Mesazhi Yt
Deti Ju ftoj të më ndiqni në emisionin argëtues Pa Kufij. Bëhuni pjesë duke telefonuar në nr e WhatsApp: +49 176 22757460 Bledi Pershendesim te gjithe degjuesit e WindowRadio.de dhe i ftojme te qendrojne ne shoqerine e radios sone!

Kronikë

Nuk jam vrasës me dashje, kërkoj drejtësi.

todayJuly 4, 2026 12

Background
share close

Erjon Llapushi ka reaguar për herë të parë publikisht pasi u dënua me 17 vite burg për vrasjen e kamarierit në Elbasan. Në një deklaratë të gjatë me titull “Një gjykatë, dy standarde”, ai shprehet se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi, duke kundërshtuar kualifikimin e veprës penale si “vrasje me dashje”.

Sipas Llapushit, ngjarja ka ndodhur pas një goditjeje të vetme me grusht, pa përdorimin e armëve, pa planifikim, konflikt të mëparshëm apo qëllim për të vrarë. Ai thotë se tragjedia do ta rëndojë gjithë jetën, por këmbëngul se nuk ka pasur dashje për të shkaktuar vdekjen e viktimës.

Në reagimin e tij, Llapushi thekson se familja e viktimës ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me familjen e tij përmes një akti noterial, duke ngritur pyetjen nëse ky fakt është vlerësuar nga drejtësia. Ai sjell edhe krahasime me çështje të tjera gjyqësore, duke pretenduar se në raste me rrethana më të rënda nuk është aplikuar akuza për vrasje me dashje

Llapushi hedh gjithashtu akuza ndaj institucioneve, duke pretenduar se është përndjekur prej vitesh dhe se është ekspozuar padrejtësisht si një nga personat më të kërkuar në vend. Ai deklaron se do të kërkojë verifikime për mënyrën se si është trajtuar çështja e tij, përfshirë edhe pretendimet për përgjime në banesën ku jetonin bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij.

Në përfundim të deklaratës, Llapushi shprehet se do të vazhdojë betejën ligjore për të kërkuar, sipas tij, të vërtetën dhe barazinë para ligjit, duke theksuar se nuk pranon të cilësohet si “vrasës me dashje” dhe se do ta ndjekë çështjen në çdo institucion.

Deklaratë publike nga Erjon Llapushi
Unë jam Erjon Llapushi.
Sotnuk po flas për t’i ikur përgjegjësisë. Po flas për të kërkuar të vërtetën.
Një jetë ka humbur. Këtë nuk e kam mohuar kurrë. Përballë dhimbjes së familjes së të ndjerit,
kam qëndruar me kokë ulur. Por një tragjedi nuk duhet të kthehet në një padrejtësi tjetër.

Unë jam dënuar për vrasje me dashje. Për një ngjarje ku ka pasur vetëm një goditje me grusht.
Nuk ka pasur armë.
Nuk ka pasur thikë.
Nuk ka pasur sende të forta.
Nuk ka pasur plan.
Nuk ka pasur pritë.
Nuk ka pasur konflikt të mëparshëm.
Nuk ka pasur njohje të mëparshme.
Nuk ka pasur qëllim për të vrarë.
Unë nuk po them se nuk ka ndodhur tragjedi. Ka ndodhur. Dhe ajo tragjedi do të më rëndojë
gjithë jetën.
Por unë po them se nuk kam vrarë me dashje. Dashja nuk shpiket. Dashja provohet.
Nuk mjafton pasoja e rëndë për ta quajtur një njeri vrasës me dashje. Duhet të provohet që ai
ka dashur pasojën, ose e ka pranuar atë me ndërgjegje.
Unë nuk e kam dashur. Nuk e kam kërkuar. Nuk e kam pranuar vdekjen e askujt.
Prandaj pyes publikisht: Si mund të quhet vrasje me dashje një goditje e vetme me grusht? Pa
armë. Pa plan. Pa konflikt të mëparshëm. Pa qëllim për të vrarë.
Unë nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi. Nuk kërkoj favor. Kërkoj të njëjtin standard si çdo qytetar tjetër.
Familja e të ndjerit, me gjithë dhimbjen e saj, ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me
familjen time. Kjo është bërë me akt noterial.
AKT NOTERIAL
22.12.2021
Në këtë akt deklarohet se marrëdhëniet mes familjeve janë normalizuar. Deklarohet gjithashtu
se familja ime ka kërkuar ndjesë për ngjarjen e ndodhur.
Kjo nuk e kthen jetën pas. Nuk e fshin dhimbjen. Nuk e zhduk tragjedinë.
Por tregon diçka shumë të rëndësishme: Ata që kishin dhimbjen më të madhe pranuan
normalizimin.
Familja që humbi njeriun e saj gjeti forcën për paqe. Drejtësia, ndërkohë, zgjodhi akuzën më
të rëndë.

2
A u pa ky akt me peshën që meritonte? A u vlerësua qëndrimi i familjes së të ndjerit?
Apo u morën vetëm ato që rëndonin mbi mua, dhe u lanë mënjanë ato që tregonin të vërtetën
njerëzore të kësaj ngjarjeje?
Në Shqipëri ka pasur raste ku edhe me rrethana më të rënda, gjykatat kanë arritur në
përfundimin se nuk ka pasur vrasje me dashje.
Rasti i Rei Matës është një nga rastet më të njohura publikisht. Aty ka pasur konflikt, goditje
të shumta dhe dinamikë më të gjatë.
Megjithatë, drejtësia arriti në përfundimin se nuk provohej dashja për vrasje.
Atëherë unë pyes: Pse për mua u zgjodh kualifikimi më i rëndë?
Pse në një rast shihet pakujdesi, ndërsa në rastin tim shihet dashje?
Kjo nuk është vetëm çështja ime. Kjo është çështje standardi. Sepse ligji duhet të jetë i njëjtë
për të gjithë.
Kur ligji nuk zbatohet njësoj, nuk kemi më drejtësi. Kemi dy peshore. Kemi dy standarde.
Por padrejtësia ndaj meje nuk filloi vetëm në gjykatë. Ajo filloi edhe më herët, kur Policia e
Shtetit më vendosi publikisht mes pesë personave më të kërkuar në Shqipëri.
Unë pyes sot publikisht: A isha unë rreziku më i madh për këtë vend? A isha unë njeriu që
duhej të paraqitesha si armik publik?
Në një vend ku qytetarët shohin çdo ditë njerëz me lidhje politike, me mbështetje pushteti, me
miq në institucione, me mbrojtje nga deputetë, ministra apo njerëz me ndikim, si ka mundësi
që mua më kthyen në tabelë publike?
Si ka mundësi që emra të rëndë, të përfolur për krime, për lidhje kriminale, për pasuri të
dyshimta, dhe për ndikim mbi shtetin, shpesh nuk preken, nuk përmenden, nuk ekspozohen,
ndërsa mua më nxorën para gjithë Shqipërisë si një nga më të rrezikshmit?
Dhe sot, me indinjatë të madhe, deklaroj publikisht se unë kam arsye serioze të besoj se prej
vitesh ka ekzistuar një dorë brenda Policisë së Shtetit, një dorë që pretendon se është e fshehtë,
por që për mua nuk ka qenë aspak e padukshme në pasojat që ka prodhuar.
Për jo më pak se 13 vite, unë kam ndjerë mbi vete një përndjekje të heshtur, një përpjekje të
vazhdueshme për të më dëmtuar, për të më goditur, për të më vendosur në shënjestër, për të
më dëmtuar imazhin, për të më baltosur publikisht, dhe për të krijuar rreth meje një figurë që
nuk përputhet me të vërtetën time.
Unë nuk po e them këtë si akuzë të lehtë. Nuk po e them për të krijuar zhurmë. Po e them
sepse heshtja ime është keqpërdorur për shumë vite. Nëse ka një njeri, një grup njerëzish, apo një dorë të fshehur që ka vepruar pas institucioneve,
pas uniformës, pas raporteve, pas informacioneve, pas emrit të Policisë së Shtetit, atëherë sot
unë i them publikisht: Ndalo, sa nuk je vonë.
Ndalo, sepse asnjë uniformë, asnjë zyrë, asnjë lidhje, asnjë hije pushteti, nuk mund të mbulojë
pafundësisht një padrejtësi.
Ndalo, sepse unë nuk do të hesht më.

3
Do të kërkoj verifikim. Do të kërkoj akte. Do të kërkoj përgjegjësi. Do të kërkoj të di kush ka
vepruar kundër meje, kush ka ndikuar, kush ka ushqyer këtë imazh, kush ka shtyrë këtë
goditje, dhe kush ka përfituar nga baltosja ime publike.
Nëse kjo dorë mendon se është e fshehtë, gabohen. Sepse pasojat që ka lënë mbi jetën time,
mbi familjen time, mbi fëmijët e mi, dhe mbi emrin tim, janë shumë të dukshme.
Unë nuk kërkoj hakmarrje. Kërkoj të vërtetën. Por të vërtetën do ta kërkoj deri në fund.
Dhe kujtdo që për 13 vite ka menduar se mund të më dëmtojë pa dhënë llogari, i them edhe një
herë: Ndalo, sa nuk je vonë.
Kjo nuk ishte thjesht procedurë. Kjo ishte goditje publike. Ishte baltosje. Ishte dënim mediatik
përpara se të mbaronte drejtësia.
Mua nuk më trajtuan si një qytetar që duhej të përballej me ligjin. Mua më trajtuan si shembull
publik. Si kurban. Si njeri që duhej ekspozuar, damkosur dhe dënuar në sytë e opinionit.
Përpara meje, ky vend ka pasur dhe ka njerëz shumë më të rrezikshëm për shoqërinë. Njerëz
me pushtet real. Njerëz me para të pista. Njerëz me lidhje të forta. Njerëz që nuk i prek askush,
sepse kanë mbrojtje, kanë miq, kanë krahë politikë.
Por mua, që nuk kisha as armë, as grup kriminal, as strukturë, as pushtet, më vendosën mes
pesë më të kërkuarve. Më bënë fytyrë publike të një rreziku që nuk isha.
Kjo është një nga plagët më të mëdha të kësaj çështjeje. Sepse kur shteti të vendos në
shënjestër publike, media të dënon përpara gjykatës, familja përjeton turp, frikë dhe presion,
dhe fëmijët rriten me emrin e babait të baltosur padrejtësisht.
Unë nuk po them se nuk duhej të përballesha me ligjin. Unë po them se nuk duhej të më
kthenin në spektakël publik. Nuk duhej të më përdornin për propagandë. Nuk duhej të më
paraqisnin si kriminel të rrezikshëm, kur çështja ime lidhej me një ngjarje tragjike, me një
goditje të vetme, dhe pa qëllim për të vrarë.
Në Shqipëri, shpesh ai që ka mik të fortin, politikën, ministrin, deputetin, apo njerëz brenda
sistemit, nuk preket lehtë.
Ndërsa ai që nuk ka mbrojtje, bëhet shembull. Bëhet kurban. Bëhet lajm. Bëhet titull. Bëhet
armik publik.
Kjo është arsyeja pse unë flas sot. Jo vetëm për vendimin. Jo vetëm për dënimin. Por për
mënyrën si u ndërtua imazhi im publik. Për mënyrën si u përdor emri im. Për mënyrën si u
godit familja ime. Për mënyrën si u krijua përshtypja se unë isha një nga njerëzit më të
rrezikshëm në Shqipëri.
Unë nuk isha një kriminel me strukturë. Nuk isha pjesë e ndonjë bande. Nuk isha njeri me
pushtet kriminal. Nuk isha kërcënim publik për Shqipërinë.
Isha një njeri i përfshirë në një ngjarje tragjike, për të cilën duhej të gjykohesha sipas ligjit, jo
të shkatërrohesha publikisht përpara popullit.
Prandaj sot kërkoj që të verifikohet edhe roli i institucioneve në këtë baltosje publike. Kush
vendosi që unë të futesha mes pesë më të kërkuarve? Mbi cilat kritere? Me çfarë arsyetimi?
Me çfarë rrezikshmërie konkrete? Pse unë? Pse në atë mënyrë? Pse me atë goditje mediatike?

4
Nëse shteti ka vepruar sipas ligjit, le t’i tregojë aktet. Por nëse emri im është përdorur për të
prodhuar propagandë, për të fshehur dështime, ose për të treguar forcë mbi një njeri pa
mbrojtje, atëherë kjo kërkon përgjegjësi.
Unë nuk do ta pranoj që emri im të përdoret si mbulesë për padrejtësitë e sistemit. Nuk do ta
pranoj që familja ime të mbajë mbi shpinë një turp publik që nuk i takon. Nuk do ta pranoj që
fëmijët e mi të rriten me një damkë të krijuar padrejtësisht nga institucione që duhet të
mbronin ligjin, jo ta përdornin për spektakël.
Çështja ime fillimisht u regjistrua për plagosje. Më pas, pasi çështjen e mori në hetim
prokurori Kreshnik Ajazi, akuza mori drejtimin më të rëndë: vrasje me dashje.
Nga ai moment, familja ime ka ndjerë një intensitet të pazakontë, një këmbëngulje të
pazakontë, dhe një ashpërsi që nuk përputhej me rrethanat reale të ngjarjes.
Ne kemi arsye serioze të kërkojmë verifikim institucional, nëse në fazën e Apelit ka pasur
ndërhyrje, ndikim apo kërkesa që ndaj meje të kërkohej dënimi maksimal.
Nëse kjo nuk është e vërtetë, institucionet le ta sqarojnë me akte. Por nëse është e vërtetë,
atëherë kjo është goditje ndaj drejtësisë.
Unë dua të di: A u gjykova nga gjykata, apo u shty procesi im nga njerëz jashtë gjykatës?
A u pa çështja ime me qetësi juridike, apo dikush kërkoi me çdo kusht që unë të merrja
dënimin më të rëndë?
Një tjetër plagë e rëndë për familjen time është përgjimi në banesë.
Në atë banesë nuk jetonte vetëm një emër në dosje. Aty jetonte gruaja ime. Aty jetonin katër
fëmijët e mi të mitur.
Aty kishte jetë familjare. Kishte fëmijë. Kishte frikë. Kishte net pa gjumë. Kishte lot. Kishte
lutje.
Dhe në atë banesë janë vendosur pajisje përgjimi. Kur shteti hyri aty, nuk hyri vetëm në jetën
time. Hyri në zemër të familjes sime.
Hyri në dhomën ku flinin fëmijët e mi. Hyri në jetën e gruas sime. Hyri në sofrën tonë. Hyri në
heshtjen tonë.
Dhe sot unë pyes: Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë?
Aty nuk është prekur vetëm një i pandehur. Aty është prekur një grua me katër fëmijë të mitur.
Kush e kontrolloi proporcionalitetin e kësaj mase? Kush garantoi që kjo masë të mos kthehej
në abuzim?
Sipas konstatimeve të familjes sime, një pajisje përgjimi ishte vendosur në një prizë elektrike
dhe krijoi mbinxehje. Në atë banesë jetonin fëmijë.
Kjo nuk është gjë e vogël. Kjo nuk mbyllet me një fjali në dosje. Kjo kërkon hetim. Kërkon
përgjegjësi. Kërkon llogaridhënie.
Unë nuk do ta lë këtë çështje në heshtje. Do të kërkoj çdo akt. Çdo vendim. Çdo autorizim.
Çdo zgjatje afati. Çdo procesverbal.

5
Do të kërkoj çdo dokument që tregon kush e kërkoi përgjimin, kush e lejoi, sa zgjati, pse
zgjati, çfarë u përgjua, ku u ruajtën materialet, dhe si u përdorën.
Do t’i drejtohem çdo institucioni ligjor, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jo për hakmarrje. Por
për llogaridhënie.
Sepse kur shteti hyn në shtëpinë e një familjeje, përgjon një grua dhe fëmijë të mitur, dhe
askush nuk jep llogari, nesër kjo mund t’i ndodhë çdo qytetari.
Unë nuk po kërkoj që publiku të më besojë vetëm sepse po flas unë. Po kërkoj që publiku të
shohë faktet.
Të shohë një goditje të vetme. Të shohë mungesën e armës. Të shohë mungesën e planit. Të
shohë mungesën e qëllimit për të vrarë.
Të shohë aktin noterial. Të shohë normalizimin mes familjeve. Të shohë se edhe në dhimbje,
familja e të ndjerit pranoi paqen njerëzore.
Drejtësia nuk dënon sipas dhimbjes publike. Drejtësia dënon sipas ligjit, provave, qëllimit, dhe
rrethanave reale.
Nëse humbet dallimi mes dashjes dhe pakujdesisë, humbet drejtësia.
Nëse një goditje e vetme pa qëllim për të vrarë trajtohet si vrasje me dashje, nesër çdo qytetar
mund të përballet me një akuzë më të rëndë se veprimi që ka kryer.
Unë nuk jam duke i ikur drejtësisë. Unë po i kërkoj drejtësisë të jetë drejtësi.
Unë jam Erjon Llapushi.
Kam gabuar që u përfshiva në një moment që solli një pasojë tragjike. Për këtë dhimbje do të
mbaj peshën time gjithë jetën.
Por nuk pranoj të quhem vrasës me dashje, kur nuk kam pasur asnjë qëllim për të vrarë.
Nuk pranoj që familja ime të përgjohet dhe të frikësohet pa llogaridhënie.
Nuk pranoj që fëmijët e mi të rriten me ndjesinë se babait të tyre iu bë padrejtësi dhe askush
nuk foli.
Unë nuk mund ta kthej pas kohën. Nuk mund ta kthej pas jetën që humbi. Por askush nuk ka të
drejtë të më marrë edhe të vërtetën.
Prandaj nuk do të hesht. Do të flas në çdo institucion. Do të flas në çdo gjykatë. Do të flas në
çdo media.
Jo për hakmarrje. Por sepse dua që fëmijët e mi, kur të rriten, të mos thonë kurrë: “Babai ynë
heshti përballë padrejtësisë.”
Unë nuk kërkoj favor. Kërkoj të vërtetën. Kërkoj barazi para ligjit. Kërkoj drejtësi.

Written by: WindowRadio.de

Rate it