Cila është ajo kauzë në këtë botë që mundet të justifikojë 18 mijë fëmijë të vrarë? Nuk po flasim për të rritur, as për burra apo gra, as për të moshuar, pavarësisht se edhe në mes tyre ka shumë të pafajshëm, por po flasim për fëmijë. Një fëmijë nuk e di se çfarë do të thotë luftë, as nuk i kupton arsyet se përse ndodh lufta. Fëmijët janë të veshur me petkun e pafajsisë, janë të mbrojtur nga ombrella e naivitetit, janë plotësisht të vërtetë në përjetimin e emocioneve të tyre dhe ndërgjegja e tyre është e pastër si drita e diellit. Por bota sot ka vendosur të mos e lexojë tmerrin e shfarosjes në sytë e tyre, sepse sado të përparuar mund të përpiqemi të dukemi ne si shoqëri njerëzore, ligji i lashtë i xhunglës është ai që udhëheq, ku i forti vendos për fatin e më të dobëtit. Sot, ata që janë më të fortë kanë vendosur të japin bekimin e tyre me heshtje për këtë mynxyrë që po ndodh në Palestinë. Në një kohë kur flitet pambarim për Konventa, për marrëveshje e ligje ndërkombëtare, për të drejtat e njeriut, për mbrojtjen e kategorive në nevojë, dhe mbi të gjitha për të drejtat e fëmijëve, në të njëjtën kohë lejohet gjakftohtësisht një masakër e këtyre përmasave. Dhe ajo kapërdihet pa zhurmë nga qeveritë e liderët globalë, të cilët ruajnë interesat e tyre duke bërë kurban gjakun e 18 mijë fëmijëve. Ajo që po ndodh sot në Gaza duhet të shërbejë si një leksion për të gjitha ne kombet e vogla, shtetet e pafuqishme. Ne duhet të kuptojmë se nuk mund të presim nga Evropa dhe as të besojmë pallavrat e Amerikës për vllazërim e afrimitet, sepse në çdo rast nuk do ti vijë keq për ne, ashtu siç nuk kanë grimcën e keqardhjes për Gazan. Një komb po zhduket dhe Evropa nuk bëzan. E kanë shtuar retorikën e ashpër ndaj Vladimir Putin, por nuk janë në gjendje të artikulojnë një fjalim të vetëm për Palestinën, sepse ajo ndodhet në parcelën tjetër të botës atje ku nuk iu intereson, por patjetër iu intereson marrëdhenia e mirë me Izraelin. Cfarë ndryshimi ka një demon si Benjamin Netaniahu, nga Putin? Një popull që e ka provuar shfarosjen mbi kurrizin e vet, nuk mundet asesi të dakortësohet me një katastrofë të këtyre përmasave. Ndaj lutuni e reflektoni, që një ditë të mos çuditeni me qëndrimet anti-njerëzore të qeverive globale. Evropa, siç thoshte edhe i madhi Gjergj Fishta, është një kurvë e motit, e si e tillë, është aq e pashpirt sa do vetëm veten e saj.
Lutjet tona shkojnë për Palestinën, për çdo jetë të marrë atje, për horrorin që po ndodh në Gaza e mbi të gjitha për çdo fëmijë që është akoma gjallë. 🇵🇸
Sadik Sallaku




