Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Në vizionin e francezëve, brenda Europës së Bashkuar Franca është ushtria e Gjermania është ekonomia (prodhimi). Mirëpo Gjermania prej disa vitesh ka filluar të drejtojë ekonominë e vet prodhuese drejt industrisë ushtarake, dhe planifikon një buxhet aq të madh për ushtrinë, sa që do të bëhet e katërta në botë nga ky aspekt. Kjo e shqetëson Francën, e cila nuk ka sektor tjetër ku mund të dalë “në ballë”.
Dihet gjithashtu, prej disa vitesh tashmë, se mes Turqisë e Izraelit po ndodh një shkëputje e divergjencë. Disa thonë se një pjesë e ngjarjeve tragjike në Lindjen e Mesme janë nga pak shkak, po më së shumti pasojë e kësaj divergjence. Arsyeja mendohet të jetë avancimi i një projekti ku është pjesë edhe Greqia e Qiproja, për një korridor që furnizon Europën me energji nga jugu, përmes Mesdheut, gjë që nxjerr jashtë harte Turqinë, e cila deri më tash është një ndër portat kryesore për hyrjen e energjisë aziatike në Europë. Kjo mund të jetë një ndër arsyet pse furnitorët turq me lëndë të parë po ndërpresin kontratat me industritë izraelite, dhe Izraeli po përpiqet t’i zëvendësojë ata me furnitorë edhe nga Ballkani, përfshi nga Kosova e Shqipëria, për aq sa kemi prodhim ne, kryesisht agrikulturor.
Intensiteti i fërkimeve në rastin e parë është më i ulët, në rastin e dytë më i zëshëm e më i avancuar.
Edi Rama duket se në këto dy çështje delikate, ka vënë bast më të madh te Izraeli e te Franca.
Vizitat në Izrael, pritjet zyrtare për udhëheqësit kurdë bash në kohën kur Turqia pret samitin e NATO-s, integrimi i Izraelit në arkitekturën e sigurisë përmes nismave për akademi të përbashkët ushtarake, këto tregojnë se aq gurë sa ka në peshoren e vet, Rama i ka vënë në këtë anë. Veç këtyre, nga informacionet “e rrjedhura” në ambientin e kontrolluar mediatik të Tiranës, për një çështje që po hetohet për korrupsion të nivelit të lartë, siç është tuneli i Llogarasë, ka tendenca që faji t’u shkarkohet mbi shpinë udhëheqësve turq. Dikush mendon se kur Rama sulmon “përfshirjen e Iranit” në protestë, në fakt e ka me Turqinë dhe pjesë të komunitetit që mund të ndikohen prej saj. Irani nuk është e nuk ka se si të jetë prezent në Shqipëri, aq më pak të ketë mijëra e dhjetëra mijëra njerëz.
Por edhe vizita e mbrame te Macroni, me solemnitet por pa transparencë për arsyet e temat, u mbajt pikërisht në kohën e protestave të mëdha, të cilat mediat zyrtare gjermane, Deutsche Welle e Reuters, i transmetojnë live. Zhgënjimi i gjermanëve nga Rama thuhet se ka filluar qysh në mandatin e fundit të zonjës Merkel, sepse Rama vazhdimisht përpiqej t’i bënte “karshillëk” procesit të Berlinit me iniciativa si Minischengen apo Open Balkan, apo me mbështetjen për ndryshimin e kufijve dhe copëtimin e Kosovës. Konflikti thuhet se është thelluar pas vendosmërisë së Ramës për të mbrojtur ish-ministren e tij të infrastrukturës, të cilën e mbrojti më shumë dhe më fort se çdo ministër, deputet a kryebashkiak, që kur ia ka kërkuar SPAK, i ka dërguar në burg. U fol në qarqe mediatike se edhe “kokat” e ministrave shkojnë, nëse dyshohet se komunikojnë pas shpine me “armikun gjerman”. Është thuajse e qartë se kjo “mbrojtje shtetërore” i ka kushtuar Shqipërisë në procesin e integrimit europian, ku deri në fund të 2025 printe, e tash prin Mali i Zi, ndoshta edhe Moldavia mund të ketë dalë përpara duke e lënë Shqipërinë për momentin disi më mbrapa, gjë për të cilën mund të ketë edhe përpjekje për t’ua lënë fajin protestave nëse ato shfaqin shenja ekstremizmash – por fatmirësisht protesta ka treguar pjekuri.
Çka sheh një kryetar shteti, ne nuk e shohim dot, pra gjithnjë në analiza jemi të kufizuar. Mirëpo historinë mund ta njohim të tërë, dhe e dimë se – teksa Izraeli e Franca janë padyshim vende mike të Shqipërisë – brenda BE-së fuqitë tradicionalisht të lidhura me Ballkanin kanë qenë Gjermania e Europa Qendrore, ndërsa brenda NATO-s fuqia rajonale më e madhe në lindje të Europës e të Mesdheut, që pritet të furnizojë me mbrojtje e stabilitet, është Turqia. (Megjithatë urojmë që në të ardhmen Shqipëria të mos ketë nevojë për deklarata mbrojtëse si ajo e ish-ministres së jashtme turke zonjës Çiller, e cila në 1997 bash në mes të krizës, vizitoi Tiranën dhe paralajmëroi fqinjët e Shqipërisë që as të mos e mendojnë prekjen e kufijve).
Një divergjencë tjetër, fatkeqësi e kohëve tona, është ndarja e udhëve mes SHBA dhe BE, që shpresojmë të jetë e përkohshme bashkë me dy të tjerat. Në këtë divergjencë Rama ende nuk i ka vënë gurët e tij në njërën anë, ama jo pse është i kujdesshëm. Ai siç duket është përpjekur të dërgojë sinjale për të testuar se a mund të përfitojë diçka nëse vë atë bast. Sinjalet diku kanë patur formë lobimi, diku formë McGonigali, diku formë Sazani, por deri më tash nuk kanë patur ndonjë feedback pozitiv. Ka mundësi madje që udhëheqësi amerikan ta përjetojë përmendjen e tij e të familjes së tij në media amerikane e botërore në lidhje me protestat kundër korrupsionit në Shqipëri, si barrë të bezdisur e të paleverdisshme, sidomos në muajt para zgjedhjeve midterm që përcaktojnë dy vitet e fundit të presidencës së tij.
Nuk është çështja se a do ta fitojë Rama këtë apo atë bast gjeopolitik, pyetja është a e ka luksin një vend i përmasave tona të vërë baste të tilla? Këto nisma peshojnë rëndë edhe kur vijnë prej vendeve “të vogla” a politikanëve “të lehtë”, dhe ndonjëherë mund të kushtojnë më shtrenjt se gjithë starkitektët e marrë së bashku. Më tepër se strateg, në qarqet ku bëhet strategjia, kryeministri i Shqipërisë rrezikon të perceptohet si aventurier apo si pehlivan.
Shkruan Arbër Zaimi:
Written by: WindowRadio.de
Copyright WindowRadio.de