Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Politikë

Dikush t’i kujtojë Ramës se është Kryeministër:

todayJune 7, 2026 18

Background
share close

Qytetarët mund të gabojnë. Ata mund të kenë gjykime të gabuara, qëndrime të nxituara, madje edhe kërkesa të pabazuara apo tëtepruara. Kjo është e drejta e tyre si qytetarë në një demokraci të kërkojnë pandalshmërisht llogari. Ndërsa kryeministri ka detyrimin të dëgjojë, të përfaqësojë dhe të ruajë respektin institucional ndaj çdo qytetari, pavarësisht nëse bie dakord me të apo jo. Pikërisht këtu Edi Rama gabon në mënyrë të përsëritur. Jo sepse protestuesit janë të pagabueshëm. Jo sepse çdo protestë është domosdoshmërisht e drejtë. Por sepse njeriu që mban detyrën më të lartë ekzekutive në vend nuk flet në emrin e vet, nuk flet si komentues politik dhe as si militant partie. Ai flet në emër të shtetit, në lartësinë dhe përgjegjësinë e detyrës që ka. Nëse një protestues përdor fjalë të rënda ndaj qeverisë, kemi të bëjmë me një qytetar që shpreh revoltën e tij. Por kur Kryeministri përdor të njëjtën logjikë ndaj protestuesve, kemi të bëjmë me institucionin që zbret në nivelin e konfliktit që duhet të administrojë. Qeveria nuk është krijuar për të dashur vetëm ata që e votojnë, por edhe për ata që e kundërshtojnë, protestojnë, apo abandonojnë. Prandaj dallimi nuk është mes atyre që janë poshtë selisë së kryeministrisë dhe atij që është brenda saj. Dallimi është mes qytetarit dhe institucionit. Qytetari mund të flasë nga zemërimi, ndërsa institucioni flet nga përgjegjësia. Qytetari mund të gabojë, institucioni jo
Sepse forca e një Kryeministri nuk matet nga mënyra se si u përgjigjet mbështetësve të vet. Matet nga mënyra se si sillet me ata që e kundërshtojnë atë dhe politikat e tij. Pikërisht këtu Edi Rama çalon. Jo sepse përballet me qytetarë që e kundërshtojnë, por sepse shpesh zgjedh t’i trajtojë ata si armiq politikë dhe jo si qytetarë të Republikës që ai ka detyrimin t’i qeverisë. Ai flet për qytetarët që protestojnë sikur të ishin kundërshtarë personalë ose rivalë politikë për t’u mundur, duke harruar se ata mbeten qytetarë të këtij vendi edhe kur gabojnë, edhe kur e kundërshtojnë. Përçmimi mund të jetë armë e politikës së ditës, por nuk mund të jetë kurrë gjuha e një Kryeministri që qeveris në emër të të gjithëve. Edi Rama harron shumë shpesh që është kryeministër jo aktor stand up komedie.

Shkruan Denis Dyrnjaja:

Written by: WindowRadio.de

Rate it