Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Rajon

LETËR E HAPUR QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SËRBISË:

todayJuly 23, 2026 3

Background
share close

Nuk ia drejtoj këtë letër të ashtuquajturës ministre të Sërbisë,, që deklaroi se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do ta kishte përfunduar spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Historia është plot me njerëz që kanë zgjedhur të flasin si jehona të së kaluarës. E të flasin me gjuhën e urrejtjes. Problemi nuk janë ata dhe ekzistenca e tyre. Ata nuk meritojnë të bëhen qendra e debatit.
Kjo letër ju drejtohet juve, Qeverisë së Sërbisë!
Sepse heshtja juaj flet më shumë se deklarata e saj. Nuk po ju shkruaj për t’iu bindur. Sepse mendjet nuk ndryshojnë nga një letër, sado e fuqishme dhe bindëse të jetë ajo.
Po ju shkruaj , për të lënë edhe një dokument më shumë për heshtjen tuaj të turpit.
Sepse problemi fillon kur shteti hesht!
Kur ministrja juaj del hapur me një deklaratë fashiste, dhe vazhdon ta mbajë postin , atëherë kjo nuk është më një ‘’gafë ‘’ politike. Dhe problemi nuk është më një individ. Problemi është kultura politike që e toleron një mendësi të tillë.
Kjo nuk është thjesht mungesë ndjeshmërie ndaj viktimave shqiptare. Është normalizim i një ideologjie që mendohej se kishte mbetur në muzeun e tmerreve të shekullit të kaluar.
Edhe më shqetësuese është, që deklarata e saj jo vetëm nuk u dënua, por u mbështet dhe u relativizua, nga figura të rëndësishme të pushtetit.
Në këtë pikë, ministrja nuk është më problemi.
Problemi është mendësia.
Një mendësi që krimin vazhdon ta shohë si dështim, vetëm sepse nuk u përfundua.
Një mendësi ,që ende nuk do ta kuptojë se spastrimi etnik nuk është projekt politik i papërfunduar, por krim kundër njerëzimit.
Ju kërkoni respekt në Evropë.
Kërkoni integrim.
Kërkoni besim .
Madje kërkoni që bota ta shohë Sërbinë si faktor stabiliteti.
Sa interesante !
Pretendimet tuaja sot, nuk ndërtohen mbi nostalgjinë për krimet.
Një shtet që nuk gjen forcën morale të distancohet nga nostalgjia për Millosheviqin dhe të bëmat e tij, kërkon të bindë botën se është i gatshëm për të ardhmen!
Nuk është Evropa ajo që duhet të bindet !
Është ndërgjegja juaj ! E pabindur !
Po aq shqetësuese është heshtja e Bashkimit Evropian dhe organizmave tjerë ndërkombëtarë. Me përjashtime të vogla të prononcimeve të vakta të individëve të tyre.
Nëse një deklaratë fashiste si kjo nuk meriton reagim të qartë , të pakompromis, dhe dënim e ndëshkim të merituar, atëherë shtrohet pyetja cilët janë kufijtë e papranueshmërisë ?
Apo ndoshta kujtesa historike funksionon sipas kombësisë së viktimave?
Nëse një ministre e një shteti evropian do të shprehte keqardhje që Holokausti nuk ishte përfunduar, Evropa e tronditur do të ngrihej në këmbë !
Kur viktima janë shqiptarët, duket se shumëkush zgjedhë heshtjen!
Natyrshëm shtrohet pyetja drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës ? 27 vjet pas luftës çfarë ndodhi me padinë ndërkombëtare të Kosovës për gjenocid mbi shqiptarët?
Sa kohë duhet të kalojë që drejtësia ndërkombëtare të mos trajtohet më si një premtim i shtyrë pafund.
E Kujtesa nuk mbrohet vetëm më Akademi përkujtimore.Ajo mbrohet me veprim juridik, diplomatik dhe politik.
Në fund dua të them vetëm një gjë.
Kosovën nuk e humbët sepse ua mori dikush.
E humbët sepse politika e urrejtjes nuk fiton.
Historia nuk u tregua e padrejtë me Sërbinë.
Historia ishte pasojë e zgjedhjeve që bëri politika e Sërbisë !
Historia mund të vonojë.
Por ajo rrallë gabon.
Sot Kosova është shtet i lirë dhe sovran.
Ky është realitet.
Nuk ndryshohet me deklarata ministrash, e as nga nostalgjia për regjimet e rrëzuara.
Nuk ndryshohet me mall për Millosheviqin.
Nuk ndryshohet duke edukuar breza të rinj me bindjen se krimi është i drejtë, por i papërfunduar.
Nëse vërtetë dëshironi paqë në Ballkan , mos ua mësoni të rinjve si të vajtojnë humbjen e Kosovës.
Mësojuni si të mos vajtojnë dështimin e një politike kriminale.
Sepse Ballkani nuk ka nevojë për breza që trashëgojnë urrejtjen. Ka nevojë për breza që kanë guximin ta refuzojnë atë.
Dhe, para se t’i kërkoni Evropës t’ju hapë dyert, provoni ju të mbyllni një tjetër derë.
Derën nga e cila vazhdon të hyjë hija e krimit në politikën sërbe.
Sepse për aq kohë sa ajo derë të jetë e hapur, problemi i Sërbisë nuk është vetëm e kaluara. Problemi i saj vazhdon të mbetet një pjesë e së kaluarës e cila ende qeverisë mendjet e të tashmes . Prof. Dr. Luljeta Pula

Written by: WindowRadio.de

Rate it