Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Sociale

Çfarë je ti kur nuk ke askënd për të përdorur?

todayJuly 26, 2026 6

Background
share close

Historia njerëzore përfshin edhe atë kategori njerëzish që, në thellësi të vetes, ndien se nuk ka arritur të bëhet ai që kishte ëndërruar. Nuk ka ndërtuar një vepër që ta përfaqësojë, nuk ka krijuar një identitet që të qëndrojë më vete, nuk ka gjetur brenda vetes atë burim vlere që nuk ka nevojë për duartrokitje. Dhe, pikërisht atëherë, nis kërkimi për një rrugë tjetër, në vend që të ndërtojë veten, përpiqet të përdorë të tjerët për t’u ndërtuar.
Këta njerëz nuk duan të bëhen dikushi përmes asaj që janë, por përmes asaj që mund të marrin nga të tjerët.
Këta duan vetëm jehonën e emrit dhe duartrokitjet. Ata kërkojnë pasqyrën, kërkojnë një burim prestigji, sigurinë, mundësi apo identitet, për të mbushur një boshllëk që ata vetë nuk kanë ditur ta mbushin.
Psikologjia shpjegon se është vetëvlerësimi i brishtë kërkon mbështetje të jashtme. Kur njeri ndërton veten mjaftueshëm nga brenda, atij nuk i duhet një imazh të madh për veten, as zotërimi, as kontrolli i njerëzve që arrin të ketë pranë. Në të kundërt, marrëdhënia me tjetrin rrezikon të mos jetë më një takim mes dy qeniesh të lira, por një marrëdhënie përdorimi.
Por ajo që ndërtohet mbi jetën e tjetrit nuk është kurrë plotësisht e jotja.
Mund të marrësh emrin e dikujt, por jo vlerën e tij. Mund të përdorësh lidhjet e dikujt, por jo meritën e tij. Mund të qëndrosh pranë dritës së dikujt tjetër, por kjo nuk të bën ty burim drite.
Dhe kështu, njeriu shndërron njeriun në instrument.
Në fillim e admiron pastaj e afron. Më pas përfiton. Dhe, kur interesi ndryshon, edhe njeriu ndryshon vendin, nga i domosdoshëm bëhet i panevojshëm, nga i dashur bëhet i përdorur, nga bashkëudhëtar bëhet shkallë.
Kjo është tragjedia e një njeriu që nuk di të ndërtojë veten, por kërkon të ngjitet duke shkelur mbi atë që dikur e mbajti lart por njëherazi edhe e njeriut që ul shpinën.
Por ekziston një e vërtetë që as manipulimi, as pushteti, as shfrytëzimi i të tjerëve nuk mund ta ndryshojë:
Identiteti nuk merret hua.
Vlera nuk trashëgohet nga marrëdhëniet.
Dinjiteti nuk ndërtohet mbi sakrificën e tjetrit.
Dhe madhështia e vërtetë nuk lind nga pyetja: “Kë mund të përdor për t’u bërë dikushi?”
Ajo lind nga pyetja shumë më e vështirë: “Cilat janë prirjet e mia të vërteta që mund të më mbajnë mbi shpatullat e mia?
Ndoshta këtu qëndron edhe dallimi midis një njeriu që rritet dhe një njeriu që vetëm duket se ngrihet.
I pari ndërton veten.
I dyti ndërton një skenë.
I pari kërkon të ketë vlerë.
I dyti kërkon të duket me vlerë.
Dhe kur perdja bie, mbetet gjithmonë pyetja më e pamëshirshme:

Çfarë je ti, kur nuk ke më askënd për të përdorur?

Shkruan Irena Dragoti:

Written by: WindowRadio.de

Rate it