Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Politikë

Delina Ibrahimaj: Nga Tirana e tranzicionit te Shqipëria që synon Europën – faktet flasin për ndryshimin

todayJuly 5, 2026 16

Background
share close

Në një reflektim të gjatë mbi rrugëtimin e Shqipërisë gjatë dekadave të fundit, ministrja Delina Ibrahimaj ndalet te përvoja e saj personale si pjesë e brezit që u rrit në vitet e vështira të tranzicionit dhe e lidh atë me transformimet që, sipas saj, ka përjetuar vendi. Duke rikujtuar Tiranën e pasigurt të fillimviteve të demokracisë dhe duke e krahasuar me kryeqytetin e sotëm, Ibrahimaj ndërton një narrativë që ndërthur kujtesën personale me zhvillimet ekonomike dhe institucionale të Shqipërisë. Në mesazhin e saj, ajo vë theksin te rëndësia e reformave, investimeve dhe stabilitetit ekonomik, duke argumentuar se progresi i vendit nuk është rastësi, por rezultat i një pune të vazhdueshme ndër vite. Përmes shembujve konkretë mbi rritjen ekonomike, pagat, pensionet dhe klimën e biznesit, Ibrahimaj shpreh bindjen se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ndërsa nënvizon se sfida e radhës mbetet përmirësimi i mëtejshëm i cilësisë së jetës dhe përmbushja e objektivit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në vijim, reagimi i plotë i saj.

Unë jam rritur në Tiranë. Në një Tiranë krejt ndryshe nga ajo që njohim sot. Në rrugët e saj kam përjetuar vitet e para të demokracisë, me pasiguritë, tensionet dhe vështirësitë që shumë prej nesh i mbajnë mend ende. Ishte një kohë kur e ardhmja dukej e paqartë, kur dhuna politike, kaosi dhe mungesa e shpresës ishin pjesë e realitetit të përditshëm.

Prandaj, sa herë shoh pamje të atyre ditëve në Tiranë, më rikthehet në mendje rruga e gjatë që kemi bërë si shoqëri. Më kujtohet sa shumë kemi luftuar për të ndërtuar një vend më të sigurt, më modern dhe me më shumë mundësi për secilin.

I përkas atij brezi që u rrit në Tiranën e tranzicionit. Brezit që përjetoi sfidat e demokracisë, që votoi për herë të parë me besimin se ky qytet dhe ky vend mund të ndryshonin. Brezit që pa Tiranën të çlirohej nga kaosi, nga pushtimi i hapësirave publike dhe nga mijëra kioska që kishin zënë trotuaret, sheshet dhe hapësirat e përbashkëta, për t’u shndërruar gradualisht në një kryeqytet modern dhe europian.

Jam gjithashtu nga ai brez që, në një kohë të vështirë për vendin, pati mundësinë të studionte jashtë dhe zgjodhi të rikthehej në Shqipëri për të dhënë kontributin e vet. Ashtu si shumë bashkëmoshatarë të mi, besova se ndryshimi ndërtohet nga njerëzit që punojnë çdo ditë për vendin e tyre.

Kujtesa ka vlerë, sepse na kujton se progresi është fryt i punës, reformave dhe vendimeve që japin rezultat me kalimin e kohës.

Sot Shqipëria është më e fortë ekonomikisht dhe më e qëndrueshme. Rritja ekonomike mbetet ndër më të lartat në rajon dhe mbi mesataren e Bashkimit Europian. Investimet e huaja janë rritur, bizneset po shtohen dhe papunësia ka rënë në nivelet më të ulëta historike.

Këto zhvillime janë përkthyer në më shumë mirëqenie për qytetarët. Paga minimale ka arritur në 50 mijë lekë, paga mesatare është dyfishuar dhe pensioni mesatar është më shumë se dyfishuar.

Jam krenare për këto arritje, por edhe më e vetëdijshme për përgjegjësinë që kemi për të vazhduar më tej: me paga më të larta, pensione më dinjitoze, një ekonomi më produktive, më inovative, biznese më konkurruese dhe më shumë mundësi për çdo të ri që zgjedh ta ndërtojë të ardhmen në Shqipëri.

Ndaj edhe sot zgjedh të flas me fakte, sepse faktet janë dëshmia më e mirë e punës sonë. Shpresoj që një ditë edhe fëmijët tanë të na shohin me të njëjtën mirënjohje me të cilën ne kujtojmë prindërit tanë, brezin që solli demokracinë. Që edhe ata të mund të thonë se bëmë pjesën tonë për një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe anëtare të Bashkimit Europian.

Sepse rruga drejt Europës matet me cilësinë e jetës së njerëzve, me mundësitë që krijojmë dhe me vendimet që u shërbejnë brezave që vijnë.

Written by: WindowRadio.de

Rate it