Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Sociale
todayMay 16, 2026 3
Pse ky nxitim i Qeverisë Rama 4 në shitjen dhe faljen e tokës ..?
Nga mediat mësojmë se në prapaskenë Ministria e Bujqësisë po përgatit një nga goditjet më të rënda ndaj sovranitetit ekonomik dhe kombëtar të Shqipërisë, hapjen e rrugës ligjore për shitjen e tokës bujqësore shtetasve të huaj.
Toka nuk është mall, është sovranitet
Të thuash që të huajt do të mund të blejnë tokë “vetëm 7 vite pas anëtarësimit në BE” është një eufemizëm i rrezikshëm që kërkon të qetësojë gjakrat sot, për të na lënë duarbosh nesër. Shqipëria ka një sipërfaqe të kufizuar të tokës bujqësore dhe, mbi të gjitha, një strukturë pronësie tejet të thërrmuar. Në një kohë kur fshatari shqiptar ende lufton me kufijtë e ligjit 7501, kur pronarët legjitimë enden dyerve të gjykatave për dekada, shteti nxjerr në treg 100 mijë hektarë tokë “të pandarë”dhe 20 mijë ha tokë pronë bashkiake.. dhe pa kufizim tokën private..
Me justifikimin e harmonizimit të ligjeve me Bashkimin Europian, po hidhen themelet ligjore që toka shqiptare të kalojë gradualisht në duar të kapitalit të huaj. Në pamje të parë kjo paraqitet si modernizim. Në realitet, është një proces që rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një territor pa zot, ku shqiptarët do të mbeten vetëm punëtorë në tokën e të parëve të tyre. Është politika europiane ë mbështetur nga delirante brënda vendit që e kanë katandisur Shqipërinë si “Lëkurën e Shagrenit” duke e rrudhur atë..
Toka nuk është mall tregu si çdo produkt tjetër.
Toka është identitet, siguri ushqimore dhe sovranitet kombëtar. Në se ne si komb humbasin kontrollin mbi tokën bujqësore , gradualisht do humbasim kontrollin mbi të ardhmen tone.
Sot, në Shqipëri, mijëra familje ende nuk kanë zgjidhur problemet e pronësisë. Konfliktet e trashëguara nga ligji 7501 vazhdojnë të helmojnë jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Qindra viktima jane shkaktuar si pasojë e ketij ligji. Pronarët legjitimë enden prej dekadash dyerve të gjykatave, shteti paguan miliona e miliona lekë ish pronarëve si kompesim, kur ka në pronësi 120 mijë ha tokë bujqësore, , ndërsa fermeri shqiptar mbijeton pa subvencione reale, pa mbështetje teknike dhe pa treg të garantuar për prodhimet e tij.
Por në vend që shteti të zgjidhë plagën e pronësisë dhe të mbështesë bujqësinë vendase, nxjerr në dispozicion qindra mijëra hektarë tokë të pandarë fond shtetëror, që nesër mund të përfundojnë në duar korporatash apo pronarësh të mëdhej të huajë.
Nëse kjo tokë prej 120 mijë ha nuk iu dha atyre që e punuan dhe as pronarëve që iu mor padrejtësisht, për kë po ruhej ky fond gjithë këto vite? Ky fakt eshte nje aktakuzë që SPAK duhet ta hetojë në thellësi..
Projektligji mundohet të na krijojë idenë e “mbrojtjes” përmes disa kufizimeve formale mbi sipërfaqet që mund të blihen. Por shqiptarët e dinë shumë mirë se si janë anashkaluar ligjet në këtë vend. E njëjta skemë që betonizoi bregdetin shqiptar përmes kompanive offshore, ortakëve të fshehtë dhe emrave të besuar, mund të përdoret nesër edhe për tokën bujqësore.
Në këtë garë të padrejtë, fermeri shqiptar nuk ka asnjë shans për të hyrë në garë për të blerë tokë bujqësore . Përballë kapitalit të madh të huaj, ai mbetet i pambrojtur. Kjo nuk është ekonomi e lirë. Ky është kapitullim ekonomik dhe vazhdimësi shpopullimi të heshtur i fshatit shqiptar.
Në një kohë kur bota po përballet me kriza ushqimore, me rritje çmimesh dhe luftë për burime jetike, toka bujqësore nuk mund të trajtohet si mall spekulativ. Çdo hektar që del jashtë kontrollit kombëtar është një copë sigurie ushqimore që humbet.
Shqipëria ka nevojë për politika që forcojnë fermerin shqiptar, jo për ligje që e zhdukin atë.
Ferma shqiptare ka nevojë për investime në ujitje, grumbullim, subvencione dhe mbrojtje të prodhimit vendas, jo për hapjen e ankandit të tokës kombëtare.
Për këtë arsye, përgjegjësia politike dhe morale bie drejtpërdrejt mbi Ministrinë e Bujqësisë. Një projektligj i tillë, që prek themelet e sovranitetit kombëtar dhe të ardhmen e bujqësisë shqiptare, nuk mund të kalojë si procedurë teknike apo detyrim burokratik ndaj Brukselit.
Ministri i Bujqësisë duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme si akt minimal përgjegjësie publike dhe si masë parandaluese ndaj një projekti që çdo shqiptarë me dy para mend në kokë e konsideron antikombëtar dhe antishqiptar. Heshtja përballë një procesi të tillë nuk është neutralitet, është bashkëpërgjegjësi.
Integrimi europian nuk duhet të nënkuptojë shitjen e identitetit kombëtar dhe të pasurisë strategjike të vendit. Shumë shtete të Bashkimit Europian kanë negociuar kufizime të forta dhe afate të gjata për mbrojtjen e tokës së tyre bujqësore. Shqipëria nuk mund të jetë më e pambrojtura dhe më e dorëzuara në këtë proces.
Sepse toka që shitet, nuk rikthehet më. Dhe në se shesim tokën për të mbuluar dështimet e politikës, rrezikojme të zgjohemi nesër pa ekonomi, pa bujqësi dhe pa identitet , thjesht në një banor kalimtar mbi ish truallin e tij…
Shkruan Rifat Kullolli:
Written by: administratori