Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Autoritetet gjermane kanë intensifikuar hetimet për dyshime korrupsioni që lidhen me organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit “EURO 2024”, duke zhvilluar bastisje në disa institucione publike dhe sportive në vend.
Veprimet hetimore shënojnë një zhvillim të rëndësishëm në një çështje që synon të sqarojë nëse zyrtarë publikë dhe përfaqësues të kompanisë organizatore kanë shkelur rregullat për dhënien e përfitimeve të palejuara.
Policia gjermane kreu të mërkurën kontrolle në selinë e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), si dhe në bashkitë e disa qyteteve që shërbyen si pritëse të ndeshjeve të EURO 2024. Bastisjet janë pjesë e një hetimi për korrupsion të dyshuar, i cili po drejtohet nga autoritetet e landit të Rhine-Westphalia-s.
Në një deklaratë, Zyra Shtetërore e Hetimit Kriminal e Rhine-Westphalia-s bëri të ditur se hetimet lidhen me dyshimet se zyrtarëve publikë u janë ofruar përfitime të paautorizuara nga përfaqësues të kompanisë organizatore të turneut.
“Sipas dyshimeve, një zyrtar që në atë kohë punonte për një nga qytetet pritëse kishte marrë, ndër të tjera, një ftesë për të ndjekur një ndeshje ndërkombëtare futbolli, e cila dyshohet se ishte ofruar nga persona përgjegjës në kompaninë organizatore”, thuhet në deklaratë transmeton Klankosova.tv.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pretendimet se disa qytete pritëse kanë përfituar të drejta ekskluzive të parablerjes së biletave për ndeshjet e EURO 2024. Sipas autoriteteve, disa prej bashkive i kanë shfrytëzuar këto të drejta dhe më pas i kanë përdorur biletat në mënyra të ndryshme, çka po verifikohet nëse përbën shkelje të rregullave për integritetin dhe administrimin e funksioneve publike.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur emrat e personave nën hetim dhe kanë theksuar se bastisjet nuk nënkuptojnë fajësi, por janë pjesë e procesit të mbledhjes së provave.
EURO 2024 u zhvillua në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024, me ndeshje të organizuara në dhjetë qytete, përfshirë Berlinin, Munchenin, Dortmundin, Kolnin, Dusseldorfin, Frankfurtin, Hamburgun, Leipzigun, Gelsenkirchenin dhe Shtutgartin. Turneu u konsiderua një sukses organizativ dhe tërhoqi miliona tifozë nga e gjithë Evropa.
Megjithatë, hetimet aktuale nuk kanë të bëjnë me zhvillimin sportiv të kampionatit, por me mënyrën se si janë administruar disa privilegje të lidhura me organizimin e tij, veçanërisht shpërndarja e biletave dhe përfitimet e mundshme të ofruara zyrtarëve publikë.
Prokuroria dhe autoritetet hetimore kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në fazë paraprake dhe se do të vazhdojnë analizimin e dokumenteve dhe provave të sekuestruara gjatë bastisjeve, për të përcaktuar nëse janë kryer vepra penale dhe nëse do të ngrihen akuza ndaj personave të përfshirë.
Written by: WindowRadio.de
Copyright WindowRadio.de