Arabia Saudite po shënon një tjetër hap gjigant në fushën e arkitekturës dhe sportit me projektin e ri futurist: ndërtimin e stadiumit të parë “në qiell” në botë, i cili do të ngrihet 350 metra mbi tokë, në zemër të megaprojektit NEOM.
Objekti do të jetë pjesë e qytetit vertikal The Line dhe do të mbajë emrin NEOM Stadium. Me një kapacitet prej rreth 46 mijë vende, ai pritet të shndërrohet në një nga qendrat e ngjarjeve sportive botërore, përfshirë ndeshjet e mundshme të Kupës së Botës 2034, që Arabia Saudite synon të organizojë.
Projekti, i konceptuar mbi parimin e qëndrueshmërisë, do të funksionojë me energji të rinovueshme dhe do të integrohet plotësisht me infrastrukturën digjitale dhe ekologjike të qytetit inteligjent NEOM.
Sipas autoriteteve saudite, punimet pritet të nisin në vitin 2027, ndërsa përfundimi parashikohet rreth vitit 2032. Aktualisht, projekti ndodhet ende në fazën e planifikimit, megjithëse pamjet konceptuale tashmë janë publikuar dhe kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare.
Ky “stadium qiellor” përfaqëson ambicien e Arabisë Saudite për t’u vendosur në pararojë të inovacionit, arkitekturës dhe turizmit sportiv global, duke ndërthurur spektaklin, teknologjinë dhe vizionin futurist në një projekt që sfidon çdo standard të njohur deri më sot.




