish-President i RepublikĂ«s dhe ruhem nga Garda e RepublikĂ«s”.
“Ti je kriminel, – thanĂ« kapuçonĂ«t e zinj, – e do vish me ne te Policia se je i arrestuar”.
“ShumĂ« mirĂ«, – u thashĂ« unĂ«, – ku e keni urdhĂ«r-arrestin?”
“ÇfarĂ« urdhĂ«r-arresti do ti bandit”, – thanĂ« ata.
“Po ju kush jeni ju?”, – them unĂ«.
“Pse ty do tĂ« japim llogari?”, – ulĂ«ritĂ«n ata.
Vetëm kapuçonë të zinj Beni, maska të zeza e as numra identifikimi e asgjë tjetër.
M’u kujtuan brigadat terroriste qĂ« rrĂ«mbyen Aldo Moron se e kam parĂ« edhe vendin atje nĂ« mes tĂ« RomĂ«s. Edhe ata me uniforma policie e rrĂ«mbyen.
“QĂ«ndro edhe pak”, – thashĂ« me vete, – “sa tĂ« vijĂ« Policia”, dhe vendosa duart nĂ« sedilje pĂ«r rezistencĂ« paqĂ«sore.
Kur ata hynë me automatikë të rëndë nga para e mbrapa e kush të ulërinte më shumë, siç e ke parë. Pastaj më futën në një makinë me targa private.
Epo thashë me vete më rrëmbeu banda e inceneratorëve ndaj nuk u duk edhe Policia.
Kur “fatmirĂ«sisht” mbĂ«rrij te Policia e TiranĂ«s. “Epo gjysma e sĂ« keqes”, – thashĂ«, “se tani do sqarohet çdo keqkuptim”.
MĂ« futĂ«n nĂ« njĂ« zyrĂ« ku takova nja dy policĂ« dhe u them: “Ore, mos mĂ« kanĂ« ngatĂ«rruar ata djemtĂ«?”
“Jo, jo, – thanĂ«, – ata pĂ«r ju kanĂ« urdhĂ«r-arrest nga vet Altin Dumani”.
“Po e kanĂ« urdhrin?, – u them, – se ata jo urdhĂ«r qĂ« s’mĂ« treguan por as nuk u prezantuan dhe identifikuan”.
“Ja, – thanĂ« ata, – se do vijĂ« shef Tonini tĂ« tĂ« sqarojĂ«â€.
E që thua ti, pas nja 10 minutash vjen shef Tonini, i cili u soll shumë mirë të them të drejtën, si atëherë kur isha Kryeministër.
“Do njĂ« kafe, – mĂ« tha plotĂ« mirĂ«sjellje mbase edhe me merakun pĂ«r tĂ« mbledhur veten.
“Jo, jo, – i thashĂ« unĂ«, – se pas orĂ«s 12:00 nuk pi kafe”.
“Po mirĂ«, – mĂ« tha, – pimĂ« nga njĂ« cigare”.
“PatjetĂ«r, – i them unĂ«, – po ajo fleta e arrestit ku Ă«shtĂ«?”
“Besoj, – tha, – se nuk do vonohen shumĂ« ata tĂ« PolicisĂ« GjyqĂ«sore dhe BKH se ata e kanĂ« ne nuk dinim gjĂ«â€.
NdĂ«rkohĂ« mbĂ«rriti edhe avokat Gjokutaj i lajmĂ«ruar nga mediat. “Ku Ă«shtĂ« fletĂ«-arresti?”, – pyeti edhe avokati.
“Ja, do presim edhe ca, – thanĂ« ata, – se nuk do vonojmĂ« shumĂ«â€.
E që të most ë lodh më tej se boll u lodhe dhe ti duke dëgjuar këto sukseset me hapjet e kapitujve me BE-në, pas më shumë se dy orësh na erdhi fletë-arresti në Polici.
“Epo faleminderit, – thamĂ«, – gjysma e tĂ« keqes se Policia jonĂ« na arrestoi nĂ« fund tĂ« fundit”.
Filloi një jetë e re shumë interesante.
NĂ« bllokun e sigurisĂ« mĂ« thanĂ«: “ka ardhur avokati tĂ« tĂ« takojĂ«â€.
“Ç’ne Genci?, – thashĂ« unĂ«, se ne ishim ndarĂ« pĂ«r atĂ« ditĂ«. “Mbase ka ndonjĂ« haber”, – thashĂ«. Por ishte njĂ« avokat tjetĂ«r i pakĂ«rkuar nga unĂ«, dashamirĂ«s, e mĂ« solli letrĂ«n e njĂ« tĂ« afĂ«rmit tim.
Pak a shumĂ« teksti ishte: “Mbahu i fortĂ« se do kalojĂ« dhe kemi folur me Hulusiun qĂ« tĂ« shkosh te Spitali i Burgut qĂ« sot”.
“Po kjo çudi?”, – thashĂ« me vete. Edhe mbahu i fortĂ« edhe shko qĂ« sot te Spitali i Burgut sikur nuk shkojnĂ« tĂ« dyja bashkĂ«.
Mata tensionin, 7-11. E falenderova letërprurësin dhe i dhashë një pusullë për letërdërguesin.
Pas dy ditĂ«sh, u bĂ«ra banor i 313-Ă«s i dashur! Kur hyra dĂ«gjoja plot thirrje “Rama Ik”.
Kështu që nisi mbarë.
Sa u ambientova unë filluan të më thonë, shiko se këtu janë kushtet e vështira ndaj po deshe shko në Fier ose në Durrës ose ku të duash.
“Mua, – u them, – kushtet mĂ« duken fantastike po inshallah ka palestĂ«r”.
“Ah jo, – thanĂ«, – andej ka palestra, kĂ«tu ju”.
“Po çfarĂ« ka kĂ«tu?, – i pyes unĂ«.
“VetĂ«m ping-pong dhe volejboll”.
“Mrekulli, – u them unĂ«, se ti e di qĂ« unĂ« 8-vjeçaren e kam bĂ«rĂ« te “Fan Noli” dhe ne tĂ« gjithĂ« mĂ«suesit e fizkulturĂ«s i kishin volejbollistĂ«t e Dinamos qĂ« nga Nard Tase i famshĂ«m e Beriolli e nĂ« fundin e tij e mbaj mend edhe legjendĂ«n, Asllan Rusi.
“ShumĂ« mirĂ«, – thanĂ«, – por duhet tĂ« bĂ«sh kĂ«rkesĂ« me shkim te edukimi”. BĂ«ra kĂ«rkesat unĂ« e fatmirĂ«sisht ping-pongu u miratua ndĂ«rsa volejbolli jo. “Po pse?, – u them unĂ«. “ËshtĂ« porosi nga lart pĂ«r arsye sigurine”, – thanĂ«.
Epo gjysma e sĂ« keqes thashĂ«, tĂ« paktĂ«n kam ping-pongun qĂ« nĂ« orĂ«n 08:00 tĂ« mĂ«ngjesit. Por pĂ«r arsye “sigurie” vetĂ«m 3-4 shqiptarĂ« mund tĂ« luanin me mua, tĂ« tjerĂ«t ishin nigerianĂ«, italianĂ« dhe nga Bregu i FildishtĂ«.
E di ti i dashur Beni, që ma hoqën edhe ping-pongun?
MĂ« thĂ«rrasin para tre javĂ«sh para njĂ« komisioni tepĂ«r tĂ« gjerĂ« dhe serioz. “A ka mundĂ«si, – mĂ« thanĂ«, – tĂ« firmosĂ«sh kĂ«tu qĂ« je prezent?”. “PatjetĂ«r, – u them, – pĂ«rderisa jam present”.
“DĂ«gjo, – tha kryesori, – para dy netĂ«sh ka ndodhur njĂ« ngjarje e rĂ«ndĂ«â€. “NdonjĂ« akt terrorist?”, – i pyes unĂ«.
“NĂ« orĂ«n 20:20 ju keni dalĂ« nga infermieria pĂ«r tĂ« shkuar nĂ« dhomĂ«n tuaj”.
“Po, – i them unĂ«, – e saktĂ«, se matim tensionin dhe ai nuk na lĂ«viz gjithmonĂ« 7-11.”
“Po flas seriozisht!”, – mĂ« tha mua. “Edhe unĂ« seriozisht ju fola se sa herĂ« na e masin tensionin edhe e shĂ«nojnĂ«â€, – i them unĂ«.
“Jo, jo, – tha, – para se tĂ« hyje nĂ« dhomĂ« (pra qeli), ke shkelur rĂ«ndĂ« rregulloren e burgut se ke folur nĂ« telefon”.
“Po unĂ« me telefonin e burgut fola”, – i thashĂ«.
“Po, – tha, – por nuk lejohet tĂ« flitet pas orĂ«s 20:00”. “E di, – i them, – por ngaqĂ« flasin tĂ« tjerĂ«t mua gjithmonĂ« mĂ« kanĂ« lĂ«nĂ« nĂ« fund dhe unĂ« kam folur edhe pas orĂ«s 20:00. Mos jeni shqetĂ«suar, – i pyes, – pse iu pĂ«rgjigja pyetjeve tĂ« gazetares Beti Njuma pĂ«rmes telefonit tĂ« Tedi Blushit qĂ« Ă«shtĂ« i regjistruar”.
“Jo, jo, – thanĂ«, – nuk ka lidhje me intervistĂ«n por Ă«shtĂ« shkelje e rĂ«ndĂ« tĂ« flasĂ«sh pas orĂ«s 20:00”.
“Po dakord, – u them unĂ«, – tani qĂ« e mĂ«sova nuk do e pĂ«rsĂ«ris mĂ«. Por ju lutem vini njĂ« njoftim nĂ« krah tĂ« telefonit, qĂ« ta shohin tĂ« gjithĂ«â€.
“Pra ti e pranon kĂ«tĂ« shkelje?”, – thanĂ«. “Po, – u them, – e pranoj”. PanĂ« njĂ«ri-tjetrin nĂ« sy dhe pastaj njĂ«ri kumtoi plot solemnitet: “Komisioni njĂ«zĂ«ri vendosi t’ju ndalojĂ« ushtrimet e pĂ«rbashkĂ«ta fizike”.
“Po unĂ« volejbollin tĂ« ndaluar e kam”, – u them. “Jo, jo, ping-pongun”, – thanĂ« ata. “Dakord!”, – u them unĂ« dhe iki.
MĂ« e bukura Beni ishte ditĂ«n tjetĂ«r nĂ« mĂ«ngjes. Troket qelia dhe shoh juristin e burgut. NĂ« dorĂ« mbante disa letra. Epo thashĂ« unĂ« do ketĂ« ndonjĂ« letĂ«r nga SPAK-u ky. Kur ai ma zgjat e mĂ« thotĂ«: “TĂ« lutem njihu me vendimin e shkruar qĂ« mori Komisioni dje”. “Po ç’mĂ« duhet vendimi, – i them, – unĂ« e kam tĂ« qartĂ« qĂ« 10 ditĂ« nuk do luaj ping-pong”.
“Por ti ke tĂ« drejtĂ« tĂ« bĂ«sh ankesĂ«, – mĂ« tha, – pĂ«r kĂ«tĂ« vendim nĂ«se nuk je dakord Brenda 15 ditĂ«ve”.
E kupton i dashur Beni sa zemërgjerë janë?
Të japin kohë të ankohesh edhe pasi ta kesh kryer dënimin.
“Jo, jo, – i thashĂ«, – faleminderit. Vendimi ishte i drejtĂ« dhe shkelja shumĂ« e rĂ«ndĂ« ndaj nuk do ankohem”.
MĂ« e bukura Beni, mĂ« erdhĂ«n dje paradite e mĂ« thanĂ«: “Po pati mundĂ«si, bĂ«hu gati se po tĂ« pret Komisioni”. “Cili Komision?”, – pyes unĂ«. “Komisioni Disiplinor”, – tha zotĂ«ria.
Mos më kanë ngatërruar thashë unë me vete se unë ndonjë shkelje të rëndë nuk kam bërë. Kur shkoj unë përsëri i njëjti Komision hijerëndë.
“A mund tĂ« firmosĂ«sh kĂ«tu qĂ« je prezent?” “Prit, – u thashĂ«, – ta lexoj me kujdes kĂ«tĂ« shkresĂ«n se nuk i hedh kollaj unĂ« firmat”.
Aty lexova edhe një pikë, që nëse nuk do vetë, çështjen e ndjek avokati. E firmosa unë.
“DĂ«gjo, – mĂ« thotĂ« njĂ«ri, – ka ndodhur njĂ« shkelje e rĂ«ndĂ«â€. “PrapĂ«?”, – i pyes unĂ«, – Po unĂ« nuk kam folur mĂ« pas orĂ«s 20:00”. “Jo, jo, – thanĂ«, – por pĂ«r tĂ« dhĂ«nĂ« intervista me gazetarĂ« duhet marrĂ« leje e posaçme nga Drejtoria e PĂ«rgjithshme e Burgjeve”.
“Po unĂ« fola me avokatin tim, Z. Cakrani, ai qĂ«lloi nĂ« studio dhe gazetarja bĂ«ri disa pyetje dhe unĂ« iu pĂ«rgjigja. Liria e shprehjes Ă«shtĂ« nĂ« KushtetutĂ«.”, – ju thashĂ«.
“Ashtu Ă«shtĂ«, – thanĂ« ata, – ka KushtetutĂ«, por ka edhe njĂ« rregullore”.
“Rregullore qĂ« na ndalon fjalĂ«n e lirĂ«? Pastaj unĂ«, doni apo nuk doni ju, Hulusiun dhe ma nalt, unĂ« jam Kryetar Partie dhe fjalĂ«n nuk ma heq dot njeri. Por, – u thashĂ«, – do lĂ« avokatin tim tĂ« merret me kĂ«tĂ« çështje se ai e di edhe KushtetutĂ«n edhe ligjin edhe KonventĂ«n Europiane tĂ« tĂ« Drejtave tĂ« Njeriut”.
Largohem unë i dashur Beni e bëhesha gati të takoja motrën me tre fëmijët pas 3 javësh se dy javë rresht pas intervistës te Beti Njuma, nuk i linin të takoheshin kur çdo i paraburgosur e ka të garantuar një takim në javë me familjen.
Më kishte marrë malli për të katër, por sidomos për motrën e cila kujdeset edhe për të dy prindërit e sëmurë që nuk i kam parë prej 9 muajsh.
Kur hyj unĂ« te dhoma e takimit ishin tre e jo katĂ«r. Mungonte Besari, djali. “Po Besi, – u them unĂ«, – ku Ă«shtĂ« apo nuk e ka marrĂ« malli?”
“Besi Ă«shtĂ« pĂ«rjashta”, – thanĂ«. “JashtĂ« shtetit?”, – i pyes unĂ«. “Jo mo jo, jashtĂ« burgut”.
“Po pse?”, – i pyes.
“Po na thanĂ« qĂ« nuk lejohen sipas rregullores tĂ« hyjnĂ« 4 tĂ« afĂ«rm, por vetĂ«m 3”. Ndaj njĂ«ri duhet tĂ« mos hyjĂ« dhe Besi si kavalier u kishte thĂ«nĂ« hyni ju dhe po pres unĂ« jashtĂ«â€.
Pra për 8 muaj kishin shkelur rregulloren e burgut duke i lejuar të 4-ët të vinin. Ndërsa tani jo.
Pak ditĂ« mĂ« parĂ« ishim nĂ« GJKKO pĂ«r tĂ« verifikuar se ç’hetime kishte bĂ«rĂ« SPAK-u kĂ«to 8 muaj pĂ«r mua meqĂ«nĂ«se SPAK-u nuk e kishte bĂ«rĂ« punĂ«n e tij sipas ligjit pĂ«r t’i raportuar gjykatĂ«s çdo dy muaj.
Nejse, folĂ«n ata, folĂ«m ne, hyri gjykatĂ«si te dhoma e “komandimit” dhe afĂ«rmendsh ajo qĂ« dihet.
Meqënëse ishin shpërndarë dizinformacione nga SPAK-u unë njoftoj në rrjete sociale një konferencë shtypi me gazetarët ditën tjetër, në ora 11:00. Kur çohem në mëngjes unë shikoja që mua nuk më punonte pini i telefonit. Pashë të tjerëve, u punonte.
Shkoj unĂ« te Edukimi dhe u them: “Pse mua nuk mĂ« punon pini?”
Sa keq e kam ndjerĂ« veten i dashur Beni, se njĂ« “black out” total i sinjalit pĂ«r tĂ« gjithĂ«, pĂ«r tĂ«rĂ« ditĂ«n.
Mirë konferenca na iku, po morëm në qafë edhe shumë të tjerë i dashur që nuk floën me familjet e tyre.
Ndërkohë kanë 2 ditë më kanë bllokuar lidhjen në telefon me Tedi Blushin që është i vetmi i Partisë së Lirisë i regjistruar se të tjerët janë familjarët dhe avokatët.
Po ka edhe më keq i dashur!
E pe çfarĂ« i bĂ«nĂ« kolegut tĂ« tyre, Erionit? I futĂ«n edhe celularĂ«t dhe e pĂ«rgjonin njĂ«kohĂ«sisht. ShokĂ« ideali, s’ke ç’tu thuash!
TĂ« kam paragjykuar kur mora vesh qĂ« u le fletĂ«-arrestin nĂ« dorĂ« dhe mendova kushedi ç’ka bĂ«rĂ« tigri? Por kur pashĂ« qĂ« donin tĂ« tĂ« bĂ«nin kokĂ« turku pĂ«r inceneratorin tĂ« mirĂ«kuptova.
NdĂ«rsa kur tĂ« dĂ«gjova te Çim Peka nĂ« shkurt u binda qĂ« donin tĂ« tĂ« arrestonin pĂ«r ato qĂ« s’ke pranuar tĂ« firmosĂ«sh e jo pĂ«r pllakat dhe lavamanĂ«t e “padeklaruara”.
Po je aktor i madh sidoqoftë!
E mban mend takimin e fundit kur erdhe 5 minuta tĂ« merrje Dekretin si MinistĂ«r pĂ«r RindĂ«rtimin dhe PandeminĂ«? Kur mĂ« thoshe: “Po ti s’e ke idenĂ« sa tĂ« do ai, etj. etj.”
Ndërkohë ti e dijë ndërkohë që ty të donte edhe më shumë se unë ndaj ua kishe deleguar firmat e tenderave të tjerëve që atëherë.
Kaq i dashur, si letër e parë!
Do dëgjohemi së shpejti!

Written by: Window.Al

Rate it