Histori

Nakano Takeko, një grua që sfidoi rregullat gjinore perandorake, për t’u bërë heroina e fundit samurai:

todayMay 7, 2026 3

Background
share close

Nakano Takeko, një nga figurat më të ndritura dhe më të guximshme të historisë japoneze, mbetet një emër që mishëron trimërinë, vendosmërinë dhe nderin samurai në formën e tij më fisnike. E lindur në prill të vitit 1847 në Edo – sot Tokio – Takeko ishte vajza më e madhe e një familjeje me rrënjë të thella samuraish: babai i saj, Nakano Heinai, ishte zyrtar në domenin Aizu, ndërsa nëna, Kōko, bija e një samurai, e rriti vajzën në një ambient që ndërthurte disiplinën me dijen dhe nderin.

Që në moshë të re, Takeko tregoi një prirje të jashtëzakonshme për mësim dhe stërvitje. Ajo u edukua në kaligrafi, letërsi klasike kineze dhe japoneze, dhe sidomos në artet marciale, fushë në të cilën ajo do të shkëlqente. Ajo mori certifikim në stilin e shpatës Itto-ryu dhe më vonë u bë instruktore e armës tradicionale naginata, një armë e përdorur prej shekujsh nga gratë luftëtare. Aftësitë e saj e bënë të dallueshme dhe u adoptua nga mjeshtri i saj, Akaoka Daisuke, i cili e çoi në Aizu, ku ajo u vendos si mësuese dhe trajnere e brezit të ri, përfshirë edhe motrën e saj të vogël.

Por ishte Lufta Boshin ajo që e shndërroi Takekon në një figurë legjendare. Në vitin 1868, gjatë betejës së përgjakshme të Aizus, një nga aktet më dramatike të konfliktit civil mes shogunatit Tokugawa dhe forcave perandorake të Perandorit Meiji – Takeko doli vullnetarisht në fushëbetejë, ndonëse gratë nuk pranohej zyrtarisht të merrnin pjesë. Ajo formoi dhe komandoi një njësi të pavarur grash luftëtare, e njohur si “Joshitai” apo “Ushtria Femërore”, e cila hyri në histori për heroizmin dhe vetmohimin e saj.

E veshur me kimono dhe e armatosur me naginatën, Takeko udhëhoqi gratë e saj në një betejë të pabarabartë kundër një ushtrie të organizuar e të pajisur më mirë. Ajo vrau dhjetëra ushtarë me duart e saj, duke u bërë emblemë e rezistencës së dëshpëruar por të lavdishme të Aizus. Gjatë përleshjeve, ajo u plagos rëndë në gjoks nga një plumb. Në çastet e fundit, me një ndërgjegje të mprehtë për nderin samurai dhe frikën se trupi i saj mund të përdhosej nga armiku, i kërkoi motrës së saj Yūko që t’i priste kokën dhe ta varroste. Kështu u bë. Ajo u varros nën një pishë në tempullin Hokai-ji, në prefekturën Fukushima, me naginatën pranë, si simbol i përjetshëm i trimërisë së saj.

Sot, Nakano Takeko përkujtohet çdo vit gjatë Festivalit të Vjeshtës Aizu, ku vajza të veshura me kimonot tradicionale dhe të armatosura me naginata marshojnë në nder të saj, rikujtues i një trashëgimie që nuk zbehet. Historia e saj nuk është thjesht një kapitull i mbyllur i epokës samuraike, ajo është një frymëzim i gjallë për guximin e grave, për forcën në sfidat e pamundura, dhe për nderin që s’njeh kufij gjinie apo kohe.

Albert Vataj

Written by: administratori

Rate it