Listeners:
Top listeners:
Window Radio WindowRadio.de
Art/Kulturë
todayJanuary 6, 2026
Vath KORESHI
Vath Koreshi u lind në vitin 1936 në qytetin e Lushnjës. Diplomoi për Gjuhë e Letërsi në Universitetin e Tiranës më 1964. Ishte gazetar në gazetën Zëri i Rinisë dhe më pas në gazetën Drita. Në vitin 1974 e fillon bashkëpunimi i tij si skenarist me Kinostudion Shqipëria e Re. Të shumta do jenë skenarët që i bëri ai: Rrugë të bardha, Gjeneral gramafoni, Liri a vdekje, Në kufi të dy legjendave, Besa e kuqe, Botë e padukshme, Syri magjik etj.Emri dhe vepra letrare e Vath Koreshit lidhet me shkrimtarët e një etape interkaluese mes realizmit socialist drejt letërsisë pa ideologji dhe ky i bie të jetë vargu i krijuesve të etapës së dytë të letërsisë bashkëkohore, siç janë Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Teodor Laço, Fatos Kongoli, Nasi Lera etj., të cilët qysh herët paraqisnin plejadën e krijuesve që do ta bënin ndryshimin e madh në letërsi. Veprat e tyre më të rëndësishme paraqesin sot një vend të merituar në fondin e artë të krijimtarisë më elitare të letërsisë shqipe në kapërcyell të dy epokave. Ndonëse në mengene të një trysnie të pareshtur mbi kokë, si ideologjia e realizmit socialist si parakusht, disa prej këtyre krijuesve me mjeshtri i iknin censurës, urdhrave zyrtare se si ta bënin veprën letrare adapte me kohën, ndërsa pas kalimit të hendekut në vitin 1990, ata menjëherë hapëruan dhe dolën në sipërfaqe me idetë e mbledhura me vite.Vath Koreshi, pas viteve të ’90-ta u paraqit me një procede tjetër artistik, me një tjetër stil shkrimi krejt ndryshe nga i mëparshmi. Duke qenë artist i lindur për dialogë, qofshin ato të skenarëve filmik ose edhe të letërsisë së mirëfilltë, pra të tregimeve, novelave ose të romaneve, përmes konfigurimit të personazheve të shumtë dhe përshkrimeve nga më të ndryshmet, duke përshkruar ambientin, por edhe gjendjet e ndryshme shpirtërore që i krijon, ai ofron një letërsi fare tjetër nga ajo që ishte zyrtare për kohën. Edhe më herët, si në vëllimet me tregime Dy të shtunat e Suzanës, ashtu edhe te romani Mars, kahmot i kish thyer rregullat strikte në krijimin e raporteve intime pak më ndryshe nga raportet njerëzore që ishin qëndrim zyrtar se si duhej shkruar për temën e dashurisë. Marrëdhëniet që ndërthuren përmes personazheve dhe situatave që ndjekin personazhet e lira të zgjedhura nga autori vetë janë një mënyrë e suksesshme e ndryshimit që po ndodhte me të. Ngjashëm si te proza e I. Kadaresë, Gj. Zhejit (p.sh. te romani Rusha) etj., një liberalizim me manire të reja të konvencës klasike se si duhej të duket novatorizmi i proklamuar, e thyen klishenë e ngritur në doktrinë se si duhet të duket njeriu i ri socialist, rregullin e hekurt të cilin ai e thyen dhe e bën karikaturë.I sharmuar nga legjendat dhe përrallat, por edhe nga proza magjike e M. Kutelit, V. Koreshi i krijoi dy novelat e tij, të cilat i paraprijnë prozës së tij magjike, Haxhiu i Frakullës dhe Dasma e Sakos. Jashtë kontekstit të kohës së sotme, kur preferohej dhe parapëlqehej që shkrimtarët të shkruanin për aktualitetin ose edhe rreth të kaluarës së lavdishme e LDB-së me heronjtë partizanë, autori ynë i kthehet të kaluarës së largët, te e para fatit të një heroi poet të shekullit shtatëmbëdhjetë, ndërsa në të dytën fatit të një hyzmeqari të Beut, i lokalizuar në pragtë LDB. Te të dy heronjtë prin ëndrra për ndryshim të gjendjes status quo, te i pari i yshtur nga një grua, e cila i premton se do të martohej me të, njëlloj si edhe te rasti i dytë, ku Sakon duhet ta martojë Beu. Shkrimtari ia beson lojën ëndrrës së Haxhiut, i cili, fatkeqësisht, është edhe poet, prandaj edhe mashtrimi fle. Rrëfimtari na sjell në atmosferën e Beratit, ku në perandorinë turke një vajzë bukuroshe e quajtur Meremxhe,vjen dhe i shpreh dashuri Aliut, duke i thënë atij se ajo do ta presë në Samarkandë, atje ku do të përfundojë udhëtimi i tyre, ku ëndrra e tij do t’i bëhet realitet. Pas një dileme, Haxhiu poet niset atje ku e grish ëndrra dhe sikundër ndodh përherë, fundi është dëshpërues: bukuroshja është vetëm gënjeshtër, iluzion i haxhiut, mu siç mund të jetë vetë muza e poetit.Edhe syzheu i Dasmës së Sakos pak a shumë ka fund të njëjtë: ngjarja ndodh në një fshat të Lushnjës në kohën e sundimit zogist. Sakoja punon në pronën e Beut të fshatit dhe aii premton se një ditë do ta martojë. Por, shkojnë kohëra e kohëra, ndërsa për Sakon nuk ka nuse. Fundi është i kuptueshëm, tragjikomik. Këto dy novela të shkrimtarit tonë shënojnë sferën më të preferuar prej tij – ëndrra si fatkeqësi.Romanet e fazës së re, postkomuniste, do të na rezultojnë me fahun e vërtetë të autorit – thellësitë pa fund të shpirtit njerëzor, dhembjet që e fshehin tragjikën njerëzore, dramat sociale, përplasjet shoqërore, dramat njerëzore, pafundësinë e të jetuarit me mëkate etj.Në librin e parë të periudhës së rënies të komunizmit pas vitit 1990, Requem për një grua, V. Koreshi u rrek të merret me një linjë të sensualitetit dhe të lirisë, siç është shpirti i gruas, sikur po niste letërsinë e vërtetë nga fillimi. Gjithë proza e Koreshit më vonë do të rreket të merret me ndriçimin e shpirtit njerëzor duke u përpjekur t’i ndriçojë disa nga thellësitë më të fshehta të vlerave të vërteta njerëzore. Në përpjekje për t’i zbuluar të fshehtat dhe të errëtat e shpirtit njerëzor, ai është i prirë të merret me parapsikologjinë e njeriut, me mësimet e librave të shenjta, me ç’rast filozofia e S. Frojdit, Shopenhauerit, Dostojevskit etj. do të jenë fusha më e preferuar e shkrimtarit. Që këtu, nga përpjekja e pashterur e tij për ta zbuluar shpirtin njerëzor shfaqet një prirje drejt krijimit të një proze të përroit të ndërgjegjes, anës psikologjike të njeriut shumë më shumë sesa një proze të veprimit, diçka që përherë e kishte menduar dhe preferuar.Disa nga njohësit e veprës letrare të V. Koreshit kanë thënë se autori në fazën më të re krijuese (këtë po e konsiderojmë pas vitit 1990) jo vetëm tematikisht dhe kohësisht iu ka kthyer të kaluarës, jo vetëm kohore, por edhe gjuhësore, por ai i është kthyer drejtpërdrejt shpirtit të njeriut, gurrës pa fund të tij. Prandaj gjuha dhe leksiku i tij ndryshon – ai fillon të mbushet me arkaizma, krahinarizma dhe nocione religjioze, me çka gjuha e tij bëhet më besnike në të rrëfyer. Kjo nënkupton se shkrimtari filloi të zbulohet i tëri në profilin e vërtetë. Që këtu vepra e tij, Ujku dhe Uilli, për shumë arsye lëre që është e re për nga struktura e ndërtimit fabulor, por është më e arrira artistikisht, sepse shkrimtari këtu shumë shlirshëm i manifeston idetë e mëdha që nganjëherë të të duket se ua ka tejkaluar shumë prej mjeshtërve më të njohur të rrëfimit sot. Romani më i fundit, që në titull e intrigon lexuesin me Uillin (yllin) dhe Ulkun (ujkun), që vijnë nga gjuha e shkruar e autorëve më të vjetër shqiptarë (Buzuku, Budi, Bogdani etj.), në thelb, pos vjetërsisë së gjuhës, më vete e mbart edhe esencën e veprës – komponentin e religjiozitetit që mëton të prekë mu në varrën tonë kombëtare: pushtuesi turk, gjatë përshndërrimit tonë identitar, lë edhe kafshimet e ujkut në shpirtin shqiptar, plagët dhe varrat.Megjithatë, vepra e cila në korpusin e të gjitha veprave do të jetë krijimi më i rëndësishëm i shkrimtarit, që këtu edhe një ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe, padyshim nuk do të jetë kaq pesimiste sa na duket me shikim të parë, sepse përmbi Ulkun shndrit Uilli, rrezaton shpresa, e vetmja uzdajë për shpirtin e etshëm për liri, ngase gjithmonë ka shpresë për amshim. Sado që ky konstatim duket të jetë tepër pretencioz, sidomos kur fjala është për një vepër të vogël vëllimisht e me një titull të çuditshëm që s’na e mbush mendjen, gjithçka flet se fjala është për një vepër shumë të rëndësishme. Këtu është kulmi i të gjitha përpjekjeve të shkrimtarit në letërsi, është krijimi i katarsës së tij. Edhe pse një mori lexuesish ankohen për vështirësitë receptive të kësaj vepre, disa madje edhe për shkaqe banale, siç është p.sh. fondi i fjalëve të rralla gjuhësore (lexo:arkaizmave) të njërit nga nëndialektet e gegërishtes, thuaja se ato fjalë të rralla arkaike të shqipes e dëmtojnë fondin tonë leksikor, vepra është dritare e re e konceptimit të rrëfimit dhe të temës religjioze të parë në dritë të humbellave të mëdha historike kombëtare, ku pushtuesi turk ua vret shpirtin shqiptarëve, duke ua tjetërsuar besimin me dhunë.Konstatimi i kritikës se ky roman konsiderohet njëra ndër veprat më të arrira të autorit është me vend, sepse të gjitha përpjekjet e autorit që ta tejkalojë hendekun e madh të autocensurës në këtë vepër janë tejkaluar. Tema, shpirti shqiptar, vështruar nga këndi artistik i vrojtimit ku narratori rrëfen gjithanshëm pa kurrfarë ngurtësie, i ofron lexuesit ngjarje, personazhe dhe figura nga më të ndryshmet nga ambienti konkret me ide të qarta dhe mirë të përpunuara. Diçka e ngjashme si letërsia më e mirë botërore (p. sh. ala U. Ecco), por edhe letërsia latino-amerikane, vepra hap dritaren që s’na kishte rastisur ta shohim realitetin shqiptar në dritë të re: vepra letrare të mos përngjajë në propagandë ditore të kohës, por të jetë tharm artistik i shpirtit të ndrydhur në një kohë që pak e dimë se si në fakt ka qenë.Vepra mësyn ta ndriçojë Mesjetën Shqiptare me drita purpuri të një të kaluare shumë të hidhur dhe të dhembshme. Fjala është për një të kaluar të prezantuar nëpër tekstet historike me shabllonin e tipit socrealist, shpesh të tjetërsuar me atë ngjyrë dhe tendencë, të cilën autori e nxjerr si realitet në dritën e saj të drejtë me gjuhën e aktantëve autoktonë shqiptarë, me priftërinj dhe tempuj fetarë dhe me gjithë petkun e kohës konkrete.Dy meshtarë vëllezër, që përngjajnë mes veti si të ishin vëllezër siamezë, si dy pika uji, munshinjur Agushtini dhe munshinjur Bdeku, janë famullitarë që shërbejnë në dy kishat, Shndue dhe Shndre, të cilat janë afër njëra-tjetrës në veriun e Shqipërisë. Kështu e nis rrëfimin shkrimtari, me një gjuhë të thjeshtë popullore. Sado që këta vëllezër për nga pamja e tyre u përngjasin vëllezërve siamezë, në fakt kishin karaktere krejt të ndryshme. Kështu në rrëfimin e shkrimtarit fillon të zbulohet një dramë e vërtetë në të cilën dy botët e ndryshme shpirtërore reagojnë fare ndryshe në realitetin e hidhur historik kohor. Gjersa njeri u reziston trysnive që u bën pushteti në kryerjen e shërbimeve kishtare, tjetri është i luhatshëm, shthuret dhe bie pre e dhunës, duke u degjeneruar moralisht, madje edhe duke e harruar fenë e kombin dhe duke u tjetërsuar tërësisht. Ky është Bdeku. Ndërkaq vëllai tjetër, Agushtini, e pranon shumë rëndë shthurjen psikofozike të të vëllait. Tundimin e të vëllait rrëfimtari e merr me shumë dhembje, duke iu dukur ai një lloj Satana, një farë Luciferri ose Jude, andaj i ashpërson marrëdhëniet me të vëllain si është më keq. Në trajtë të një monologu të brendshëm, të shqiptuar në vetë të tretë, ai lutet për të vëllain që të kthehet në rrugën e drejtë, të largohet nga rruga e Satanasë, vuan dhe përdëllehet për të.Ide qendrore e rrëfimit në këtë roman është pasqyrimi real i jetës shqiptare në kohën të cilën e trajton autori, duke iu përmbajtur kriterit historik, ku dhunuesi është pushteti turk, kurse të dhunuarit janë populli shqiptar me barinjtë e vet popullorë – priftërinjtë shqiptarë, tok me kishat e tyre, meshtarët dhe shërbesat e tyre. Nën dhunën e pandashme të osmanëve në trojet e Arbërisë, Koreshi e pasqyron realisht jetën frymore të shqiptarëve në një kohë të hershme, të mjegullt, të cilën rrallë kush nga shkrimtarët e traditës e kanë paraqitur objektivisht si kishte qenë në fakt. Në mënyrë periferike me këtë temë janë marrë edhe romansieri i parë shqiptar N. Nikaj, E. Koliqi e ndonjë tjetër, po ky roman futet në thelb të psikologjisë së popullit, duke e trajtuar temën e flijimit dhe të martirizimit të priftërinjve shqiptarë, që i personifikon monshinjur Agushtini, ndryshe nga monshinjur Bdeku, i cili përfaqëson figurën lojale të pushtuesit, njeriun i cili i nënshtrohet dhunës.Ndërtimi kompozicional i V. Koreshit, në strukturën narrative të romanit, me anë të një gjuhe artistike, në dukje abstrakte, por me figura¬cione dhe metafora letrare të qëlluara, shpalos thellësitë e shpirtit shqiptar që flijon dhe martirizohet, duke u munduar që me mish e me shpirt ta ruajë përkatësinë e vet arbërore, tok me fenë e vet. Në këtë drejtim, robëria sjell dëshpërim, shthurje shpirtërore, humbje të gjuhës, por edhe të fesë, ndërsa me ndryshimin e fesë vjen edhe ndryshimi rrënjësor identitar. Agushtini paraqet personifikimin e personalitetit që bën përpjekje për ta mbajtur e për ta ruajtur traditën e trashëguar kombëtare dhe fetare, figurën që lufton me mish e me shpirt që të mbijetojë ajo që mund të mbijetohet në kushte të robëruesit aziatik me gjuhë dhe kulturë krejt tjetër nga ajo e tij, arbërore. Mënyra më e realizuar artistikisht është pasqyrimi i jetës së mundimshme që bën heroi i tij. Kjo është askeza e Agushtinit, i cili mbyllet në gëzhojën e vet të vetmisë, prej ku nuk dilte me javë të tëra para botës. Kjo është dëshmia e qëndresës së tij, duke mos u mposhtur para osmanëve si pushtues. Ndërkaq vëllau i tij, Bdeku, i lëkundur në bindjet e tij fetare dhe kombëtare, pajtohet me pushtuesit. Ai nuk mund t’i bëjë ballë imponimit osman, pajtohet dhe hidhet në anën e tyre, duke u bërë krah i tyre.Të tunduar mes mëkatit dhe pendesës, turqit në qytetin e Urbsit, ku ndodhin ngjarjet, e sjellin një femër me emrin Luçie, një shqiptare të degraduar moralisht për t’i yshtur meshkujt, mes tjerash edhe monshinjur Bdekun, tek të cilët fëlligështia bëhet profesion. Ajo që kishte qenë një femër e bukur, tani bëhet njeri të cilit shpirti i teret, thahet dhe humbet para botës, duke i humbur ato hire njerëzore, por edhe ato perëndiake. Kështu përmes figurës së Luçies, autori sikur do ta pasqyrojë çnderimin e vetë qytetit Urbs. Duke e marrë për metaforë shthurjen morale të qytetit të Urbsit, ku ndodhin përçudnime, të huajësime e përshndërrime të shpirtit shqiptar, si dhe përshndërrime të traditave nga ato ku ruhej dhe mbrohej kisha si tempull i besimit tradicional shqiptar, tani këtu gdhijnë shtëpi publike në trajtë haremi, gjëllijnë çoroditë amorale dhe degradimet shpirtërore dhe kështu humbet dinjiteti i burrërisë dhe i femrës së dëlirë shqiptare dhe zë fill asimilimi i shqiptarëve e shndërrimi i tyre në turq.Te V. Koreshi na duket si realizëm magjik profilizimi i personazheve dhe veshja e tyre si karaktere. Gjersa protagonistët, monshinjur Agushtini dhe monshinjur Bdeku, i ngjasin një pike të ujit, Vrana i përngjet një të çmenduri. Ai është shtatlartë e muskulor, po nganjëherë e pushton dëshira për dhunë dhe flirt në dashuri, andaj është i gatshëm edhe të vrasë. Ai ka dëshirë ta mbajë kishën hapur, ngjashëm siç e ka epshin të papërmbajtur ndaj Domenikës. Edhepse e di se ajo është e martuar, ai ka prirje për flirt. Vrana paraqitet si personazh me epsh të shfrenuar. Ai është i pagdhendur dhe shtazarak si cub i maleve. Autori sikur dëshiron të bëjë gisht te ky personazh që e parapëlqen pushtuesi, sepse ai është i prirë për instinkte dhe lehtë mund të thyhet shpirtërisht, ndërsa si i këtillë bëhet i pëlqyeshëm nga pushteti, i cili i dëshiron injorantët, të padijshmit, sepse – sikundër dihet – gjithmonë më lehtë e ka me ta. Edhepse personazh epizodik, autori atij i jep vend të rëndësishëm në rrëfimin e tij. Tek Vrana sheh personazhin më destruktiv të dramës së tij, sepse atij – pos dëshirës nepsqare që ta përvetësojë Domenikën – i shkrep edhe ideja që ta djegë Domenikun. Ndërkaq, tek Injaci, i cili dëshiron ta rijetësojë pastoralen e famullisë së Shndusë, sheh njeriun që mund t’ia rrëmbejë pushtetin dhe për një moment vendos t’i kallë të dy kishat, Shndunë dhe Shndrenë. Prirjet e shpirtit të keq nuk kanë fund kur vijnë në pushtet mosdija dhe injoranca. Atëherë pushtuesi e ka shumë më lehtë të sundojë dhe t’i gjejë të gjitha poret e pushtimit dhe ashtu të sundojë.Rrëfimi i shkrimtarit është simbolik. Në fjalitë e tekstit si më poshtë Bojrogu (pushtuesi) zgjerohet dhe lë skëterrë në trojet tona: Vendi zbardhte nga foltoret e Bojrogut. Ato sa vinin e u afroheshin maleve. Të gëlqerta dhe me një hovje të vrullshme të qiellit, ato i shfaqeshin herë në udhëkryqe e herë në rrahe të thata kodrash. Disa kishin qenë kisha dikur, por ishin bërë tjetërsoj tani dhe nuk njiheshin më. Nëpër sy i ngatërroheshin pamjet e katundeve të vjetra plot rrënoja e ngrehina të hershme. Si nëpër një farefisni të lashtë i bëhej sikur ecte, si përmes njerëzve që kishin qenë të një gjaku dikur, por tani që qenë ndarë e qenë bërë të panjohur tani. Jo vetëm të panjohur… por qenë bërë edhe armiq. Romani, për nga koha, na kthen në vitet e para të pasvdekjes së Skënderbeut, kur hakmarrja e pushtuesit otoman është e pamëshirshme dhe gjuha narrative e shkrimtarit e përshkruan hollësisht këtë zezonë.Është shumë impresiv dhe sugjestinues një zë që e kish dëgjuar Agushtini, i cili me vite qe mbyllur në manastirin e Shëndertarit, se kisha e Shndusë qe kallur dhe prej saj s’kishte mbetur gjë prej gjëje, pos një ikone, Ikona e t’Lumnuemes, që kish mbetur pa u djegur. Me atë ikonë, njerëzit sikur po kujtoheshin për diçka që e kishin harruar. Sikur po dilnin në një dritë dhe atje po e shihnin se sa shumë gjëra qenë shkatërruar në shpirtin e tyre. Narratori rrëfen se gjithë krahina e atij vendi vrapojnë pas asaj shenje të shenjtë, si diçka që mund të merret si shpresë për shpëtim. Turma besimtarësh shkonin në atë shpellë dhe luteshin para Zojës. Mbushej dheu me një mërmërimë që ngrihej drejt qiellit, me diçka që ta çlodhte dhe ta prehte shpirtin. Duke qenë simbol i ringjalljes, Ikona e Zojës shndërrohet në dritë të jetës dhe shpresës, që do të thotë se vizioni i së ardhmes gjithsesi se është i bardhë, i ndritur, me çka lexuesi ndahet i kënaqur nga vepra.Tema që e trajton V. Koreshi është e re dhe, si e këtillë, e ka rëndësinë e një vlere të pakontestueshme si vepër moderne me kuptimin e plotë të fjalës. Pos se zbulon diçka të humbur në historinë e popullit shqiptar, në “mullirin” e moskthimit, ajo prek mu në varrën e saj më të dhembshme historike, siç është tjetërsimi fetar, që jo rrallë shpie drejt asimilimit kombëtar. Kjo është humbellë historike, realizimi i së cilës në vepër letrare i prek varrat tona kombëtare, që përgjithmonë janë të hapura, kurse, si e tillë, ajo është ushqimi më i ëmbël, sidomos kur vepra është e përkryer artistikisht. Vath Koreshi vdiq në vitin 2006.
Nehas Sopaj
Written by: Window.Al