Nuk ka raketa Tomahawk për Ukrainën – a po e mashtron Putini prapë Trumpin por edhe mikun e tij Orbanin?
Presidenti ukrainas Zelenski u prit mirë nga Trumpi, por ai ka pritur më shumë armë, në radhë të parë raketa Tomahawk, të cilat i njohim edhe nga koha e luftës së Kosovës, kur kanë treguar një saktësi të jashtëzakonshme ndaj forcave serbe.
Por në prag të takimit me Trumpin, presidenti amerikan mori papritur një telefonatë të papritur nga Putini, me të cilin bisedoi dy orë dhe u morën vesh për një takim, sipas të gjitha gjasave në Budapestë. Dhe dërgimi i Tomahawkëve u stopua.
A po mashtrohet Trumpi prapë nga Putini, sikur në rastin e kërcënimeve me sanksione ndaj Rusisë, kur u realizua takimi në Alaska mes Trumpit dhe Putinit, por që nuk solli absolutisht asgjë. Me një fjalë, Putini stopoi kështu sanksionet, ndërsa vazhdoi sulmet dhe luftën.
Trumpi tani në vend të Tomahawkëve po flet për vendosjen e armëpushimit dhe paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukrainasit janë të dëshpëruar dhe kanë frikë se Putini prapë vetëm po blen kohë si në rastin e takimit të Alaskës dhe se do të vazhdojë krimet e tij në Ukrainë.
Edhe në vendet evropiane dyshojnë se Putini po mashtron prapë. Kancelari Merz dhe të tjerët kërkojnë një plan të qartë paqësor për Ukrainën, ndryshe Putinit nuk i beson askush. Por fakt është se: Tani për tani nuk ka raketa amerikane për Ukrainën, ndërsa nuk dihet sakt as kur do të mbahet takimi Trump-Putin.
Por flitet se takimi do të mbahet në Hungari, e Hungaria është pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se Orbani gjendet para një sfide shumë të madhe. Ligjërisht e ka për obligim që menjëherë të arrestojë Putinin, për shkak të akuzave të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte.
A do të ndodhë kjo? Me siguri jo. A po përpiqet Putini të fusë përçarje edhe brenda BE-së? Me siguri që po, sepse takimi mund të mbahet edhe në shumë vende të tjera. Sidoqoftë, nëse arrihet ndonjë marrëveshje serioze për paqe, me siguri që Orbani do të dalë si fituesi kryesor i këtyre zhvillimeve, pas Trumpit. Orbani do të forcohej edhe para zgjedhjeve të ardhshme në Hungari, ku nuk i ka punët mirë.
Në të kundërtën Putini do të djegë prapë besueshmërinë e Trumpit e shumë më keq do të djegë edhe mikun e tij në Budapest…
Ndërkohë njoftohet se bombardimet, luftimet dhe vdekjet po vazhdojnë – nga të dyja anët!




