Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Histori

Amaneti i Fundit i Vilson Blloshmit, lënë shokut të birucës – Rustem Dashit!

todayJuly 18, 2026 3

Background
share close

Rustem, – më thotë me atë zërin e tij burrëror, – ma bëj hallall, më ke shërbyer kaq ditë. Do të të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e si vajti. Unë s’kam pranuar asgjë, pasi nuk kam bërë asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova. Diana me gocën të shikojnë punën e tyre. Ky qe fati im. Nuk e zgjodha unë. Lamtumirë, Rustem.

Unë shtanga, i mbërthyer pas murit. Ikën. Kërciti përsëri dera e jashtme…

😥
18 Korrik 1977

Mbas të fikëtit, i hapa sytë me shumë vështirësi. Më dhimbte gjithë trupi; koka sa nuk më pëlciste, kyçet e duarve dhe të këmbëve nuk i ndjeja. Në birucën ku më kishin çuar, për të mos dëgjuar për herë të fundit zërin e dy të dënuarve, Rustem Dashi po më rrinte te koka, i shqetësuar. Jemi nga i njëjti fshat dhe të dënuar bashkë. Lëviza me zor dhe munda të mbështetesha në mur. E dija që Rustemi kishte qenë në birucë në 30 ditët e fundit me Vilsonin. Isha i shqetësuar të dija se çfarë amaneti mund të kishte lënë Vilsoni dhe çfarë kishte përjetuar në momentet e fundit, kur erdhën ta merrnin. Nuk prita dot, derisa e takova Rustemin. Ai u përlot.

– Bedri, të rrish shtrirë 35 ditë, lidhur kokë e këmbë, është shumë e vështirë. Trupi të bëhet plagë, duart më keq; nga era e rëndë e helmetës në kokë, trullosesh. Djersa i rridhte mbi plagë, prej vapës përvëluese. Dorën e majtë e kishte gati të nxirë nga prangat, qysh prej hetuesisë në Tiranë. Kërkonin ta dërgonin në Belgjikë, me mision, te daja juaj. Këtë më tha. Disa herë kishte ardhur vetë Kadri Hazbiu në birucë, por Vilsoni nuk pranoi asnjëherë.

– Rustem, këto i di, se kam folur në mur me Vilsonin dhe Gencin. Unë dua të di çastet e fundit, kur e morën nga biruca.

Rustemi më tregoi:

– Atë natë nuk hëngri, edhe pse iu luta, pasi i kishte ardhur ushqim nga familja. “Ha pak, Vili, nga dora e mamasë tënde e mos u mërzit, s’dihet çfarë ka vendosur Zoti”, – i thashë. Ai ma preu shkurt: “Jo, do të ha më vonë.” Dhe kështu, e ktheva me kurriz nga dera. Rrinte i heshtur, i mpirë. Pas ca orësh u dëgjua fishkëllima e hekurave të derës së korridorit. Unë kisha filluar të dremisja, por sapo i dëgjova që erdhën, brofa në këmbë. Korridori zhurmonte nga hapat e tyre; në fillim hapën derën e Gencit. U dëgjua zhurma e prangave. Mendova se i kishte ardhur falja dhe po e zgjidhnin. U mbyll biruca e tij dhe u hap dera përballë. Aty vetëm heshtje; as fjalë, as lëvizje, asgjë!

Pas pak hapat u drejtuan nga ne. Hapet biruca jonë dhe me vete u binda se erdhi falja. Te dera doli shefi i hetuesisë, Selimi. Brenda u futën dy policë. Kryetari i Degës, Merdar Hasa, nuk hyri; qëndroi në korridor, i shoqëruar nga disa civilë. U ngrita në këmbë dhe u tërhoqa pas murit.

– Zgjoje! – më thërret polici.

– Nuk po fle, – i thashë unë.

Atëherë foli Vilsoni:

– Rustem, më kthe pak. E mora vesh pse kanë ardhur. Sot mbushen 35 ditë, dhe kështu sot më mbarojnë torturat së qëndruari shtrirë, i prangosur, kokë e këmbë.

Axhemi (përgjegjësi i policëve), me çelës në dorë, ia hoqi prangat e këmbëve, ia hoqi edhe zinxhirin që bashkonte këmbët me duart. E ngritën në këmbë, i vendosën një litar te prangat e duarve dhe ia kaluan rreth trupit. Unë vetëm dridhesha. Cepin tjetër të litarit e mbante dikush tjetër.

– Hajde! – thirri një nga ata.

I mora xhaketën dhe ia hodha krahëve. Vilsoni bëri një gjysmë hapi, u ndal dhe u kthye nga unë:

– Rustem, – më thotë me atë zërin e tij burrëror, – ma bëj hallall, më ke shërbyer kaq ditë. Do të të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e si vajti. Unë s’kam pranuar asgjë, pasi nuk bëra asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova. Diana me gocën të shikojnë punën e tyre. Ky qe fati im. Nuk e zgjodha unë. Lamtumirë, Rustem.

Unë shtanga, i mbërthyer pas murit. Ikën. Kërciti përsëri dera e jashtme, ndërsa veshët e mi gumëzhinin papushim: “Rustem, ma bëj hallall… Thuaju… që nuk i kam turpëruar… Diana të shohë punën e saj… me vajzën… që s’e kishte parë me sy…”

Kishin kaluar ca kohë me këto zëra në vesh, kur papritur hapet biruca për të marrë mëngjesin. Nuk më hahej. I luta policit që të më largonte nga ajo birucë. Nuk rrija dot më. Më nxorrën, duke lënë pas Vilsonin me fjalët e tij, batanijen dhe tasin e supës në cep të birucës.

Me njërën dorë Rustemi mbante cigaren e me tjetrën fshinte lotët që i rridhnin mbi faqe. Dhe unë, që e dëgjoja, kisha dalldisur fare nga kjo botë.

Rustemi më tregoi se kishte qenë 5 ditë në birucë me Gencin. Ishte i llahtarisur, sepse nuk kishte parë ndonjëherë një njeri të lidhur kokë e këmbë ashtu si Gencin.

– Edhe pse ishte i tronditur, Gencit i thashë: “Çfarë the ashtu në gjyq, pse e bëre këtë?” Ai ishte i lotuar dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje. Kërkoi nja dy a tri herë rojes t’i sillnin shefin e hetuesisë, Selim Cakën, por ai nuk u duk asnjëherë. Këto fjalë m’i tha me lot në sy.

Ne foto .
——
Vilson Blloshmi
Rustem Dashi

Kujtim. Cekani

Written by: WindowRadio.de

Rate it