Art/Kulturë

SHQIPËRIA:

todayAugust 9, 2025 1

Background
share close

Ese

Gjithnjë mund të ikim, ndonjëherë ashtu duhet, por kthehemi si fëmijë të penduar pse tradhëtojmë vetveten…

Sapo dola në një rrethrrotullim dhe pyeta një punëtor ndërtimi rrugësh se ku duhej të merrja për në Vlorë.
Ai ngriti duart lart dhe pasi më tha: “I’m India”, vazhdoi të punojë me lopatë, ndërkohë që jeleku fosforeshent i verdhë iu valëvit në ajër sikur donte të më trembte që të largohesha sa më parë.
S’e kam kuptuar se për çfarë është shpikur jeleku dhe cili ka qenë progresi i tij deri sot. Kam menduar arsyet pse u bë fosforeshent dhe nëse ka veshur Oliver Kromuell jelek kur printe ushtrinë kundër mbretërisë.
Nuk e kam thënë asnjëherë se kam gëzuar kur ai nuk arriti të rrëzojë mbretërinë.
Monarkët janë shtylla e vërtetë e garantimit të “check and balance”, dhe mbretëritë evropiane janë shtetet më të zhvilluara të Evropës.
Një dinasti e Skënderbeut nuk e di si do të ishte për shqiptarët.

Mbërrita në Vlorë dhe mbarova pak gjëra që i gjeta si arsye për të shëtitur rrugën e detit me makinë.
Në kthim, përpara tunelit të Ujit të Ftohtë, më ngriti dorën dikush me ca sy të vegjël si peshqit.
Unë jam një fans i botës ujore, aq sa jam kurioz të di çfarë speciesh ka në gropën e Marianëve me thellësi 11 mijë metra në Paqësor, ndaj ndala pa dyshim për “një dorë hajgare” me këtë sy-peshk.

Ai u afrua dhe më tha: “Marina Bay” …
Ato pikat janë fjalët që s’i mora vesh.
Kur pas tij, në makinë hipën dy vajza, ishin të bukura ato, dhe unë jam një burrë i turpshëm që nuk shikoj vajza të bukura në sy.
Atij djalit i thashë: “Një pazar, 10 euro”, dhe ai më kërkoi të paguante 5. Meqë vij nga biznesi, jam konstruktiv, duke pranuar se “një cent i nxjerrë me punë është më shumë se një dollar i gjetur”.

Ato vajzat po kakarisnin sapo hipën. Të kuptohemi: ajo “kakarisnin” nuk më bën maskilist, pasi e shkrova kështu ngaqë ato flisnin në gjuhën e tyre.
Kur i pyeta nga janë, duke kthyer kokën nga ai djali, ato u përgjigjën të parat.
“Filipine” kuptova, mes krakurimave gugatëse të tyre.

“Ferdinand Markos”, u thashë, por nuk e dija që mbiemri i diktatorit filipinas e kishte theksin te “o” dhe jo te “a”, siç e vendosa unë, sepse ashtu ma thanë ata emrin. E shanë Markosin.
Nuk e di pse kudo në botë m’i kanë sharë diktatorët, që nga Fideli deri te Sadami madje një kinez mallkonte Maon…
Nuk e di pse e kam simpatizuar Markosin, por tani mendoj se ka ndodhur sepse ai ishte proamerikan.

Ai djalë quhej Xherri dhe bëri shenja me gishta se Markos nuk të jepte para.
Imelda ishte më e bukur se Xheni dhe Princesha, i thashë Xherrit.
Ato qeshën të dyja, pse emrat e tyre i fiksova nga biseda me njëra-tjetrën.

“Po Duterte?”, më pyeti Xherri.
Duterten nuk e kam pëlqyer, pasi dilte natën në rrugët e Manilës dhe vriste drogmenë apo hajdutë, dhe unë nuk jam kurrë pro vrasjeve pa gjyq. Ndaj nuk pranova që ai të ishte i mirë. Ata e donin.
Aty kuptova se njerëzit e thjeshtë, kudo në botë, janë me radikalizmin për zgjidhje të shpejta të problemeve.
Durimi i tyre ka humbur, dhe bota nuk është më e racionalizmit të mendimit.
Bota e harroi Spinozën dhe filozofët racionalistë, përderisa një si Duterte admirohet nga ca filipinas anonimë.

U thashë vajzave se Princesha është më e bukur se Xheni. Pas kësaj, qeshën më shumë, dhe Princesha e gëzuar… i ngatërrova përsëri, duke i thënë: “Xheni është më e mirë se Imelda Markos, edhe pse s’ka 3000 palë këpucë”. Qeshi edhe Xherri, kur sapo mbërritëm te porta e “Marina Bay”, punonin aty…

I shkarkova mes kakarisjeve plot gaz dhe ika më tej. Arsyeja kryesore ishte të shijoja atë bregdet që më pëlqen më shumë në të gjithë gjatësinë e Jonit shqiptar.

Në darkë mbërrita te “La brisa” në Dhërmi, aty kërkova një mikeshë të vjetër nga Nepali të cilës i kam premtuar se do ta ndihmoj nëse vjen në Amerikë.
Ajo është çuditur kur i thashë para dy vjetësh se e njoh mbretin Birendra të Nepalit, atij shteti të vogël mistik budist në shpatet e Himalajeve, nga i cili arrin Everestin.
Më ka intriguar gjithmonë ky kontrast fjalësh plot kuptim.
Një nepaleze që punon këtu më tha se Ashika ka shkuar në Kretë, pasi paguhet më mirë atje. Ndjeva edhe gëzim edhe trishtim.
Kurrë mos e injoroni trishtimin, është ndjesi shumë e bukur dhe njeriu nga jeta trishtimet kujton, pasi gëzimet ngjajnë me furtuna që kalojnë për tu rikthyer në forma të tjera.
Një rus më kërkoi një karige nga ato te tavolines time, gjë për të cilën i dhashë lejen.

Duke menduar për Shqiperinë…
Ndoshta çdo gjë që na frikëson është, në thelbin e saj më të thellë, diçka e pafuqishme që dëshiron dashurinë tonë… mu kujtua Rilke…

Kastriot. Fetahu.

Written by: Window.Al

Rate it